Luksacioni coxo-femoral i lindur (Keqformimi i lindur i legenit, Luksacioni kongenital i legenit, Zhvendosja e lindur e kockës së legenit, Zhvendosja e lindur e kokës së femurit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Keqformimi kongenital i legenit është një çrregullim i lindur i artikulacionit (kyçit) coxo-femoral, tepër i shpeshtë në foshnjat e porsalindura. Haset në rreth 4% të foshnjave, më shpesh tek vajzat.
Në rastin e zhvendosjes së lindur, artikulacioni coxo-femoral nuk është i formuar mirë për shkak të osteogjenezës së pamjaftueshme. Acetabuli mbetet shumë i sheshtë dhe nuk mund ta mbajë mjaftueshëm kokën e femurit, që ka formën e topit.
Në format e lehta, zhvendosja e lindur e kokës së femurit dallohet vetëm në adoleshencë ose edhe më vonë. Për shkak të shpërndarjes së pabarabartë të peshës, ndihet dhimbje gjithnjë e më e madhe dhe kyçi konsumohet (shfaqet osteoartriti).
Në formën më të rëndë, ky keqformim shkakton zhvendosje të pjesshme ose të plotë të artikulacioneve të legenit (zhvendosja e legenit).
Nëse ky keqformim diagnostikohet menjëherë pas lindjes dhe trajtohet në përputhje me rrethanat, mund të shërohet tërësisht. Sot, vlerësimi për zhvendosje të lindur të legenit është një nga ekzaminimet e zakonshme që kryhet tek të gjithë të porsalindurit.
Luksacioni coxo-femoral i lindur i atribuohet disa faktorëve:
- Predispozita gjenetike (trashëgimia)
- Hapësira e ngushtë e foshnjes në barkun e nënës: pozicioni i sforcuar i fëmijës në bark, indet e tendosura gjatë shtatzënisë së parë, mungesa e lëngjeve amniotike, shtatzënitë e shumta
- Ndikimet hormonale gjatë shtatëzanisë: disa hormone përgatisin trupin e nënës për proçesin e lindjes gjatë tre muajve të fundit të shtatzënisë. Ato shkaktojnë lëshim të strukturave të legenit dhe kapsulës së artikulacioneve, në mënyrë që këto të zgjerohen gjatë lindjes. Në rastin e bebeve vajza që janë gati të lindin, hormonet e shkaktojnë këtë shtendosje, ndërsa tek djemtë nuk kanë asnjë efekt. Kjo shpjegon pse vajzat vuajnë pesë herë më shpesh nga zhvendosja e lindur e kokës së femurit.
Luksacioni koxo-femoral manifestohet me këto simptoma:
- Pozicionimi i keq i artikulacionit të legenit: lëvizshmëria e anës së prekur të legenit është e kufizuar, gjatësia e këmbëve mund të jetë e ndryshme.
- Në mungesë të trajtimit, fëmija çalon, shfaq çrregullime në ecje dhe dhimbje që shtohen.
- Artroza e artikulacionit të legenit (konsumimi i artikulacionit), si një pasojë afatgjatë e luksacionit.
Sot, vlerësimi i foshnjes për zhvendosje kongjenitale të kockës së legenit është një nga ekzaminimet e zakonshme për të gjithë të sapolindurit.
Ky vlerësim bazohet tek:
- Ekzaminimi fizik: lëvizshmëria e zvogëluar e artikulacionit të legenit, ndryshimi në palosjet e vitheve, diferenca në gjatësinë e këmbëve, evidentimi i artikulacionit të zhvendosur gjatë prekjes.
- Ekografia e legenit
- Radiografia e legenit tek para-adoleshentët.
Trajtimi i luksacionit të lindur coxo-femoral varet nga shkalla e zhvendosjes së kokës së femurit dhe mosha e fëmijës. Në parim, fillohet me një trajtim konservativ (jo-kirurgjikal). Për raste më komplekse, mund të jetë e nevojshme kirurgjia.
Trajtimi konservativ (jo-kirurgjikal)
Trajtimi i hershëm dhe i qëndrueshëm në javët dhe muajt e parë pas lindjes mund të lejojë kockën e femurit të anës së prekur të zhvillohet dhe të kompensojë zhvendosjen. Trajtimi përfshin pantallonat larguese, fashat, strukturat fiksuese ose allçia, të përdorura për të mbajtur artikulacionin e legenit në pozicionin e duhur.
Ndërhyrja kirurgjikale
Për rastet e rënda ose në rastet e deformimit të mbetur pas trajtimit konservativ, qëndrueshmëria e artikulacionit të legenit mund të përmirësohet përmes kirurgjisë. Nëse artikulacioni është konsumuar tashmë, pra është shfaqur osteoartroza, mund të jetë e nevojshme vendosja e një proteze të tij (stent).
Zhvendosja e lindur e kokës së femurit nuk mund të parandalohet sepse faktorët e rrezikut, të tillë si ndikimet hormonale gjatë shtatëzanisë, gjinia e bebit ose trashëgimia, nuk mund të evitohen. Gjithsesi, nëse ky problem zbulohet herët, menjëherë pas lindjes së foshnjes, mund të trajtohet me sukses të plotë.