logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Shintigrafia renale: ekzaminim i mjekësisë nukleare, që vlerëson funksionin e veshkave, rrugëve urinare dhe fshikëzës së urinës.
Shintigrafia renale: ekzaminim i mjekësisë nukleare, që vlerëson funksionin e veshkave, rrugëve urinare dhe fshikëzës së urinës.

Çfarë është shintigrafia e veshkave?

Shintigrafia e veshkave është një ekzaminim imazherik që shërben për vlerësimin e funksionit të veshkave, për shkallën e filtrimit dhe eleminimit të lëndëve prej tyre, si dhe për rrjedhjen e urinës. Gjatë këtij ekzaminimi veshkat mund të vlerësohen veçmas. Për realizimin e shintigrafisë së veshkave, në një venë të krahut injektohet një substancë e jodizuar, lehtësisht radioaktive, e cila arrin me shpejtësi në veshka. Më pas, një aparat i veçantë bën të mundur përftimin e imazheve të veshkave, të aparatit urinar dhe fshikëzës së urinës.

Shintigrafia e veshkave është një ekzaminim i Mjekësisë bërthamore.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara këtij ekzaminimi?

Për të realizuar shintigrafinë e veshkave, pacienti duhet të pijë shumë lëngje 1.5 orë përpara ekzaminimit (të paktën 1.5 litra, nuk ka rëndësi çfarë lëngjesh), në mënyrë që të sigurojë një eleminim të mirë të urinës. Gjithashtu, është e rëndësishme që pacienti të ketë konsumuar ushqim mjaftueshëm, pra nuk është e nevojshme të jetë esëll.

Çfarë duhet të sqarohet përpara shintigrafisë së veshkave?

Përveç përjashtimit të një shtatzënie, nuk nevojitet ndonjë sqarim tjetër.

Si realizohet shintigrafia e veshkave?

Gjatë ekzaminimit, në një venë të krahut injektohet një lëndë kontrasti lehtësisht radioaktive, e cila do të eleminohet nga veshkat. Në momentin e injektimit, me ndihmën e një kamere të vecantë realizohen imazhet radiografike, regjistrimi i të cilave zgjat 30 minuta. Gjatë ekzaminimit, pacientit i merret dy herë gjak për analiza, për të vlerësuar funksionin e veshkave. Gjithashtu, i injektohet një medikament diuretik (shkarkues). Imazhet vlerësohen dhe paraqiten në tre dimensione nga specialisti i fushës.

Për të evidentuar një refluks (kthim lart) të urinës nga fshikëza e urinës, lënda radioaktive injektohet në fshikëzën e urinës me ndihmën e një kateteri të fshikëzës. Pas kësaj, regjistrimet fillojnë në momentin e urinimit, duke lejuar kështu që të ndiqet trajektorja e urinës me kamera.

Kur përdoret shintigrafia re veshkave?

Shintigrafia e veshkave ndihmon në kontrollin e funksionit filtrues dhe eleminues të veshkave, si dhe të rrjedhjes së urinës.

Arsyet e shpeshta për kryerjen e shintigrafisë së veshkave janë:

  • Vlerësimi i funksionit të veshkave
  • Refluksi urinar
  • Çrregullimet e rrjedhjes së urinës
  • Refluksi urinar veziko-renal (kthimi i urinës nga fshikëza urinare për në veshka)
  • Ngushtimi i arteries veshkore, si shkak i hipertensionit me origjinë nga veshkat.

A paraqet shintigrafia e veshkave rreziqe apo efekte të padëshiruara?

Një reaksion alergjik ndaj lëndës radioaktive të administruar është në parim i mundur, por shumë i rrallë. Radioskopia shoqërohet me ekspozim të pakët ndaj rrezatimit. Nuk kryhet shintigrafi e veshkave gjatë shtatzënisë. Sipas udhëzimeve të specialistit të mjekësisë bërthamore, gratë që ushqejnë fëmijën me gji mund të duhet ta ndërpresin përkohësisht dhënien e gjirit.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.