Karcinoma spinoqelizore (Kanceri spinoqelizor, Spinalioma)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Karcinoma spinoqelizore është një kancer malinj i lëkurës, që përgjithësisht prek vetëm personat me lëkurë të ndjeshme, mbi 50 vjeç. Megjithatë, për shkak të pakësimit të shtresës së ozonit dhe të ndryshimit të sjelljes së njerëzve ndaj rrezatimit diellor, kjo sëmundje po shfaqet gjithnjë e më shumë edhe në mosha më të reja.
Karcinoma spinoqelizore mund ta ketë origjinën tek një keratozë aktinike (çrregullim i keratinizimit të lëkurës, i shkaktuar nga ekspozimet e shpeshta në diell). Meshkujt preken më shpesh se femrat. Gjithashtu shpesh preken edhe personat që ushtrojnë profesionet në ambiente të hapura, nën rrezatimin diellor.
Ekspozimet e shpeshta në rrezet e forta të diellit për disa vite mund të provokojnë ndryshime qelizore në nivelin e epidermës (shtresës më të sipërme të lëkurës) tek personat me lëkurë të ndjeshme. Këto ndryshime pararendëse të kancerit të lëkurës, që njihen si keratoza aktinike, mund të jenë pikënisja e kancerit spinoqelizor.
Faktorë të tjerë të rrezikut:
- Cikatricet
- Të djegurat
- Rrezatimi me rreze X
- Ulçerat kronike
- Ulja e imunitetit
- Kontakti i shpeshtë me substanca kimike si arseniku ose zifti (katrani)
- Konsumi i shpeshtë i alkoolit dhe duhanpirja.
Fillimisht konstatohet një skuqje e vogël, me një zonë me ngjyrë kafe në periferi të saj, që kur gërvishtet gjakoset lehtë. Më vonë, shfaqet masa tumorale me formën e lulelakrës, me tendencë për t’u përhapur në drejtimin nga brenda-jashtë. Karcinoma spinoqelizore gjendet shpesh në nivelin e zonave të ekspozuara ndaj diellit, si fytyra, veshët, shpina e duarve dhe parakrahu. Por sëmundja mund të zhvillohet gjithashtu edhe pranë mukozave, si në nivelin e buzës së sipërme, të gojës, të gjuhës ose të zonave gjenitale.
Për diagnostikimin e karcinomës spinoqelizore, janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut specialist dermatolog (të lëkurës) me simptomat e pacientit
- Përgjithësisht mjeku e vendos diagnozën e kancerit spinoqelizor me sy të lirë
- Biopsia e materialit të marrë nga masa tumorale e lëkurës është egzaminimi i vetëm që mund të konfirmojë diagnozën.
Kujdes: Plagët që nuk mbyllen, pra nuk krijojnë cikatrice, që gjakosen dhe që nuk shërohen pas 6 javësh, duhet të na bëjnë të dyshojmë për karcinomë spinoqelizore të lëkurës.

Në pjesën më të madhe të rasteve tumoret hiqen nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale. Për të qënë të sigurt, çdo tumor duhet të hiqet bashkë me një pjesë të indit të shëndetshëm rreth e rrotull zonës së dyshimtë për kancer. Nëse pacienti është tepër i moshuar, me gjendje të përgjithshme të dobësuar ose me masë tumorale në zona që nuk mund të hiqet (si psh. tek sytë ose buzët), rekomandohet fillimi i radioterapisë (rrezatimit të jashtëm). Në rast se tumori diagnostikohet në një stad të avancuar të tij, ose me metastaza të pranishme në organizëm, rekomandohet fillimi direkt i kimioterapisë.
Nëse kanceri spinoqelizor i lëkurës diagnostikohet dhe trajtohet në kohë, mundësitë e shërimit të tij janë të mëdha. Ecuria e tumoreve të vendosura në zonat gjenitale ose në gojë është mjaft e rezervuar.
Kujdes: Në fund të trajtimit, edhe në rastet e shëruara plotësisht, për disa vite rekomandohen kontrolle të rregullta tek mjeku. Në rast se nuk trajtohet, karcinoma spinoqelizore shkakton vdekjen e pacientit.

Mënyra e vetme efikase për parandalimin e kancerit spinoqelizor, ashtu si edhe për kanceret e tjerë të lëkurës, është evitimi i ekspozimit direkt në rrezet e diellit, veçanërisht në orët kur intensiteti i tyre është më i lartë (ora 11.00-16.00). Mbrojtja prej tij realizohet nëpërmjet përdorimit të kremrave mbrojtës, veshjeve të gjata dhe me mëngë të gjata, kapeleve, etj. Edhe pas shërimit të plotë të sëmundjes, rekomandohen kontrolle të detyrueshme, në intervale kohore të rregullta, në mënyrë që të parandalohet ose trajtohet në kohë një rikthim i mundshëm i sëmundjes.