logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Laringoskopia: ekzaminim i laringut me anën e një instrumenti që quhet laringoskop.
Laringoskopia: ekzaminim i laringut me anën e një instrumenti që quhet laringoskop.

Çfarë është laringoskopia?

Laringoskopia është një ekzaminim endoskopik, që shërben për të vëzhguar dhe vlerësuar pjesën e brendshme të laringut, nëpërmjet gojës. Ekzistojnë dy mundësi për ta realizuar këtë: laringoskopia jodirekte dhe ajo direkte. Laringoskopia jodirekte kryhet me ndihmën e një llampe ballore dhe një pasqyre të vogël. Për laringoskopinë direkte përdoret një endoskop tubular (laringoskop) i ngurtë ose fleksibël, që përmban një xham zmadhues, një burim drite të integruar dhe një kamera të vogël që transmeton pamjet në monitor (video-endoskopia). Ndërkohë që endoskopia jodirekte është vetëm diagnostikuese, endoskopia direkte mund të përdoret si për qëllime diagnostikuese, ashtu dhe trajtuese, dhe për ndërhyrje kirurgjikale në laring.

Stroboskopia (ekzaminimi i funksionit të kordave të zërit) shpesh kryhet si pjesë e laringoskopisë.

Laringoskopia është një ekzaminim i fushës së Otorinolaringologjisë (ORL).

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë para laringoskopisë?

Nëse është e nevojshme, faringu mund të mpihet me një sprai, me qëllim që të pakësohet refleksi i të përzierit. Përveç kësaj, nuk nevojitet ndonjë përgatitje tjetër para kryerjes së laringoskopisë jodirekte. Laringoskopia direkte me kirurgji të planifikuar realizohet nën efektin e anestezisë së përgjithshme. Pacienti duhet të jetë esëll, pra nuk duhet të ketë konsumuar ushqim ditën që do të kryejë ekzaminimin.

Çfarë duhet të sqarohet para laringoskopisë?

Përpara një laringoskopie jodirekte, pra thjesht diagnostikuese, nuk nevojitet ndonjë sqarim i veçantë. Për një laringoskopi me kirurgji të planifikuar, me anestezi të përgjithshme, kryhet ekzaminimi i zakonshëm para anestezisë (radiografia e mushkërive, EKG, niveli i mpiksjes së gjakut).

Si realizohet laringoskopia?

Laringoskopia jodirekte realizohet me ndihmën e një laringoskopi të vogël dhe një llampe ballore. Pacienti nxjerr gjuhën jashtë, pasqyra vendoset kundër murit të pasëm të faringut, dhe lejon kështu të vëzhgohet pjesa e brendshme e laringut dhe pjesa e sipërme e trakesë.

Laringoskopia direkte realizohet me ndihmën e një endoskopi tubular të hollë, të pajisur me një xham zmadhues që kalon përmes gojës së hapur ose, nganjëherë, edhe duke përdorur një tub optik të hollë dhe fleksibël, i cili futet në faring përmes hundës. Të dy instrumentat janë të pajisur me një burim drite dhe një kamera të vogël, dhe transmetojnë pamje në monitor. Laringoskopia direkte me endoskopin tubular jo vetëm që mund të ndriçojë dhe të vëzhgojë brendësinë e laringut, por gjithashtu edhe mund të futë instrumente të vogla kirurgjikale dhe të kryejë kirurgji në laring. Në të tilla raste laringoskopia kryhet nën efektin e anestezisë së përgjithshme.

Kur përdoret laringoskopia?

Laringoskopia jodirekte përdoret vetëm për diagnostikimin e sëmundjeve në zonën e laringut. Laringoskopia direkte mund të përdoret edhe për operacione në laring, për marrje të kampionit indor për biopsi ose për heqjen e polipeve ose tumoreve.

Arsyet e shpeshta për kryerjen e laringoskopisë janë:

A paraqet laringoskopia rreziqe ose efekte të padëshiruara ?

Laringoskopia jodirekte, që realizohet me një pasqyrë të vogël dhe një llampë ballore, është krejtësisht e padhimbshme dhe e parrezikshme. Për sa i takon laringoskopisë direkte, për shkak të acarimit të mukozës nga instrumenti, pacienti mund të shfaqë ndonjëherë, përkohësisht, dhimbje të fytit, vështirësi në gëlltitje ose gjurmë të gjakut në pështymë. Janë të rralla dëmtimet e mukozës së faringut ose murit të ezofagut, për shembull pas heqjes së trupave të huaj të gëlltitur, ose gjakderdhja pas heqjes së indeve. Në rast të simptomave të vazhdueshme dhe që përkeqësohen, ose të gjakderdhjes pas operacionit, menjëherë duhet të njoftohet mjeku. Anestezia gjithmonë mbart disa rreziqe.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.