logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Keratoza aktinike: dëmtimi i lëkurës nga dielli.
Keratoza aktinike: dëmtimi i lëkurës nga dielli.
Keratoza aktinike është një çrregullim i keratinizimit të lëkurës, që shkaktohet nga ekspozimi i drejtpërdrejtë dhe intensiv në rrezet e diellit për shumë vite. Ajo haset kryesisht tek meshkujt dhe tek personat me lëkurë të ndjeshme, përgjithësisht pas moshës 50 vjeç. Rëndësia e parandalimit të saj qëndron në faktin që ajo është pararendëse e kancerit spinoqelizor të lëkurës (spinalioma).  
Keratoza aktinike: efekti i dëmshëm i diellit.
Keratoza aktinike: efekti i dëmshëm i diellit.
Siç thuhet edhe më sipër, dëmtimi i qelizave të shtresës sipërfaqësore të lëkurës, që quhet epidermë, zhvillohet gjatë disa dekadave. Këto qeliza të ndryshuara (atipike) shumëzohen në këtë shtresë, duke shkaktuar në këtë mënyrë trashje të shtresës më sipërfaqsore të saj (shtresa korneale).
Keratoza aktinike: shfaqja e ndryshimeve në lëkurë.
Keratoza aktinike: shfaqja e ndryshimeve në lëkurë.
Stadi fillestar i sëmundjes karakterizohet nga shfaqja e disa zonave të skuqura, me diametër rreth 1 cm dhe sipërfaqe të ashpër. Në një stad më të avancuar, trashja e shtresës korneale theksohet: formohen depozitime të mëdha të kornesë me ngjyrë kafe në të verdhë. Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të këtyre zonave, ato gjakosen lehtë. Gjithsesi, këto zona nuk kruhen dhe nuk djegin pothuajse asnjëherë. Zonat më shpesh të prekshme nga ky proçes janë:
  • Balli, tëmthat, hunda dhe veshët
  • Tek meshkujt, lëkura pa flokë e kokës
  • Tek meshkujt dhe femrat, shpina e duarve dhe e parakrahëve.

Biopsia e lëkurës për diagnozën e keratozës aktinike.
Biopsia e lëkurës për diagnozën e keratozës aktinike.
Vetëm biopsia e lëkurës e lejon mjekun dermatolog të dallojë keratozën aktinike nga sëmundjet e tjera të lëkurës. Pra, ekzaminimi histologjik lejon diagnozën përfundimtare të sëmundjes. 
Trajtimi i keratozës aktinike.
Trajtimi i keratozës aktinike.
Trajtimi konservativ i keratozës aktinike konsiston në aplikimin e azotit të lëngshëm (krioterapia), si dhe në përdorimin e disa pomadave dhe solucioneve. Meqenëse solucionet janë pjesërisht me efekt gërryes, në fillim ato shkaktojnë një reaksion të fortë inflamator, që pasohet nga shërimi pa cikatrice (shenja).                   
Lazeri Erbium YAG përfaqëson një teknikë të re, mjaft të sukseshme për eleminimin e keratozës aktinike. Radioterapia nuk përdoret më në rastet me keratozë aktinike.  
Të gjitha metodat e trajtimit të kësaj sëmundjeje janë relativisht të padhimbshme. Për këtë arsye nuk është i nevojshëm përdorimi i anestezisë lokale.

Keratoza aktinike zhvillohet tepër ngadalë. Ekziston mundësia që qelizat atipike të shumëzohen më tepër në thellësi, duke degjeneruar në këtë nivel në një kancer spinoqelizor (spinaliomë). Pra, keratoza aktinike përfaqëson një stad të mundshëm pararendës të spinaliomës. Për këtë arsye, në të gjitha rastet e dyshimta, është thelbësore të konsultohet një mjek specialist dermatolog.
Parandalimi i keratozës aktinike nëpërmjet mbrojtjes nga dielli.
Parandalimi i keratozës aktinike nëpërmjet mbrojtjes nga dielli.
Rekomandohet evitimi i ekspozimeve të drejtpërdrejta dhe intensive në diell, si dhe mbrojtja e lëkurës me kremra, veshje të përshtatshme dhe kapele. Veçanërisht të kujdesshëm në këtë drejtim duhet të jenë meshkujt tullacë (pa flokë).  

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.