Kanceri testikular (Kanceri i testikulit, Kanceri i testit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Testet (testikujt) përfaqësojnë gjendrat seksuale mashkullore, që janë përgjegjëse për prodhimin e hormonit seksual mashkullor (testosteronit). Ato janë dy në numër, me peshë 25 gram, gjatësi 4-5 cm dhe diametër 2-3 cm secili. Testet vendosen brenda qeses skrotale (skrotumit), ku ndahen nga njëri tjeri nga një membranë ndarëse (septumi). Në këtë nivel, temperatura e favorshme prej 1-2 gradë Celcius më e ulët se temperatura trupore, bën të mundur prodhimin e spermës.
Kanceri i testit është relativisht i shpeshtë dhe shfaqet përgjithësisht tek meshkujt me moshë nga 20-40 vjeç. Sa më herët të diagnostikohet, aq më të mëdha janë mundësitë për t’u shëruar prej tij. Megjithatë, shumë meshkuj vdesin ende prej kancerit të testit, për shkak të diagnostikimit të tij në stade tepër të avancuara.
Në fakt, ky kancer nuk shkakton simptoma (shqetësime) për një periudhë tepër të gjatë. Veç kësaj, shumë meshkuj nuk e kryejnë vetëegzaminimin (vetëpalpimin) e testeve, që është sa i thjeshtë për t’u realizuar, aq edhe i rëndësishëm në konstatimin e hershëm të këtij kanceri.
Shkaku i vërtetë i kancerit të testit nuk dihet ende. Është konstatuar një shpeshtësi e lartë e tij në meshkujt që:
- Kanë një test të pazbritur në skrotum (qesen që mbështjell të dy testet) gjatë fëmijërisë
- Janë infertilë (nuk janë pjellorë)
- Që kanë patur pubertet të parakohshëm.
- Kanë histori familjare për kancer të testeve.
Kohët e fundit, për zhvillimin e kancerit të testit janë fajësuar edhe:
- Ekspozimi ndaj disa lëndëve kimike, siç janë insekticidet, tretësat e ndryshëm, etj.
- Kontakti me disa metale të rënda
- Prania e disa infeksioneve virale, si HIV-i.
Në fazat e para të zhvillimit të kancerit të testit, simptomat janë të pakta. Ato manifestohen si një therje e lehtë (sëmbim) në rrëzë të kofshës, enjtje e njërit prej testeve, që mund të shoqërohet nga prekja e një noduli (kokrre) në të. Në një stad më të avancuar, konstatohet enjtja e nyjeve limfatike të legenit dhe të shtyllës kurrizore, që mund të shkaktojnë dhimbje në shpinë. Testi zmadhohet dhe bëhet i dhimbshëm. Tumori mund të përhapet në të gjithë organizmin, duke lëshuar metastaza. Nëse nuk trajtohet në mënyrë korrekte, kanceri i testit mund të shkaktojë vdekjen e pacientit.

Për të vendosur diagnozën e kancerit të testit, janë të nevojshme:
- Konsulta me mjekun, njohja e tij me historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit.
- Egzaminimi i kujdesshëm (palpacioni) i testeve nga mjeku.
- Marrja e materialit indor për biopsi.
- Kryerja e radiografive dhe/ose skanerit, për të përjashtuar metastazat e mundshme në distancë.
- Dozimi i markuesve tumoralë.
- Përcjellja e pacientit tek specialisti urolog, nëse konsulta e parë e tij kryhet nga një mjek i përgjithshëm (mjeku i familjes).

Në çdo rast të diagnostikuar me kancer të testit, përgjithësisht kryhet heqja me rrugë kirurgjikale e testit të prekur, mundësisht e shoqëruar me kimioterapi (medikamentet) dhe/ose radioterapi (rrezatimi), në varësi të stadit të tumorit në momentin e diagnostikimit. Nëse ai është përhapur në nyjet limfatike të afërta, njëkohësisht me testin kryhet edhe heqja e tyre.
Në rast se kanceri i testeve diagnostikohet në stade të hershme dhe trajtohet në mënyrë korrekte, mundësitë e shërimit janë të mira (90%). Në shumë raste, pas ndërhyrjes kirurgjikale meshkujt vazhdojnë të jenë pjellorë (fertilë). Në një stad të avancuar, kanceri i testikulit mund të shoqërohet me impotencë.

Meqenëse shkaqet e kancerit të testeve nuk janë të njohura plotësisht, edhe parandalimi i shfaqjes së tij është mjaft i vështirë. Gjithsesi, për këtë qëllim, tek meshkujt që kanë një test të pazbritur në skrotum gjatë fëmijërisë rekomandohet heqja e tij me rrugë kirurgjikale, në mënyrë që të parandalohet shndërrimi në kancer në të ardhmen.
Këshilla: Çdo mashkull mund t’i egzaminojë vetë testet e tij. Për të realizuar këtë, të gjithë meshkujt duhet të njohin teknikën e vetëpalpimit (vetëegzaminimit nëpërmjet prekjes) të testeve. Kjo proçedurë duhet të kryhet, nëse është e mundur, një herë në muaj, pas dushit, kur lëkura e skrotumit (qeses që mbështjell testet) është më elastike. Nëse një person konstaton një ndryshim në nivelin e testeve të tij, ai duhet të paraqitet sa më shpejt tek mjeku urolog, për një kontroll të hollësishëm në këtë drejtim.