Kanceret e zgavrës së gojës (Tumoret malinje të zgavrës së gojës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Shpeshtësia e kancereve të gojës, veçanërisht e kancerit të gjuhës është rritur shumë gjatë dy dekadave të fundit. Tumoret malinje (kanceret) mund të zhvillohen në të gjitha pjesët e zgavrës së gojës, por zonat më shpsh të prekura prej tyre janë dyshemeja e gojës dhe pjesa e lëvizshme e gjuhës.
Kanceri i gojës shfaqet kryesisht tek personat me moshë nga 50-70 vjeç, por gjithnjë e më shpesh ai po konstatohet edhe tek persona më të rinj. Faktorët favorizues më të shpeshtë për zhvillimin e tij janë konsumi i sasive të mëdha të alkoolit, duhanpirja, dhe higjiena jo e mirë e gojës dhe e dhëmbëve.
Shpesh, kanceri i gojës diagnostikohet në stade të vonshme. Kjo për faktin se, edhe pse shenjat e para të tij mund të jenë të dukshme, shumë pacientë i neglizhojnë ato dhe paraqiten vonë tek mjeku. Nëse kanceret e gojës diagnostikohen në stade të hershme, ecuria e tyre është përgjithësisht e mirë.
Mundësitë e mbijetesës së pacientit me kancer të gojës varen drejtpërdrejt nga madhësia e kancerit, dhe nga shkalla e përhapjes së tij në nyjet limfatike dhe organet e tjera.
Në vendet e zhvilluara, duhani dhe alkooli konsiderohen si faktorë kryesorë të rrezikut për zhvillimin e tumoreve të gojës. Në vende të tjera, si Sri Lanka, India, Pakistani dhe Tailanda, shkaku kryesor i tij është konsumi i fletëve të Betelit, që është një bimë me përdorim të gjerë kurativ.
Faktorë të tjerë shkaktarë:
- Thithja e tymrave, avujve ose pluhurave që shkaktojnë kancer
- Viruset
- Përdorimi i marihuanës, veçanërisht tek personat në moshë të re
- Higjiena jo e mirë e gojës dhe e dhëmbëve
- Ngacmimet mekanike të mukozës (pjesës së brendshme) të gojës, nga dhëmbët e dëmtuara (të prishura) ose protezat e tyre.
Rreth 90% e kancereve të gojës manifestohen në zonat e mëposhtne:
- Hapësira e gojës, që përfshin: buzët, dyshemenë e gojës, mishrat e dhëmbëve (gingivat), faqet dhe qiellzën.
- Pjesa e sipërme e faringut, që përfshin: tonsilat (bajamet) dhe bazën e gjuhës.
- Pjesa e poshtme e faringut (rreth laringut)
- Laringu, me kordat e zërit që gjenden në të.
Shenjat e dukshme të kancerit të gojës:
- Pllaka të kuqe ose të bardha ne nivelin e mukozës (pjesës së brendshme) të gojës, të cilat në fakt përfaqësojnë elemente pararendëse të kancerit (prekanceroze).
- Vështirësi në përtypjen dhe/ose gëlltijen e ushqimeve
- Kufizim i lëvizshmërisë së gjuhës
- Djegie të gjuhës, dhe të gjithë mukozës së gojës
- Gjakderdhje nga goja
- Tumori ndonjëherë është i dukshëm në egzaminimin e thjeshtë të gojës
- Në rastin e kancerit të laringut, shenja kryesore dalluese është ndryshimi i zërit, me ngjirje kronike.
- Zmadhimi i nyjeve limfatike të qafës. Në rastin e metastazave (përhapjes së kancerit) në distancë, mund të konstatohet edhe zmadhimi i nyjeve të tjera limfatike.
- Dhimbje (rrallë)

Për vendosjen e diagnozës së kancerit të gojës, janë të nevojshme këto proçedura:
- Konsulta me mjekun, dhe informimi i tij në mënyrë të detajuar lidhur me ankesat, simptomat e pacientit dhe historinë e saktë të fillimit të tyre.
- Egzaminimi i kujdesshëm i të gjitha zonave në brendësi të zgavrës së gojës.
- Kryerja e egzaminimit endoskopik të gojës, faringut, laringut dhe rrugëve të sipërme të frymëshkëmbimit. Nëse është e nevojshme, mjeku mund të rekomandojë edhe kryerjen e egzaminimit endoskopik të bronkeve (bronkoskopia). Egzaminimi endoskopik është një proçedurë që lejon eksplorimin në brendësi të organeve të përmendura më sipër, duke mundësuar edhe marrjen e materialit për biopsi në zonat e dyshimta për praninë e qelizave kanceroze.
- Rezonanca magnetike, që mundëson evidentimin e metastazave kanceroze në zonën e qafës.
- Kryerja e biopsisë së materialit indor të marrë nëpërmjet egzaminimit endoskopik.

Trajtimi i kancerit të gojës varet nga pozicioni, vëllimi, shkalla e përhapjes së tumorit, mosha e pacientit dhe gjendja e tij e përgjithshme shëndetsore në momentin e diagnostikimit.
Objektivat kryesore të trajtimit janë:
- Shërimi i sëmundjes
- Ruajtja e funksioneve të përtypjes, gëlltitjes dhe të të folurit
- Ruajtja e pandryshuar e formës së fytyrës
Për të arritur këto objektiva, shpesh nevojitet një trajtim i kombinuar, me përfshirjen e ndërhyrjes kirurgjikale dhe rrezatimit.
- Për tumoret e vogla, rekomandohet më shpesh heqja kirurgjikale e tyre, e pasuar nga rrezatimi (radioterapia).
- Për tumoret e mëdha, shpesh është e paevitueshme heqja e pjesëshme ose e plotë e një organi si laringu, ose e një strukture kockore, si nofulla. Në këto raste, kur nga fytyra hiqet një strukturë kockore, zëvendësimi i saj dhe i indeve të buta fqinje (që hiqen bashkë me kockën) realizohet në një kohë të dytë, nëpërmjet kirurgjisë plastike.
E rëndësishme: hapi i parë i trajtimit të kancerit të gojës konsiston në ndërprerjen e duhanit dhe alkoolit.
Sa më herët të diagnostikohet kanceri i gojës, aq më të mëdha janë mundësitë e shërimit të tij.
Megjithatë, ecuria e tij varet edhe nga faktorë të tjerë, si madhësia e tumorit, tipi histologjik i tij dhe shkalla e përhapjes së tij në nyjet limfatike të qafës. Tumoret me plagë të ulçeruar kanë përgjithësisht ecuri të keqe. Mosha e pacientit është një faktor relativisht i rëndësishëm, veçanërisht në rastin e kancerit të gjuhës. Kështu, sa më i ri të jetë pacienti i prekur, aq më të mëdha janë mundësitë e shërimit të tij.
Pas trajtimit të vatrës parësore (kryesore), rreth 30% e pacientëve të prekur nga kanceri i gojës e rishfaqin atë, ose në vendin ku ishte fillimisht vatra kryesore (tumori i hequr), ose në distancë prej tij. Të tilla rishfaqje të tumorit në nivelin e nyjeve limfatike janë veçanërisht të shpeshta tek personat me moshë të re.