logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Kanceri i qafës së mitrës: kanceri i mukozës së qafës së mitrës.
Kanceri i qafës së mitrës: kanceri i mukozës së qafës së mitrës.

Qafa e mitrës vendoset në nivelin e pjesës së poshtme të mitrës dhe lidh vaginën me zgavrën e mitrës. Në pozicionin galiç (ulur në bisht) ose kur femra vendos njërën nga këmbët mbi një karrige, ajo mund të ndiejë qafën e mitrës në fund të vaginës. Qafa e mitrës është e veshur nga brenda nga një mukozë (shtresë e brendshme), që është e ndryshme nga ajo që vesh nga brenda zgavrën e mitrës.
 
Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet pikërisht kur qelizat e mukozës së qafës së mitrës shndërrohen në qeliza kanceroze. Ai mund të shfaqet edhe tek femrat nën 20 vjeç, megjithëse përgjithësisht zhvillohet tek ato me moshë nga 40-45 vjeç. Ai renditet i katërti për nga shpeshtësia e kancereve tek femrat, pas kancerit të gjirit, kancerit të zorrës së trashë dhe kancerit të mitrës.
 
Nëse kanceri i qafës së mitrës diagnostikohet në stade të hershme, mundësitë e shërimit të tij janë të mëdha. Gjithsesi, një në tre paciente nuk arrin t’i mbijetojë kësaj sëmundjeje. Në disa vende të botës, prej vitesh po përdoret gjerësisht një vaksinë specifike për mbrojtjen kundër tij.
 

Kanceri i qafës së mitrës: virusi i papilomës humane (HPV).
Kanceri i qafës së mitrës: virusi i papilomës humane (HPV).

Shkaku i vërtetë i zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës nuk është ende i njohur. Në pjesën më të madhe të rasteve, ai shkaktohet të paktën pjesërisht nga një nëntip i papilomavirusit human (të njeriut), që transmetohet gjatë marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Ky virus është gjithashtu i përfshirë edhe në zhvillimin e lythave gjenitale.

Faktorët e rrezikut janë:

  • Mosha, ku haset më shpesh tek femrat e reja, me partnerë të shumtë seksualë.
  • Mungesa e higjienës dhe infeksionet e shpeshta gjenitale
  • Duhanpirja konsiderohet si faktor i mundshëm i rrezikut, edhe pse është ende në studim e sipër.

 

Në kancerin e qafës së mitrës, femra nuk ka asnjë shqetësim në stadet e tij të para. Ato fillojnë të shfaqen vetëm kur kanceri gjendet në stade mjaft të avancuara.

Shenjat e mundshme në fillim janë:

Në një stad të avancuar:

 

Kanceri i qafës së mitrës: ekzaminimi i indeve (biopsia).
Kanceri i qafës së mitrës: ekzaminimi i indeve (biopsia).

Diagnoza e kancerit të qafës së mitrës vendoset nga mjeku specialist obstetër-gjinekolog, duke u bazuar në:

  • Simptomat e pacientes në momentin e konsultimit
  • Egzaminimin mikroskopik të materialit indor të marrë nga vagina (PAP testi)
  • Egzaminimin ekografik nga vagina (eko transvaginale)
  • Kryerjen e kolonoskopisë dhe cistoskopisë (egzaminimin endoskopik të zorrës së trashë dhe fshikëzës së urinës, që mundëson eksplorimin në brendësi të tyre dhe marrjen e materialit për biopsi në këto nivele)
  • Analiza e gjakut për përcaktimin e nivelit të treguesve tumoralë në të.
  • Kryerjen e skanerit, për vlerësimin e shkallës së përhapjes së tumorit.
  • Kryerjen e radiografive, për evidentimin e metastazave të mundshme në nivelin e mushkërive, dhe për vlerësimin e shkallës së shtrirjes së tumorit.
Kanceri i qafës së mitrës: heqja me rrugë kirurgjikale e tumorit malinj.
Kanceri i qafës së mitrës: heqja me rrugë kirurgjikale e tumorit malinj.

Në stadin fillestar të kancerit të qafës së mitrës, ndryshimet e vogla qelizore mund të zmbrapsen spontanisht. Për të ndjekur ecurinë e tij, janë të nevojshme marrjet e rregullta të materialit indor nga vagina për egzaminim mikroskopik (Pap-testi).

Mënyrat e mundshme të trajtimit të kancerit të qafës së mitrës janë:

  • Konizimi me lazer, që lejon të hiqen zonat e vogla të indit kanceroz. Kjo metodë kryhet sidomos tek femrat që dëshirojnë të kenë fëmijë në të ardhmen, por gjithmonë nëse kanceri është diagnostikuar në stadet e tij të para.
  • Në një stad të avancuar të sëmundjes, duhet të hiqet e gjithë mitra. Tek gratë e moshuara, hiqen edhe vezoret.
  • Radioterapia (rrezatimi)
  • Kimioterapia (me medikamente)

 Në mënyrë që të përftohen rezultate sa më të mira, shpesh kombinohen mënyra të ndryshme të trajtimit për këtë formë të kancerit.

 

Nëse kanceri i qafës së mitrës diagnostikohet në stade të hershme, ecuria është përgjithësisht e mirë dhe shërimi i tij është i mundur. Në rast të kundërt, nëse tumori është përhapur në organet fqinje dhe ka lëshuar metastaza në organet e tjera në distancë, mundësitë e shërimit të tij janë të pakta.

Kanceri i qafës së mitrës: vaksina HPV dhe prezervativët.
Kanceri i qafës së mitrës: vaksina HPV dhe prezervativët.

Kanceri i qafës së mitrës konsiderohet si një nga kanceret më të rrezikshëm, që i shfaqin simptomat vetëm në stade të avancuara. Pikërisht për këto kancere, proçesi i parandalimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në rastin e kancerit të qafës së mitrës, parandalimi konsiston në kryerjen e rregullt të egzaminimeve gjinekologjike depistuese, me kryerjen e Pap-testit në periudha të rregullta kohore. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar gjakrrjedhjeve pas menopauzës, që kërkojnë një bilanc të kujdesshëm mjekësor.

Aktualisht, prej disa vitesh po përdoret gjerësisht vaksina kundër dy nëntipeve të papilomavirusit human. Ajo duhet të përdoret mundësisht tek vajzat e reja nga mosha 9-14 vjeç. Janë të nevojshme tre doza të kësaj vaksine, e cila në fakt ka efekt parandalues, por jo shërues të kësaj sëmundjeje. Mundësia e një vaksine shëruese për këtë kancer është ende në studim e sipër.

Specialistët e kësaj fushe rekomandojnë respektimin e kontrolleve të rregullta me qëllim parandalues tek mjeku obstetër-gjinekolog, edhe pas vaksinimit me vaksinën e përmendur më sipër. Gjithashtu, nuk duhet neglizhuar fakti që asnjë vaksinë nuk siguron mbrojtje 100%.

Për këtë arsye, rekomandohet:

  • Përdorimi i prezervativëve gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale.
  • Përdorimi i prezervativit përbën mënyrën e vetme të mbrojtjes reale kundër papilomavirusit human. Kjo për faktin se vaksina është efikase vetëm kundër dy nëntipeve të virusit, pra ajo nuk siguron asnjë mbrojtje ndaj nëntipeve të tjera të tij.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.