logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Kanceri i laringut: anatomia e organeve të sipërme të frymëmarrjes dhe të gëlltitjes.
Kanceri i laringut: anatomia e organeve të sipërme të frymëmarrjes dhe të gëlltitjes.

Kanceri i laringut përfaqëson transformimin qelizor malinj në nivelin e mukozës (shtresës së brendshme) së laringut. Si shkak kryesor i tij konsiderohet benzopireni, që gjendet në tymin e cigares. 

Ai prek kryesisht meshkujt, në raportin 4 meshkuj në pesë persona të diagnostikuar. Meqenëse numri i femrave duhanpirëse është në rritje gjatë viteve të fundit, shpeshtësia e kësaj sëmundjeje edhe në këtë kontigjent të popullatës po rritet gjithnjë e më shumë.

Shkaqet e kancerit të laringut nuk janë ende të njohura plotësisht. Megjithatë, dihet që në zhvillimin e tij luajnë një rol mjaft të rëndësishëm disa faktorë të jashtëm, që konsiderohen faktorë të rrezikut për këtë sëmundje. Ndër këta faktorë, vendin e parë e zë duhanpirja, e pasuar nga konsumi i alkoolit. Nëse këta dy faktorë janë të pranishëm njëkohësisht, shkalla e rrezikut për t’u prekur nga kanceri i laringut rritet ndjeshëm. Gjithashtu, faktorë jo të drejtpërdrejtë të rrezikut, të lidhur ngushtë me konsumin e duhanit dhe alkoolit, konsiderohen: gjinia mashkullore, mosha mbi 55 vjeç dhe niveli i ulët social-ekonomik.

Shfaqja e kancerit të laringut mund të favorizohet edhe nga kontakti me ziftin (serën), azbestin, hidrokarburet aromatike policiklike ose pluhurin (hirin) e drurit (tek zdrukthëtarët).

Kanceri i laringut: kollë e papërcaktuar irrituese, vështirësi në gëlltitje dhe ngjirje e zërit.
Kanceri i laringut: kollë e papërcaktuar irrituese, vështirësi në gëlltitje dhe ngjirje e zërit.

Ndryshe nga pjesa më e madhe e tipeve të tjera të kancereve, që janë asimptomatikë (pa shqetësime) në stadin fillestar, kanceri i laringut manifestohet shpesh nga një ngjirje e vazhdueshme e zërit. Kujdes: në rast se ngjirja e zërit vazhdon për më tepër se 2 javë, rekomandohet sa më shpejt konsulta me mjekun specialist otojatër (ORL, oto-rino-laringolog), pasi mund të diagnostikohet një kancer i laringut qoftë edhe vetëm me një egzaminim të thjeshtë endoskopik të tij (laringoskopia indirekte).

Simptomat karakteristike të kancerit të laringut janë:

  • Ngjirje e vazhdueshme e zërit
  • Nevojë për të pastruar (kruajtur) fytin, me kollë irrituese
  • Ndjesia e shtypjes ose e pranisë së një trupi të huaj në nivelin e laringut (jo gjithmonë).
  • Vështirësi në gëllitije
  • Vështirësi në frymëmarrje (jo gjithmonë)

 

Kanceri i laringut: laringoskopia dhe mostra e indeve.
Kanceri i laringut: laringoskopia dhe mostra e indeve.

Diagnozën e kancerit të laringut e vendos mjeku specialist otojatër (ORL-otorinolaringolog), pas:

  • Informimit të tij lidhur me simptomat e pacientit në momentin e konsultimit, historinë e fillimit të tyre, praninë e ndonjë alergjie të mundshme, kalimin e ndonjë viroze gjatë ditëve të fundit, etj.
  • Kryerjes së laringoskopisë, që është një egzaminim që lejon vlerësimin e shkallës së lëvizshmërisë së kordave të zërit dhe eksplorimin e pjesëve të tjera të laringut.
  • Egzaminimit nga jashtë të qafës nëpërmjet prekjes (palpacioni), që mundëson evidentimin e ndonjë nyjeje limfatike të zmadhuar në këtë zonë.
  • Marrjes së materialit indor për biopsi.
  • Kryerjes së skanerit të laringut.
Kanceri i laringut: heqja e tumorit malinj.
Kanceri i laringut: heqja e tumorit malinj.

Trajtimi i kancerit të laringut konsiston në rrezatimin e jashtëm (radioterapinë), kimioterapinë (me medikamente) dhe ndërhyrjen kirurgjikale (heqjen e laringut). Shpesh nevojitet kombinimi i të tre mënyrave të mësipërme. Sa më herët të përcaktohet diagnoza e kancerit të laringut dhe të fillojë trajtimi i tij, aq më të mëdha janë mundësitë për t’u shëruar prej tij. Ecuria e kësaj sëmundjeje varet nga tipi i tumorit, lokalizimi i tij dhe përgjigja e tij ndaj trajtimit. Ashtu si edhe kanceret e tjerë, edhe ai i laringut mund të përhapet në distancë, duke lëshuar metastaza në organet e tjera (kryesisht në mushkëri).

Kanceri i laringut: Mos pirja e duhanit, konsumimi i moderuar i alkoolit e parandalon.
Kanceri i laringut: Mos pirja e duhanit, konsumimi i moderuar i alkoolit e parandalon.

Mënyra më e mirë për parandalimin e kancerit të laringut është ajo e ndërprerjes së duhanit dhe kufizimit të sasive të alkoolit. Pacientët që vazhdojnë të pijnë duhan pas një trajtimi specifik kundër kancerit të laringut, janë tepër të rrezikuar ndaj rishfaqjes së tij, për shkak se mukoza e laringut është tashmë e dëmtuar. Në raste të tilla, është e domosdoshme ndjekja e vazhdueshme nga një mjek specialist otojatër (ORL-otorinolaringolog) ose onkolog.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.