ERCP (Endoskopia e rrugëve biliare (të tëmthit), Kolangiopankreatografia retrograde endoskopike)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është ERCP?
ERCP është një radiografi me lëndë kontrasti e rrugëve të tëmthit dhe kanalit pankreatik. Ajo kryhet me ndihmën e një endoskopi të veçantë (duodenoskop), si për endoskopinë e stomakut. ERCP përdoret për të diagnostikuar dhe shpesh edhe për trajtimin e drejtpërdrejtë të sëmundjeve të rrugëve të tëmthit ose të pankreasit.
ERCP është një ekzaminim që i takon fushës së Gastro-Enterologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë para ERCP?
Për realizimin e ERCP duhet detyrimisht që pacienti të jetë esëll. Përveç kësaj, asnjë përgatitje tjetër nuk është e nevojshme.
Çfarë duhet të sqarohet përpara kryerjes së ERCP?
Për kryerjen e ERCP, nevojitet një proçes normal i mpiksjes së gjakut. Për këtë qëllim, i merret gjak pacientit për të kontrolluar nivelin e mpiksjes së gjakut. Pacientët që janë nën trajtim me medikamente për hollimin e gjakut, duhet t’i ndërpresin ato disa ditë përpara ekzaminimit ose t’i zëvendësojnë me injeksione të heparinës në bark. Për çdo rast, është mjeku ai që jep udhëzimet e nevojshme.
Si realizohet ERCP?
Ekzaminimi realizohet nën efektin e anestezisë afatshkurtër (me injeksion). Endoskopi i veçantë (duodenoskopi), si në endoskopinë e stomakut, futet nëpërmjet gojës dhe kalon përmes ezofagut dhe stomakut për të arritur në duoden, ku gjendet hapja e përbashkët e kanalit të tëmthit dhe kanalit pankreatik. Duke përdorur një sondë të hollë, dhe nën kontrollin radioskopik, lënda e kontrastit injektohet në të dy kanalet dhe në këtë mënyrë përftohen njëkohësisht pamjet radiografike. Nëse është e nevojshme, gjatë ekzaminimit mund të merret material indor për biopsi, si dhe të kryhen ndërhyrje të vogla në të njëjtën kohë. Për shembull, mund të hiqen gurët e tëmthit, mund të zgjerohen ngushtimet apo bllokimet e rrugëve të tëmthit ose pankreasit nëpërmjet vendosjes së një mbështetjeje të brendshme (stenti).
Kur duhet të kryhet një ERCP?
ERCP shërben për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të rrugëve të tëmthit dhe të kanalit pankreatik. Për këtë arsye, ajo nevojitet më shpesh në rastet që kanë çrregullime të derdhjes së tëmthit në rrugët e tij apo të pankreasit, si tumore apo gurë.
Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e ERCP janë:
- Ikteri
- Dhimbja e barkut
- Inflamacioni i kanaleve të tëmthit
- Inflamacioni i pankreasit (pankreatiti)
- Kanceri i pankreasit
- Kanceri i rrugëve të tëmthit
A paraqet ERCP ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim zakonisht bart disa rreziqe. Në raste të rralla, pas ekzaminimit ndodhin acarime të dhimbshme ose inflamacione të pankreasit, dëmtim i organeve, gjakderdhje ose infeksion. Reaksioni alergjik ndaj lëndës të kontrastit është shumë i rrallë, por i mundshëm. Herë pas here, acarimi i mukozës i shkaktuar nga pajisja e ekzaminimit mund të rezultojë në shfaqen e gjurmëve të gjakut në sekrecione, ngjirje të përkohshme të zërit ose çrregullime të gëlltitjes. Përveç kësaj, radioskopia shoqërohet me një shkallë të caktuar të ekspozimit ndaj rrezatimit.