Galaktografia
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është galaktografia?
Galaktografia është një ekzaminim i ngjashëm me mamografinë, që evidenton kanalet e gjirit nëpërmjet lëndës së kontrastit. Ky ekzaminim kryhet për të sqaruar natyrën e dyshimtë të sekrecioneve hemorragjike apo në ngjyrë kafe që dalin nga thithi i gjirit.
Galaktografia është një ekzaminim i shërbimit të Gjinekologjisë.
A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?
Meqenëse galaktografia bëhet bashkë me mamografinë, edhe parapërgatitja e pacientes është e njëjtë me atë që bëhet përpara mamografisë (shiko mamografinë).
Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?
Nuk ka nevojë për ndonjë sqarim përpara këtij ekzaminimi.
Si bëhet galaktografia?
Ekzaminimi zhvillohet ulur. Në fillim bëhet mamografia, pastaj në qendër të thithit të gjirit pozicionohet një age e hollë e cila shpon dhe zgjeron thithin, ku nëpërmjet një kanjule të hollë futet lënda e kontrastit në gjëndrat e qumështit. Kjo pasohet me një mamografi tjetër. Nën drejtimin e imazhit të mamografisë gjëndrat e qumështitmbushen, duke sugjeruar për shkakun e sekrecioneve.
Kur këshillohet të kryhet galaktografia?
Galaktografia shërben për të sqaruar natyrën e dyshimtë të sekrecioneve të thithave të gjirit. Shkaku më i zakonshëm i këtyre sekrecioneve është tumori beninj i kanalit të gjirit (papiloma intraduktale), ndërsa tumori malinj identifikohet më rrallë. Prania e sekrecioneve në të dy gjinjtë tregon çrregullime hormonale.
Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e galaktografisë janë:
- Papiloma intraduktale (tumor beninj i kanaleve të qumështit)
- Tumori malinj i kanaleve të qumështit
- Rrjedhja e sekrecioneve nga thithi i gjirit
- Çrregullimet hormonale: të prolaktinës (hormoni i qumështit), estrogjenit, progresteronit
A paraqet rreziqe apo efekte të padëshiruara kjo proçedurë?
Kjo proçedurë është pa rreziqe dhe pa dhimbje. Eksplorimi i duktuseve të qumështit dhe mamografia pasuese mund të shkaktojnë një ndjesi parehatie, por nuk janë të dhimbshme. Ekziston edhe mundësia e zhvillimit të infeksionit të duktuseve apo të gjirit, mastiti, por kjo është e rrallë. Shumë e rrallë është gjithashtu mundësia për të zhvilluar një reaksion alergjik ndaj lëndës së kontrastit. Ekspozimi ndaj rrezatimit gjatë mamografisë është tepër i ulët.