Shintigrafia e kockave (Shintigrafia e skeletit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është shintigrafia e kockave?
Shintigrafia e kockave është një ekzaminim që shërben për identifikimin e ndryshimeve patologjike të kockave. Ajo kryhet me ndihmën e një substance lehtësisht radioaktive, nga ku përftohen imazhet e kockave (një kockë e vetme ose i gjithë skeleti) duke përdorur një aparat të veçantë.
Shintigrafia e kockave është një ekzaminim i Mjekësisë bërthamore.
A kërkon ndonjë përgatitje të veçantë shintigrafia e kockave?
Një shintigrafi e kockave mund të kryhet pa asnjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet para ekzaminimit?
Para së gjithash, duhet të përjashtohet një shtatzëni e mundshme. Përveç kësaj, asnjë sqarim i veçantë paraprak nuk është i nevojshëm.
Si realizohet shintigrafia e kockave?
Për të realizuar këtë ekzaminim, në një venë të krahut injektohet një sasi e vogël e substancës lehtësisht radioaktive, e cila më pas grumbullohet në kocka. Meqë substanca thithet relativisht ngadalë nga kockat, imazhet merren me një kamera të veçantë vetëm rreth tre orë pas injektimit. Gjatë kësaj kohe, është e rëndësishme që pacienti të pijë shumë lëngje (të paktën 1 litër) për të eleminuar pjesën e substancës radioaktive që nuk thithet nga kockat. Kjo përmirëson cilësinë e imazhit. Pamjet e përftuara nga kamera shfaqen në një kompjuter si imazhe tredimensionale.
Kur përdoret shintigrafia e kockave?
Shintigrafia e kockave mund të përdoret për të zbuluar sëmundjet e kockave, thyerjet ose tumoret e kockave që nuk mund të zbulohen me metoda të tjera ekzaminuese.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e shintigrafisë së kockave janë:
- Zbulimi i thyerjeve të kockave, të kohëve të fundit ose të vjetra
- Inflamacioni i kockave ose i kyçeve
- Shkëputja ose infeksioni i protezave të kyçeve
- Dhimbjet e shpërndara të kockave dhe kyçeve
- Tumoret ose metastazat e kockave
A paraqet rreziqe ose efekte të padëshiruara shintigrafia e kockave?
Në parim, edhe pse rrallë, është i mundshëm një reaksion alergjik ndaj substancës radioaktive që injektohet. Radiografia me rreze X shkakton një ekspozim të caktuar ndaj rrezatimit. Përgjithësisht, shintigrafia e kockave nuk kryhet gjatë shtatzënisë. Nënat që ushqejnë fëmijën me gji duhet ta ndërpresin dhënien e gjirit për një periudhë të shkurtër kohore pas kryerjes së këtij ekzaminimi, sipas udhëzimeve të specialistit të Mjekësisë bërthamore.