logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Histerosalpingografia: ekzaminim radiologjik që shërben për të ekzaminuar hapësirën e mitrës dhe kalueshmërinë e tubave.
Histerosalpingografia: ekzaminim radiologjik që shërben për të ekzaminuar hapësirën e mitrës dhe kalueshmërinë e tubave.

Çfarë është Histerosalpingografia?

Histerosalpingografia ose histerografia është një radiografi me lëndë kontrasti, që shërben për të ekzaminuar hapësirën e mitrës dhe kalueshmërinë e tubave. Kryhet kryesisht në femrat që nuk mund të bëjnë fëmijë. Futja e gazit në tuba është një metodë e ngjashme ekzaminimi për të kontrolluar përshkueshmërinë e tubave. Shpesh kryhet paralelisht me histerografinë.

Histerosalpingografia është një ekzaminim radiologjik, por kryhet në bashkëpunim me një gjinekolog.

A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?

Histerosalpingografia mund të realizohet pa ndonjë përgatitje të veçantë, por duhet të kryhet gjatë gjysmës së parë të ciklit menstrual. 

Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?

Histerosalpingografia nuk ka nevojë për ndonjë sqarim paraprak të pacientit. 

Si realizohet histerosalpingografia?

Ekzaminimi zgjat rreth 10 minuta dhe kryhet në një shtrat radiolologjik, në pozicionin shtrirë në shpinë, me këmbët e ngritura të vendosura në mbajtëset e këmbëve. Gjatë ekzaminimit gjinekologjik, dezinfektohet qafa e mitrës, pastaj mbahet me një pincë të posaçme, dhe përmes saj injektohet lënda e kontrastit radiologjik në mitër. Produkti i kontrastit rrjedh nga hapësira e mitrës në të dy tubat. Nëse tubat janë normalisht të depërtueshëm, ai rrjedh pa problem nga fundi i lirë i tubave në hapësirën e barkut. Fluoroskopia bën të mundur ndjekjen e këtij kalimi dhe dokumentimin e tij në radiografi. Pas ekzaminimit, lënda e kontrastit eleminohet nga veshkat në urinë.

Gjatë kalimit në tuba, dioksidi i karbonit futet në zgavrën e mitrës dhe në tubat fallopiane përmes qafës së mitrës. 

Kur kryhet histerosalpingografia?

Histerosalpingografia përdoret kryesisht si një test diagnostik për femrat që nuk mund të bëjnë fëmijë, por mund të përdoret edhe për kontrollin e trajtimit të sterilizimit të tubave.

Arsyet më të shpeshta për histerosalpingografi janë:

  • Bllokimi i tubave
  • Anomalitë e mitrës
  • Fibromat ose polipet e mitrës
  • Ngjitjet inflamatore të tubave, endometrioza tubare
  • Kontrolli i suksesit të sterilizimit të tubave

A paraqet histerosalpingografia ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim përgjithësisht është pa dhimbje dhe mbart pak rrezik. Mbajtja e qafës së mitrës me pincë dhe injektimi i lëndës të kontrastit ndihet nga disa gra si një tërheqje e shkurtër që mund të shkojë deri në dhimbje. Pas ekzaminimit, rrallë mund të ketë gjakderdhje të lehtë ose infeksione, për shkak të dëmtimit të mukozës nga instrumentet. Reaksione të mbindjeshmërisë ndaj lëndës së kontrastit janë të mundshme, por shumë të rralla. Fluoroskopia shoqërohet me ekspozim ndaj rrezatimit. 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.