Shintigrafia e mushkërive (Shintigrafia e ajrosjes së mushkërive, Shintigrafia e furnizimit me gjak të mushkërive, Shintigrafia pulmonare)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është shintigrafia e mushkërive?
Shintigrafia e mushkërive është një ekzaminim që shërben për vlerësimin e furnizimit me gjak (perfuzionit) dhe funksionit të mushkërive. Për të kryer këtë ekzaminim, administrohet një substancë lehtësisht radioaktive, që grumbullohet në mushkëri. Më pas përftohen imazhet e mushkërive, duke përdorur një aparat të veçantë.
Shintigrafia e mushkërive është një ekzaminim i Mjekësisë bërthamore.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Shintigrafia e mushkërive mund të kryhet pa asnjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet para shintigrafisë së mushkërive?
Ky ekzaminim mund të kryhet edhe në gratë shtatzëna, por doza e substancës radioaktive në të tilla raste është më e vogël. Përveç kësaj, asnjë sqarim i veçantë paraprak nuk është i nevojshëm.
Si kryhet shintigrafia e mushkërive?
Për të vlerësuar funksionimin e mushkërive, një sasi e vogël ajri lehtësisht radioaktiv thithet në disa frymëmarrje radhazi. Në të njëjtën kohë, me ndihmën e një aparati të veçantë përftohen imazhet e mushkërive, që shfaqen në një kompjuter në formën e imazheve tre-dimensionale të ajrosjes së mushkërive (shintigrafia e ventilimit - ajrosjes). Më pas, në një venë të krahut injektohet një sasi e vogël e substancës lehtësisht radioaktive, që arrin shpejt në mushkëri nëpërmjet gjakut. Një kamera speciale regjistron dhe mundëson në kompjuter imazhe tre-dimensionale të furnizimit me gjak të mushkërive (shintigrafia e perfuzionit - furnizimit me gjak).
Kur përdoret shintigrafia e mushkërive?
Shintigrafia e mushkërive vlerëson furnizimin me gjak dhe ajrosjen e mushkërive, pra funksionimin e tyre.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e shintigrafisë së mushkërive janë:
- Embolia pulmonare, bllokimi i arterieve të mushkërive
- Planifikimi i proçedurave kirurgjikale të mushkërive, gjatë të cilave duhet të hiqen pjesët e mushkërive.
A paraqet shintigrafia e mushkërive rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Një reaksion alergjik ndaj substancës radioaktive të administruar është në parim i mundshëm, por shumë i rrallë. Radioskopia e ekspozon pacientin ndaj rrezatimit. Normalisht, shintigrafia e mushkërive nuk kryhet gjatë shtatzënisë. Sipas udhëzimeve të specialistit të Mjekësisë bërthamore, nënat që ushqejnë fëmijën me gji mund të duhet ta ndërpresin dhënien e gjirit për një kohë të shkurtër pas këtij ekzaminimi.