Flebografia (Radiografia e venave, Venografia)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është flebografia?
Flebografia është një ekzaminim radiografik i venave, që kryhet me ndihmën e një lënde kontrasti, pra është një radiografi me kontrast. Gjatë këtij ekzaminimi, me anën e rrezeve X përftohet imazhi i venave dhe valvulave, dhe në këtë mënyrë zbulohen sëmundje të caktuara të venave. Flebografia kryhet më shpesh në venat e këmbës, por mund të përdoret gjithashtu për të ekzaminuar venat e krahut, venat e legenit ose venën kava të poshtme.
Flebografia është një ekzaminim i Kirurgjisë vaskulare (të enëve të gjakut), si dhe Mjekësisë vaskulare (Flebologjisë), që është degë e Mjekësisë së brendshme.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara kryerjes së flebografisë?
Flebografia kërkon që pacienti të jetë esëll dhe të mos pijë duhan para ekzaminimit. Disa medikamente që përdoren për trajtimin e diabetit duhet të ndërpriten disa ditë para ekzaminimit, pasi kombinimi i tyre me lëndën e kontrastit që përmban jod mund të çojë në acidifikim të tepërt të gjakut. Është mjeku ai që jep udhëzimet për çdo rast.
Çfarë duhet të sqarohet përpara flebografisë?
Përpara se pacienti t’i nënshtrohet flebografisë, duhet të kryejë analiza të gjakut për vlerësimin e funksionit të veshkave dhe gjendrës tiroide, për shkak të administrimit të lëndës së kontrastit me përmbajtje të jodit.
Si realizohet flebografia?
Për ekzaminimin e venave të këmbëve,shpohet një venë në pjesën e pasme të këmbës me një gjilpërë, përmes së cilës injektohet lënda e kontrastit. Ndërsa kjo e fundit rrjedh nëpër vena drejt zemrës, realizohen radiografitë që bëjnë të dukshme venat që përmbajnë lëndën e kontrastit. Në mënyrë të ngjashme, venat e krahut ekzaminohen duke shpuar një venë në pjesën e pasme të dorës.
Kur përdoret flebografia?
Flebografia kryhet në të gjitha rastet kur dyshohet për sëmundje të venave të këmbëve ose të krahëve.
Arsyet kryesore që kërkojnë kryerjen e flebografisë janë:
- Tromboza e venave të thella të këmbëve ose e venave të legenit
- Variçet
- Keqformimet e lindura të venave
A paraqet flebografia rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim mbart pak rrezik. Gjatë injektimit të lëndës së kontrastit që përmban jod, pacienti mund të provojë një ndjesi nxehtësie në trup, por është krejtësisht e parrezikshme. Në raste të rralla, janë të mundshme reaksionet alergjike. Në shumicën e rasteve, ato manifestohen vetëm me skuqje të lëkurës, e cila zhduket pas administrimit të antidoteve me veprim të shpejtë. Reaksione të rënda alergjike, me probleme të frymëmarrjes dhe të qarkullimit të gjakut (shoku anafilaktik) janë jashtëzakonisht të rralla. Përgjithësisht, lëndët e kontrastit që përdoren sot tolerohen mirë nga pacientët.