Artrocenteza
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është artrocenteza?
Artrocenteza shërben për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të artikulacioneve. Artikulacioni shpohet (punktohet) nëpërmjet një age të hollë (kanjule), në mënyrë që nga hapësira e tij të thithet likidi sinovial ose në të të injektohet një medikament i nevojshëm për trajtim. Ky punksion mund të realizohet në të gjitha artikulacionet, por më tepër në artikulacionet e mëdha si gjuri, shpatulla ose artikulacioni koksofemoral (i legenit).
Artrocenteza ështe një ekzaminim i shërbimit të Ortopedisë dhe Reumatologjisë.
A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?
Në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për parapërgatitje të pacientit.
Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?
Përpara kryerjes së artroskopisë, pacienti duhet të informohet që:
- Në fillim bëhet një radiografi e artikulacionit që manifeston shqetësime.
- Pacientët që marrin hollues gjaku, duhet t’i ndërpresin ato disa ditë përpara ekzaminimit, ose të zëvendësohet marrja e tyre me heparinë që injektohet në bark. Çdo veprim duhet të kryhet me udhëzimin e mjekut.
Si kryhet artrocenteza?
- Shumica e proçedurave të artrocentezës mund të kryhen në një klinikë mjekësore, në mënyrë ambulatore, në kushte sterile.
- Pas dezinfektimit të lëkurës në zonën e artikulacionit, bëhet shpimi i saj me një age të hollë (kanjulë). Shpimi jep një ndjesi parehatie, ngacmuese, por nuk eshtë më e dhimbshme sesa marrja e gjakut për analiza.
- Me anë të shiringës kryhet thithja e lëngut sinovial nga hapësira e artikulacionit, e cila do të analizohet më pas në laborator për t’u përcaktuar shkaktari i sëmundjes, si psh. bakteret në rastin e infeksioneve, apo kristalet e acidit urik në rastin e artritit urik (guta). Gjithashtu, mund të injektohen medikamente analgjezike (qetësues të dhimbjeve) apo anti-inflamatore (kortizonikët)
- Pas përfundimit të proçedurës, vendi i shpimit mbyllet me një fashë apo ngjitëse.
Kur këshillohet kryerja e artrocentezës?
Artrocenteza shërben për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të kyçeve (artikulacioneve). Ky ekzaminim kryhet gjithmonë kur kyçi fryhet dhe bëhet i dhimbshëm për shkak të grumbullimit të likideve, apo pas traumave të vogla, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale apo nga shqetësime reumatizmale. Nëpërmjet thithjes së likidit të tepërt, reduktohet presioni në artikulacion, që pasohet nga lehtësimi i dhimbjeve.
Shkaqet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e artrocentezës janë:
- Dëmtimi i artikulacionit për shkak të grumbullimit të likideve: dëmtime të kartilagos (kërcit), këputje e ligamentit kruciat, dëmtim i meniskut
- Artroza
- Artriti reumatoid
- Artriti ureik (guta)
A paraqet artrocenteza rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Artrocenteza është një ekzaminim relativisht jo i rrezikshëm. Episodet e infeksioneve pas proçedurës janë të rralla, sepse shpimi i artikulacionit kryhet në kushte sterile.