logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)

Efuzioni pleural është një grumbullim i tepruar i lëngjeve në zgavrën pleurale.

Pleura është e përbërë nga dy "fletë" të holla: fleta parietale, e cila mbulon muret e brendshme të kraharorit, dhe fleta viscerale, e cila mbulon mushkëritë. Midis dy fletëve gjendet zgavra pleurale, e mbuluar nga një lëng i hollë, i cili lejon që të dy fletët të mbeten të ngjitura së bashku, ashtu si dy pllaka qelqi të lagura. Pleura lejon mushkëritë të lëvizin pa fërkime gjatë frymëmarrjes dhe të zgjerohen plotësisht gjatë frymënxjerrjes.

Në varësi nga shkaku i tij, efuzioni pleural mund të jetë i ndryshëm: i pasur me proteina (i turbullt) ose me ujë (i pastër). Por gjithashtu mund të përmbajë qeliza (në rast infektimi bakterial) ose gjak (në rast të traumës). Këto ndryshime janë tepër të dobishme për mjekun, në përcaktimin e shkakut të efuzionit pleural.

Efuzioni pleural: grumbullim i lëngjeve midis pleurës dhe lëkurës së mushkërive.
Efuzioni pleural: grumbullim i lëngjeve midis pleurës dhe lëkurës së mushkërive.

Efuzioni pleural i referohet një grumbullimi të tepruar të lëngjeve në zgavrën pleurale, që gjendet midis fletës parietale dhe fletës viscerale, pra dy fletëve të pleurës. Në mënyrë të veçantë, lëngu grumbullohet ndërmjet mushkërive dhe murit të brendshëm të kraharorit, domethënë përreth mushkërive. Efuzioni pleural nuk duhet të ngatërrohet me "ujin në mushkëri" (edemën pulmonare), një fenomen në të cilin lëngu grumbullohet në mushkëri. Për shkak të gravitetit, uji grumbullohet në bazën e mushkërive, pra në pjesën e poshtme të gjoksit.

Shkaqet e zakonshme të efuzionit pleural janë dështimi i punës së zemrës (insufiçienca kardiake), pneumonia ose pleuriti, cirroza e mëlçisë, traumat ose kanceri. Në disa raste, shkaku mbetet i paqartë. Në çdo rast me efuzion pleural, gjithmonë duhet të trajtohet fillimisht sëmundja kryesore, që e ka shkaktuar. Në rast të vështirësisë në fryrmëmarrje, lëngu zbrazet nëpërmjet punksionit, për të lehtësuar frymëmarrjen.

Efuzioni pleural mund të ketë një sërë shkaqesh të ndryshme. 

Të tilla janë:

Efuzionet e vogla pleurale shpesh nuk shkaktojnë probleme. Kur janë të rëndësishme, ato shkaktojnë ngushtim të hapësirës për mushkëritë dhe kështu shfaqet dispnea (vështirësia në frymëmarrje).

  • Frymëthithje e vështirësuar, sepse mushkëritë nuk mund të relaksohen dhe të mbushen me ajër mjaftueshëm
  • Shtimi i dispnesë
  • Simptoma të tjera në varësi nga shkaku: p.sh. dhimbje gjoksi, ethe ose kollë.

Diagnoza e efuzionit pleural vendoset nga mjeku duke u bazuar tek:

  • Informimi i mjekut mbi ankesat e pacientit (simptomat)
  • Ekzaminimi fizik i pacientit: efuzionet e mëdha mund të zbulohen nga mjeku nëpërmjet perkusionit dhe auskultacionit të mushkërive
  • Radiografia e kraharorit 
  • Ekzaminimi ekografik i pleurës
  • Skaneri i kraharorit (CT torakal): një paraqitje më e saktë e strukturave të indeve dhe efuzionit, p.sh. është e mundur të zbulohet prania e metastazave në nivelin e pleurës
  • Punksioni pleural: me anë të një shiringë merret një kampion nga lëngu pleural, për t’u analizuar më pas në laborator.
  • Torakoskopia, për marrjen e mostrave të indeve (biopsia) në rastet kur nuk është përcaktuar shkaku i efuzionit pleural, si psh. në rastin e metastazave pleurale.

Në rastin e efuzionit pleural, e para duhet të trajtohet gjithmonë sëmundja kryesore (nëse është e mundur). Në rastin e dispnesë, lëngu mund të evakuohet nga jashtë me anë të një punksioni ose drenimi, në mënyrë që të lehtësohet frymëmarrja.

  • Punksioni pleural: në rastin e efuzioneve të lehta pleurale, mjeku mund të kryejë punksione të përsëritura nën efektin e anestezisë lokale, me një gjilpërë të hollë, me qëllim që të evakuojë lëngun.
  • Drenazhi i kraharorit: nëse sasitë e lëngut janë të mëdha, ose kur lëngu rigrumbullohet me shpejtësi, kryhet ndërhyrja e drenimit, përmes të cilës lëngu mund të pompohet vazhdimisht nëpër një tub, madje edhe për disa ditë.
  • Drenazhi mund të përdoret gjithashtu edhe për të futur medikamente në zgavrën pleurale, p.sh. lavazh me solucion fiziologjik (ujë me kripë), antibiotikë, antifungalë ose medikamente të kimioterapisë.
  • Pleurodeza: në rastet e efuzioneve pleurale të përsëritura, dy shtresat e pleurës ngjiten bashkë me ndihmën e disa substancave (p.sh. pudër). Në këtë mënyrë pengohet rimbushja me lëng e zgavrës pleurale.
  • Ndërhyrja kirurgjikale: në disa raste është e nevojshme heqja e pjesshme ose e plotë e pleurës. Sot kjo kryhet shpesh nëpërmjet torakoskopisë, nganjëherë edhe me torakotomi (hapja e kraharorit me një prerje të madhe të lëkurës).

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.