Kanceri i prostatës (Karcinoma Prostatike)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Kanceri karakterizohet nga një shtim i pakontrollueshëm dhe, për pasojë, i pafrenueshëm i qelizave, që përfshin dhe shkatërron indet dhe organet që ndodhen përreth.
Kanceri i prostatës është kanceri më i shpeshtë tek meshkujt, duke u renditur i dyti për nga shkalla e vdekshmërisë, pas kancerit të mushkërive. Shpeshtësia e tij rritet me kalimin e moshës. Një në çdo 10 meshkuj preken nga kanceri i prostatës, ndërkohë që një në çdo 30 meshkuj vdesin prej tij në botë.
Ende nuk janë identifikuar plotësisht shkaktarët e kësaj sëmundjeje. Është mjaft e rëndësishme njohja e disa faktorëve që ndikojnë në shfaqjen e tij. Këta njihen si faktorë të rrezikut dhe janë:
- Mosha
- Trashëgimia familjare (nëse ka qenë i prekur një i afërm i shkallës së parë, rreziku rritet trefish; nëse kanë qenë të prekur dy të afërm të shkallës së parë, rreziku rritet dhjetëfish).
- Mënyra e ushqyerjes (domatet dhe soja e ulin rrezikun e shfaqjes së kancerit të prostatës, ndërsa konsumimi i shpeshtë dhe në sasi të mëdha i mishit të kuq dhe yndyrnave me origjinë shtazore e rrit këtë rrezik).
- Raca: afro-amerikanët janë më të rrezikuar, ndërsa aziatikët janë më të mbrojtur sesa raca e bardhë nga shfaqja e kësaj sëmundjeje.
Është mjaft e rëndësishme të dihet që kanceri i prostatës nuk jep asnjë shqetësim në stadet e para, ndryshe nga hipertrofia beninje e prostatës (zmadhimi i prostatës me natyrë të mirë). Rrallë mund të ndodhë që shenja e parë e sëmundjes të jenë dhimbjet në shpinë, si pasojë e përhapjes së sëmundjes në shtyllën kurrizore (metastazat kockore).
- Sa më herët të diagnostikohet, aq më të mëdha janë mundësitë për t`u shëruar plotësisht nga kanceri i prostatës.
- Metoda më e mirë për të kapur sa më herët një kancer të prostatës është kombinimi dy proçedurave: përcaktimi i nivelit në gjak të antigenit specifik të prostatës (PSA), dhe palpacionit (prekjes) të prostatës nëpërmjet rrugës anale (futjes së dorës së mjekut nga anusi). Proçedura e fundit emërtohet tushe rektale.
- Nëse vlerat e PSA rezultojnë brenda kufijve të normës dhe tushe rektale rezulton normale (me përmasa normale të prostatës në prekje), mundësia e pranisë së një kanceri prostatik është shumë e vogël.
- Nëse tushé rektale rezulton pozitive dhe vlera e PSA mbi 4 ng/dl, duhet të kryhen egzaminime shtesë.
- Dy proçedurat e sipërpërmendura ngrejnë dyshimin për praninë e kancerit të prostatës, por ato nuk mjaftojnë për vënien e diagnozës së tij. Për këtë nevojitet kryerja e biopsisë, pas marrjes së materialit për egzaminim mikroskopik të indit prostatik.
- Në rastet kur diagnoza e kancerit të prostatës konfirmohet nëpërmjet biopsisë, rekomandohet kryerja e egzaminimeve të tjera të tipit radiologjik, që mundësojnë evidentimin e metastazave të mundshme kockore. Këto egzaminime janë: skaneri, radiografia dhe shintigrafia e kockave.
- Zonat më të prekura nga metastazat e kancerit të prostatës janë nyjet limfatike, mushkëritë dhe kockat.
Zgjedhja e mënyrës së trajtimit përshtatet në varësi të pacientit, pasi ajo varet nga faktorë të ndryshëm, si: mosha e pacientit, stadi i zhvillimit të sëmundjes dhe agresiviteti i tumorit.
Trajtimi i kancerit të prostatës lidhet drejtpërdrejt me shkallën e përhapjes së sëmundjes. Kështu, ai është i ndryshëm, nëse tumori është i kufizuar vetëm në prostatë, nëse ai është përhapur në indet përreth, apo nëse ai ka përfshirë organet në distancë (metastazat).
Kanceri i prostatës i kufizuar
Nëse tumori është plotësisht i kufizuar në prostatë, është i mundur shërimi i tij. Mënyrat e trajtimit në këtë rast janë:
- Operacioni: konsiston në heqjen radikale të prostatës, që nuk duhet të ngatërrohet me heqjen e prostatës në rastin e hipertrofisë beninje të prostatës (zmadhimit të prostatës me natyrë të mirë). Heqja radikale nënkupton heqjen e plotë të prostatës, të kanaleve dhe vezikulave seminale. Qëllimi i kësaj proçedure është pastrimi sa më i plotë dhe i thellë i indit prostatik të prekur nga kanceri.
- Radioterapia (rrezatimi i jashtëm)
Kujdes: rekomandohet vetëm tek meshkujt me kancer pak agresiv.
Duhet theksuar që, pas operacionit ose rrezatimit, pacientët mund të shfaqin pamundësi për të kontrolluar urinimin dhe çrregullime të ereksionit.
Kanceri i prostatës i përhapur në organet përreth
Shërimi i kancerit të prostatës është i pamundur në stadin kur ai ka përfshirë indet përreth ose organet në distancë prej tij (metastazat). Mënyrat e trajtimit në këtë rast janë:
- Trajtimi paliativ (qetësues i dhimbjeve): konsiston në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacienit.
- Trajtimi hormonal: konsiston në bllokimin e prodhimit ose të veprimit të testosteronit (hormonit seksual mashkullor).
- Heqja me rrugë kirurgjikale e të dy testikujve.
Trajtimi hormonal ose heqja e testikujve mund të shoqërohet me efekte të padëshiruara, si: ulje e dëshirës për marrëdhënie seksuale, afshe të nxehta dhe osteoporozë.
Efikasiteti i trajtimit hormonal përgjithësisht ulet pas një periudhe 10 vjeçare (0,5-10 vjet). Në këtë stad kanceri cilësohet si rezistent ndaj terapisë hormonale. Për pasojë, rekomandohet marrja në konsideratë e mënyrave të tjera të trajtimit, si: rrezatimi, marrja e qetësuesve, trajtimi me medikamente i metastazave në distancë dhe kimioterapia.
Paraqitja tek mjeku specialist urolog e të gjithë meshkujve, çdo një ose dy vjet, për të kryer egzaminimin depistues për kancerin e prostatës. Ky egzaminim konsiston në vlerësimin e madhësisë së prostatës nëpërmjet tushésë rektale (si më sipër) dhe dozimit në gjak të PSA.
Kush mund të përfitojë nga një egzaminim depistues?
- Meshkujt mbi 50 vjeç
- Meshkujt mbi 45 vjeç, me faktorë predispozues (trashëgimia, raca, etj.)
- Egzaminimi depistues nuk është i rekomandueshëm pas moshës 75 vjeç, pasi në këtë kontigjent pacientësh shpresa për të jetuar është përgjithësisht më e vogël se 10 vjet, ndërkohë që përfitimi nga trajtimi i kancerit të prostatës konstatohet vetëm pas 10 vjetësh, pikërisht atëherë kur rritja e tumorit ngadalësohet.
- Egzaminimi depistues duhet të shoqërohet me egzaminimet shtesë, në të gjitha rastet e dyshimta për kancer të prostatës.