Shintigrafia
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është shintigrafia?
Shintigrafia është një ekzaminim i mjekësisë bërthamore me anë të të cilit, me ndihmën e substancave radioaktive, vlerësohet funksionimi i organeve të ndryshme, gjë që bën të mundur zbulimin e çrregullimeve funksionale ose sëmundje të ndryshme.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Në përgjithësi, asnjë përgatitje nuk është e nevojshme përpara një shintigrafie. Për shintigrafinë e zemrës këshillohet që pacienti të jetë esëll. Medikamentet që merren për sëmundjet e gjendrës tiroide mund të duhet të ndërpriten përpara shintigrafisë së tiroides. Është mjeku ai që jep udhëzimet përkatëse, sipas rastit.
Çfarë duhet të sqarohet para shintigrafisë?
Përpara kryerjes së një shintigrafie duhet të përjashtohet një shtatzëni e mundshme.
Si realizohet shintigrafia?
Gjatë ekzaminimit, injektohet një sasi e vogël e një substance lehtësisht radioaktive, më shpesh në një venë të krahut. Kjo substancë grumbullohet në organin ose në indin që do të vlerësohet. Pastaj, duke përdorur një aparat të veçantë, në një monitor përftohen pamjet e dukshme në tre dimensione.
Kur përdoret shintigrafia?
Shintigrafia shpesh përdoret për organet e mëposhtme:
- Gjendra tiroide: shintigrafia e tiroides
- Zemra: shintigrafia e zemrës
- Truri: shintigrafia e trurit
- Kockat: shintigrafia e kockave
- Mushkëritë: shintigrafia e mushkërive
- Veshkat: shintigrafia e veshkave
A paraqet shintigrafia rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Përgjithësisht, ky ekzaminim paraqet pak rrezik. Një reaksion alergjik ndaj substancës radioaktive të injektuar në venë është parimisht i mundur, por shumë i rrallë. Për shkak të përdorimit të rrezeve X, ekziston një ekspozim i caktuar ndaj rrezatimit. Shintigrafia nuk duhet të kryhet gjatë shtatzënisë. Nënat që ushqejnë fëmijën me gji mund të duhet ta ndërpresë dhënien e gjirit për një kohë të shkurtër, sipas udhëzimeve të mjekut specialist.