Kanceri i fshikëzës urinare
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Kanceri i fshikëzës urinare karakterizohet nga zhvillimi i një tumori malinj (të rrezikshëm) në nivelin e mukozës (pjesës së brendshme) së saj. Tumoret e fshikëzës urinare dhe të veshkave paraqesin simptoma vetëm në stade relativisht të avancuara. Ato shpesh konstatohen rastësisht, gjatë ekografisë së barkut ose të aparatit urinar. Tek meshkujt ky tip i kancerit renditet i treti, pas kancerit të mushkërive dhe kancerit të prostatës.

Shkaqet e sakta të kancerit të fshikëzës urinare nuk njihen ende plotësisht. Gjithsesi, zhvillimi i tij favorizohet nga disa faktorë të jashtëm, që konsiderohen faktorë të rrezikut lidhur me shfaqjen e kësaj sëmundjeje.
Faktorët e rrezikut
- Lëndët kimike, si psh. ato që përdoren në industrinë e naftës, të plastikës dhe të ngjyruesve
- Arseniku
- Duhani
- Përdorimi në sasi të mëdha i medikamenteve antialgjike (kundër dhimbjes)
- Inflamacioni kronik i fshikëzës urinare (cistiti kronik)
- Kohët e fundit, diskutohet për një lidhje të mundshme ndërmjet ngjyrës së flokëve dhe kancerit të fshikëzës urinare.

Ashtu si edhe për pjesën më të madhe të tumoreve malinje, edhe në rastin e kancerit të fshikëzës urinare nuk ekzistojnë simptoma tepër specifike. Si simptomë e parë shpesh shërben shfaqja e gjakut në urinë.
Simptomat në një stad të avancuar:
- Prania e gjakut në urinë
- Djegie të forta gjatë urinimit
- Mosmbajtje e urinës (urinime të detyrueshme)
- Dhimbje në fund të barkut

Për vendosjen e diagnozës së kancerit të fshikëzës urinare, janë të nevojshme:
- Informimi i mjekut lidhur me simptomat e pacientit
- Cistoskopia (ekzaminimi endoskopik i fshikëzës së urinës)
- Ekografia e aparatit urinar
- Skaneri (tomodensitometria) dhe radiografia e rrugëve urinare
- Rezonanca magnetike (MRI)

Tumoret, pavarësisht organit ku ato zhvillohen, duhet të hiqen me rrugë kirurgjikale. Në rastin e kancerit të fshikëzës së urinës, nëse janë prekur veshkat ose gjendrat limfatike më të afërta, duhet të hiqen edhe ato bashkë me fshikëzën. Në raste të tilla, pra kur duhet të hiqet e gjithë fshikëza urinare, realizohet një stomë (lidhje), që mundëson nxjerrjen e urinës në një qese.
Gjithashtu, në këto raste mund të kryhet edhe zëvendësimi i fshikëzës urinare me ind intestinal (të zorrës). Nëse kanceri i rrugëve urinare kapet në stade të hershme, ai mund të shërohet nëpërmjet heqjes kirurgjikale, radioterapisë (rrezatimit) dhe medikamenteve.