logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sëmundja Scheuermann: harkim nga jashtë i shtyllës kurrizore.
Sëmundja Scheuermann: harkim nga jashtë i shtyllës kurrizore.

Sëmundja Scheuermann është një hiperkifozë (harkim i theksuar nga jashtë) progresive në pjesën e kraharorit të shtyllës kurrizore, e lidhur me rritjen.

Gjatë pubertetit, shpesh manifestohen çrregullime të rritjes në nivelin e trupave të vertebrave, të shoqëruara me ngushtim të zonës së diskut ndërmjet vertebrave, ku vertebrat bëhen kuneiforme (në formën e pykës) dhe zhvillohet harkimi i theksuar nga jashtë (kifoza) i tyre. Për ta kompensuar këtë, shpesh formohet një harkim i theksuar nga brenda (hiperlordozë) në pjesën e belit (lumbare) të shtyllës kurrizore. Sëmundja Scheuermann është një nga sëmundjet kryesore të vertebrave. Ajo është më e shpeshtë tek meshkujt se tek femrat.

Zhvillimi i sëmundjes ndalon në fund të rritjes, por dëmtimet e shkaktuara në nivelin e kërceve dhe vertebrave mbeten dhe janë të parikthyeshme. Pozicionet (qëndrimet) e papërshtatshme, por të detyruara, dhe hapësira e zvogëluar ndërmjet trupave të vertebrave shkaktojnë dhimbje dhe probleme të mëdha në moshën e rritur.

 

Sëmundja Scheuermann ka shkaqe të ndryshme, që ndikojnë dhe përforcojnë njëri-tjetrin në mënyrë reciproke. Ata grupohen në faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, ku më kryesorët janë:

  • Çrregullimet e rritjes nga mosha 11-17 vjeç: gjatë kësaj periudhe, shtylla kurrizore është veçanërisht e prirur për çrregullime të ndryshme të zhvillimit. Trupat e vertebrave rriten më tepër në pjesën e pasme se në atë të përparme, duke e theksuar kështu harkimin nga jashtë (gungëzimin) e pjesës së kraharorit të shtyllës kurrizore. Përveç kësaj, mbetjet e diskut ndërvertebror depozitohen në trupat ndërvetrtebrore, duke zvogëluar në këtë mënyrë hapësirën e e diskut. Për pasojë, mbingarkesat e drejta dhe të vogla në nivelin e lidhjeve ndërvertebrore shkaktojnë dhimbje në nivelin e shpinës.
  • Ngarkesa e tepruar, në rastet e qëndrimit në pozicionin e përkulur.

Në fillim, sëmundja Scheuermann nuk është e dhimbshme. Ndonjëherë, ajo manifestohet me kufizime të lëvizshmërisë dhe një lodhje të shpejtë fizike

Në vazhdim, zhvillohet një lakim i theksuar (hiperkifozë) në nivelin e pjesës së kraharorit të shtyllës kurrizore. Për ta kompensuar këtë, pjesa e belit (lumbare) e shtyllës kurrizore përkulet, pra lakohet nga brenda. Në këtë stad, dhimbjet janë më të shpeshta dhe rezistenca ulet gjithnjë e më shumë. Shpesh, muskulatura e shpinës është e tendosur.

Stadi i fundit karakterizohet nga deformimi i shtyllës kurrizore dhe pozicioni (qëndrimi) i detyruar i përkulur (i kërrusur). Shfaqen dhimbje të forta. 

Gjithsesi, harkimet e dukshme të shtyllës kurrizore në radiografi nuk janë domosdoshmërisht të shoqëruara me dhimbje ose me kufizime të shprehura të lëvizshmërisë. Madje, harkimet më të lehta dhe pozicionet më pak problematike shkaktojnë ndonjëherë dhimbje më të forta.

Sëmundja Scheuermann: radiografia e pjesës së kraharorit të shtyllës kurrizore.
Sëmundja Scheuermann: radiografia e pjesës së kraharorit të shtyllës kurrizore.

Diagnoza e sëmundjes Scheuermann vendoset nga mjeku specialist ortoped, duke u bazuar në:

  • Historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit
  • Qëndrimin (pozicionin) e detyruar të përkulur të pacientit.
  • Radiografitë e shtyllës kurrizore, që lejojnë të vendoset diagnoza përfundimtare.
  • Analizat laboratorike, me qëllim që të përjashtohet çdo sëmundje tjetër, veçanërisht sëmundjet reumatizmale.

 

Sëmundja Scheuermann: trajnim special për shpinën.
Sëmundja Scheuermann: trajnim special për shpinën.

Qëlllimi i trajtimit në sëmundjen Scheuermann është të lehtësojë shtyllën kurrizore dhe për pasojë, të lehtësojë dhimbjet dhe të përmirësojë pozicionin e trupit. Për këtë rekomandohen:

Trajtimi konservator (pa kirurgji)

Nëse rritja nuk ka përfunduar, muskulatura aktive e barkut dhe e shpinës lejon të drejtohet dhe të shtrihet kifoza. Gjithsesi, kjo masë është efikase vetëm para përfundimit të rritjes. Një trajtim më pasiv konsiston në mbajtjen e korsesë ose të një mbështetëseje specifike prej allçie, që lejon drejtimin e shtyllës kurrizore. Tek i rrituri, në plan të parë është stabilizimi i muskujve.

Masa të tjera që mund të jenë të dobishme:

 

Masat e përgjithshme

Pacientët e diagnostikuar me sindromën Scheuermann duhet të zbatojnë këto masa të përgjithshme:

  • Përshtatja e profesionit: ndërrimi i shpeshtë i pozicionit gjatë orarit të punës, duke evituar qëndrimin në pozicionin ulur, me shpinë të harkuar për disa orë me radhë.
  • Përshtatja e sporteve: rekomandohen sporte që nuk shkaktojnë goditje, hedhje ose rrëzime, të tilla si noti, gjimnastika, ecja e shpejtë, kanotazhi, peshëngritja, etj.
  • Përshtatja e mjedisit të punës, me karrige, tavolina dhe dysheme të përshtatshme.

 

Operacionet

Drejtimi i shtyllës kurrizore me rrugë kirurgjikale rekomandohet vetëm në rastet ekstreme, me harkim të shpinës mbi 70°, dhe në prani të dhimbjeve të forta, që i rezistojnë trajtimit konservator.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.