Gishti çekan (Gishti kthetër)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Gishti çekan ose gishti kthetër karakterizohet nga deformimi i pjesës fundore të njërit gisht të këmbës, i cili është i drejtuar për nga lart.
Në këtë rast, falangu (kocka e parë e gishtit përkatës të këmbës) është tepër i shtrirë, duke shkaktuar përkuljen e dy falangave të tjera të gishtit. Këto dy deformime hasen shpesh të shoqëruara me anomali të tjera të këmbës, të tilla si haluks valgus ose këmba e shtrirë (e sheshtë). Gishti çekan është më i shpeshtë se gishti kthetër.
Predispozita gjenetike (trashëgimia) e lidhur me zakone të tilla, si përdorimi i këpucëve të papërshtatshme, favorizon zhvillimin e kësaj sëmundjeje.
- Shkaku më i shpeshtë i gishtit çekan ose gishtit kthetër është përdorimi i këpucëve tepër të ngushta dhe me taka të larta, i shoqëruar me predispozitën gjenetike për të shfaqur këto anomali në këmbë.
- Disa sëmundje neurologjike, të tilla si paralizat spastike, që mund të shkaktojnë deformime të këmbës.
- Traumat e muskujve ose të nervave të kërcirit ose të këmbës.
- Sëmundjet inflamatore të këmbës, si poliatriti reumatoid.
- Forcimi i indit cikatricial (në zonën e një plage të mbyllur).
- Sëmundja Sudek, që përfaqëson dëmtime të indeve pas një traume të tyre.
Gishti çekan ose gishti kthetër karakterizohet nga:
- Probleme të rëndësishme estetike
- Dhimbje në nivelin e gishtit të deformuar
- Inflamacioni i kallove të këmbëve ose zonave të tyre që gjenden më tepër nën shtypje, që manifestohet me skuqje, dhimbje dhe nxehtësi lokale.
- Kur deformimi i gishtit egziston prej kohësh, gishti mund të pësojë zhvendosje (luksacion), duke e humbur plotësisht funksionin e tij.

Diagnostikimi i gishtit çekan ose gishtit kthetër bëhet nga mjeku specialist ortoped, pa patur nevojë për egzaminime të tjera shtesë. Specialisti duhet vetëm të egzaminojë këmbën me kujdes, për të evidentuar zonat që gjenden nën shtypje, apo praninë e kallove në të. Radiografia e këmbës e ndihmon mjekun të përcaktojë pozicionin e saktë të sipërfaqeve të kyçeve dhe të vlerësojë shkallën e deformimit të tyre.

Në varësi të shkallës së deformimit të gishtit, trajtimi i gishtit çekan ose kthetër mund të jetë konservator (jo kirurgjikal) ose kirurgjikal.
Trajtimi konservator (jo kirurgjikal)
Në parim, pacienti fillimisht i nënshtrohet trajtimit konservator. Meqenëse ai nuk është gjithmonë efikas, në mjaft raste është e paevitueshme ndërhyrja kirurgjikale.
Mënyrat e trajtimit konservator janë:
- Korrigjimi i deformimeve të mëparshme (paraekzistuese), si këmba e shtrirë, këmba e harkuar, etj.
- Lirimi i pikave që gjenden nën shtypje, nga sandalet apo këpucët e papërshtatshme, përdorimi i thembrave.
- Kujdesi për këmbët
- Gjimnastika e gishtave
Operacionet
Operacioni lejon të korrigjohet deformimi dhe të parandalohet rishfaqja e tij. Për këtë qëllim përdoren disa teknika kirurgjikale, të cilat konsistojnë në korrigjimin e deformimit të boshtit të gishtit.
Në vazhdim, duhet të përshtaten në mënyrë progresive tendinet (që lidhin muskulin me kockën) me pozicionin e ri të gishtit.
Pas operacionit, gishti duhet të mbahet në pozicion të palëvizur për një periudhë 2 javore. Pas kësaj periudhe, ai mund të përdoret përsëri normalisht