Ngushtimi i uretrës (Stenoza e uretrës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Uretra fillon në nivelin e pjesës së poshtme të fshikëzës urinare dhe përfundon mbi prepucium (lafshën e organit seksual mashkullor) tek meshkujt dhe në vaginë tek femrat.
Në të dy sekset ajo lejon eleminimin e urinës. Tek meshkujt kryen edhe funksionin e transportimit të spermës. Tek femrat, uretra është shumë më e shkurtër (deri në 4 cm), ndërkohë që tek meshkujt është rreth 20 cm. Për këtë arsye, femra është më e e ekspozuar ndaj rrezikut për infeksione të fshikëzës së urinës, sepse bakteriet mund ta prekin më lehtë dhe më shpejt atë.
Ngushtimi i uretrës përfaqëson një sëmundje beninje, me shkaqe të ndryshme.
Shkaqet e ngushtimit të uretrës mund të mbeten shpesh të paqarta. Gjithsesi, shkaqet më të shpeshta të saj janë:
- Infeksioni i rrugëve urinare, si psh. nga gonorrea.
- Infeksioni i prepuciumit (lafshës së organit seksual mashkullor)
- Tumoret e uretrës
- Aksidentet, veçanërisht traumat e rënda në zonën e legenit.
- Proçedurat teknike, si ato endoskopike, vendosja e kateterëve urinarë dhe disa praktika seksuale me trupa të huaj. Këto të fundit mund të çojnë në formimin e cikatriceve dhe për pasojë edhe në ngushtimin e uretrës.
- Pas heqjes së plotë të prostatës ose të operacioneve të tjera të aparatit urinar.
Pacienti me ngushtim të uretrës paraqet simptoma të shumta, të cilat e orientojnë mjekun për vendosjen e diagnozës. Ndër simptomat kryesore përmendim:
- Vështirësinë për të urinuar, që mund të arrijë deri në mbajtje të urinës (pamundësi për të urinuar), që përbën një urgjencë mjekësore
- Çurgu i urinës është shumë i hollë, me ndërprerje dhe në formë spirali, me pika pas urinimit.
- Prania e urinës reziduale (të mbetur) në fshikëzën e urinës, si pasojë e pengesës në rrjedhjen e saj. Kjo shkakton inflamacion shoqërues të fshikëzës (cistit).
- Ndjesia e djegies gjatë urinimit
- Prania e gjakut në urinë

Në egzaminimet diagnostikuese të ngushtimit të uretrës përfshihen:
- Informimi i mjekut lidhur me simptomat e pacientit, episode të kaluara infeksionesh ose traumash.
- Analiza e urinës
- Egzaminimi ekografik, që lejon të evidentohet prania e urinës reziduale (të mbetur në fshikëzën e urinës) dhe të vlerësohet gjendja e fshikëzës urinare
- Radiografia e uretrës me lëndë kontrasti (uretrografia).
- Egzaminimi endoskopik i uretrës (uretroskopia)

Ngushtimi i uretrës duhet të konsultohet domosdoshmërisht nga një mjek specialist urolog. Në rastet e pranisë së infeksionit, ai duhet të trajtohet me antibiotikë në mënyrë korrekte.
Operacionet
Trajtimi kirurgjikal endoskopik
Konsiston në futjen e një instrumenti optik në uretër, që realizon zgjerimin e saj, nëpërmjet një sonde të thjeshtë ose të një sonde lazeri. Më pas, vendoset një kateter për daljen e urinës, që mbahet për disa ditë. Kjo proçedurë kryhet nën efektin e anestezisë lokale ose të përgjithshme. Përgjithësisht ky trajtim është i mjaftueshëm në pjesën më të madhe të rasteve me ngushtim të vetëm ose të thjeshtë të uretrës.
Ndërhyrja kirurgjikale e hapur
Kjo metodë përdoret në rastet me ngushtim të përsëritur të uretrës, ose kur ajo është më e avancuar (jo e thjeshtë). Ajo konsiston në heqjen e pjesës së ngushtuar të uretrës, nëpërmjet një prerjeje në nivelin e penisit (organit të jashtëm mashkullor) që mbulohet nga ind i ri. Ky i fundit përgjithësisht merret nga prepuciumi (lafsha e organit seksual mashkullor) ose mukoza e gojës. Pas ndërhyrjes,në fshikëzën e urinës vendoset një sondë, e cila mbahet për rreth 2 javë, deri në shërimin e plagës.
Duhet treguar kujdes i veçantë për rastet që kanë tumore, pasi ato mund ta bllokojnë plotësisht uretrën. Në këto raste trajtimi varet nga tipi i tumorit.
Në përgjithësi, ndërhyrjet kirurgjikale nuk shoqërohen nga ndërlikime, pra nuk shkaktojnë as mosmbajtje të urinës dhe as impotencë. Në raste të rralla mund të jetë e nevojshme përsëritja e operacionit.
Në rast të ngushtimit të uretrës prej shumë kohësh dhe të patrajtuar, mund të shfaqet dobësimi i muskujve të fshikëzës së urinës. Në këto raste mund të shfaqet lëshimi i fshikëzës, formimi i xhepave në të ose i gurëve të saj.
Pasoja të tjera të mundshme janë: infeksionet e rrugëve urinare, inflamacioni i epididimit (epididimiti), hidronefroza (grumbullimi i urinës në veshka), insuficienca renale kronike me pakësim të madhësisë së veshkës.