Edema pulmonare (Edema e mushkërive, Fryrja e mushkërive)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Edema pulmonare akute karakterizohet nga grumbullimi i lëngjeve në mushkëri. Shpesh është dytësore, pra pasojë e problemeve të tjera mjekësore, të tilla si dështimi i punës së zemrës (insufiçienca kardiake) ose sëmundjet e veshkave.
Në fazën fillestare përfshihet vetëm indi lidhor i mushkërive, ndërkohë që
alveolat e mushkërive mbeten të lira. Në një fazë të mëvonshme, përmbyten edhe
alveolat nga plazma e tepërt.
Simptoma
kryesore e edemës pulmonare është vështirësia në frymëmarrje. Në mushkëri,
mjekët dëgjojnë me stetoskop zhurma karakteristike të quajtura rale kërcitëse.
Edema pulmonare akute është një emergjencë mjekësore që kërkon menaxhim të
menjëhershëm.
Dështimi i punës së zemrës, kryesisht i anës së majtë të saj, është shkaku kryesor i edemës pulmonare akute. Në këtë rast, barkushja e majtë nuk është më në gjendje të pompojë siç duhet dhe të nxjerrë gjak të mjaftueshëm me oksigjen në aortë.
Për këtë arsye, gjaku bllokohet në qarkullimin mushkëror, duke kontribuar në rritjen e presionit në enët mushkërore. Si rezultat i kësaj rritjeje të presionit, alveolat e mushkërive pushtohen nga plazma e gjakut që ka kaluar nëpër muret e enëve të vogla të mushkërive.
Faktorë të tjerë të lidhur me zemrën:
- Infarkti i miokardit
- Presioni i lartë i gjakut (HTA) kronik
- Mosfunksionimi i valvulave të zemrës (valvula aortale ose valvula mitrale)
- Çrregullimet e ritmit të zemrës
- Inflamacioni i muskujve të zemrës
Faktorë të tjerë
- Sëmundjet e veshkave (dështimi i punës së veshkave)
- Hipervolemia nga transfuzioni i një vëllimi të madh të gjakut në rastet e gjakderdhjeve
- Djegiet e rëndësishme
- Gazet toksike (klori, amoniaku, oksidi i azotit, gazrat e zjarrit), që shkaktojnë edemën pulmonare "toksike"
- Reaksionet e rënda alergjike (shoku anafilaktik)
- Infeksioni pulmonar (pneumonia)
- Ngjitja shumë e shpejtë në male (shihni edemën pulmonare të lartësisë, sëmundja e lartësisë)

Edema pulmonare shpesh fillon natën, me një kollë irrituese dhe një frymëmarrje të vështirësuar.
Në formën e rëndë karakterizohet nga:
- Vështirësi shumë e madhe në frymëmarrje
- Prania në auskultacion e raleve të thata, të quajtura kërcitëse
- Kollë e fortë, e shoqëruar nganjëherë me gëlbazë me bulëza gazi, me ngjyrë rozë, që është karakteristike
- Shenjat e gjendjes së shokut me përshpejtimin e rrahjeve të zemrës dhe të pulsit
- Ngjyrosja në blu e buzëve për shkak të mungesës së oksigjenit (cianozë)

Tabloja klinike e permendur më sipër i lejon mjekut të bëjë diagnozën e edemës pulmonare akute.
Gjatë auskultacionit (dëgjimit me stetoskop) të mushkërive, mjeku dëgjon zhurma karakteristike të quajtura rale kërcitëse (krepitante).
Radiografia e kraharorit tregon grumbullimin e lëngjeve në mushkëri.
Analiza e gazrave të gjakut zbulon mungesën e madhe të oksigjenit.
Ekzaminime të tjera diagnostikuese
- Historia e hollësishme mjekësore e pacientit, lidhur me probleme të mëparshme mjekësore, si problemet e zemrës, sëmundjet e veshkave, infeksionet e mushkërive, ambienti i punës (ekspozimi ndaj pluhurit ose gazit), historia mjekësore familjare
- EKG: elektrokardiograma jep informacion mbi aritmitë e mundshme të zemrës ose histori të mëparshme të infarktit të miokardit
- Ekokardiografia (ekografia e zemrës)
Analizat laboratorike
- Testet e funksionit të veshkave

Edema pulmonare akute është një emergjencë mjekësore, që kërkon trajtim të menjëhershëm mjekësor.
Masat e përgjithshme
- Ngritja e kokës dhe kraharorit të pacientit lehtëson frymëmarrjen
- Administrimi i oksigjenit me përqëndrim të lartë dhe, në raste të rënda, ventilimi i asistuar (intubimi)
- Në raste të edemës pulmonare nga lartësia: furnizimi me oksigjen dhe zbritja në lartësi të ulët
Medikamentet
Trajtimi varet nga shkaku i edemës pulmonare:
- Në rast të dështimit të punës së zemrës së majtë: administrimi i barnave që lehtësojnë zemrën (nitratet, frenuesit e enzimave të konvertimit dhe beta-bllokuesit) dhe medikamentet diuretike (shkarkuesit)
- Medikamente për uljen e presionit të gjakut
- Në rast të alergjisë ose dehidratimit, administrimi i kortizonit
- Në rast të pneumonisë, administrimi i antibiotikëve
- Në rastet e dështimit të punës së veshkave, mund të nevojitet përdorimi i dializës
- Administrimi i qetësuesve për të lehtësuar ankthin dhe irritimin
Në rast të një trajtimi të përshtatshëm, edema pulmonare mund të kontrollohet brenda pak orësh. Në mungesë të trajtimit ose në rast të trajtimit jo korrekt, pacienti mund të humbasë jetën nga asfiksia.
Edema pulmonare mund të ndërlikohet me pneumoni.