Periartriti skapulo-humeral (Ngrirja e shpatullës, Periartriti i shpatullës, Shpatulla e ngrirë)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Periartriti skapulo-humeral është një term që përmbledh një numër të madh dëmtimesh degjeneruese të shpatullës (scapula) dhe krahut (humerusi).
Periartriti është një inflamacion i dhimbshëm i indeve të buta, tendineve dhe ligamenteve, që vendoset rreth shpatullës.
Inflamacioni i artikulacionit (kyçit) të shpatullës është një sëmundje e shpeshtë, që prek përgjithësisht në mënyrë të menjëhershme personat në një moshë relativisht të madhe. Shenja tipike e tij është pakësimi i papritur dhe i dhimbshëm i aftësisë për të lëvizur shpatullën. Kjo situatë shkaktohet nga ngurtësimi i shpatullës, prandaj njihet edhe si “shpatulla e ngrirë”.
Shkaqet e kësaj sëmundjeje janë të shumta dhe jo gjithmonë të qarta. Çdo ndryshim i tendineve, ligamenteve, muskujve apo kockave të artikulacionit të shpatullës mund të çojë në një ngurtësim të dhimbshëm të kësaj të fundit. Shkaqet kryesore të dhimbjeve mund të jenë goditjet ose problemet e vetë artikulacionit (artroza).
Faktorët e mëposhtëm mund të shkaktojnë ulje të dhimbshme të aftësisë për të lëvizur shpatullën:
- Inflamacioni i tendineve (tendiniti)
- Dëmtimi i tendineve (çarja, këputja)
- Kalcifikimi i këllëfit të tendineve
- Dëmtimi i muskujve/tendineve në nivelin ndërmjet kokës së artkulacionit dhe akromionit (maja e shpatullës).
- Çarja e tendineve ose muskujve që mundësojnë lëvizjet rrotulluese, të cilat lejojnë lëvizjet e shpatullës në të gjitha drejtimet.
- Dëmtimi i pjesës së gjatë të bicepsit (muskulit që realizon përkuljen e krahut)
- Frakturat ose shembjet pas një traume
Shenja tipike e një periartriti të shpatullës është ulja (aktive ose pasive) e aftësisë për të lëvizur shpatullën, e shoqëruar nga dhimbjet në krah dhe në shpatull. Problemet e muskujve rrotullues shkaktojnë simptomat karakteristike të mëposhtme:
- "Harku i dhimbshëm", pra dhimbje të forta gjatë hapjes së krahut nga 40° në 150°.
- Dhimbjet zhduken kur krahu shtrihet drejt dhe lart. Në pamje të parë, shpatulla mund të jetë e enjtur dhe e nxehtë.
- Dhimbjet që shfaqen natën, kur personi kthehet ose mbështetet mbi shpatull, tregojnë më tepër për një problem të artikulacionit (artrozë).

Për diagnostikimin e periartritit skapulo-humeral, janë të nevojshme:
- Informimi i mjekut specialist ortoped lidhur me simptomat e pacientit, dhe me aksidente të ndodhura në të kaluarën.
- Egzaminimi trupor, i shoqëruar me ushtrime provokuese (aktive dhe passive) të shpatullës, për konstatimin e harkut të dhimbshëm
- Radiografia
- Ekografia
- Skaneri (CT)
- Rezonanca magnetike
- Artroskopia, që lejon në të njëjtën kohë korrigjimin e dëmtimeve të vogla, duke evituar operacionin me plagë të hapur.

Në pjesën më të madhe të rasteve është e mjaftueshme terapia konservatore, pra vetëm me medikamente. Sa më herët të fillojë kjo terapi, aq më të mira do të jenë rezultatet e saj.
Ngrirja e thjeshtë (parësore) e shpatullës, pa shkaqe të tjera të dukshme, përgjithësisht shërohet vetë, brenda një periudhe nga disa muaj në disa vjet. Në rastet e inflamacioneve kronike dhe të artrozave, trajtimi mund të jetë ekstremisht i gjatë, veçanërisht nëse terapia ka filluar në stade të vonshme të sëmundjes.
Medikamentet
Medikamentet e nevojshme në këtë rast janë:
- Analgjezikët (kundër dhimbjes)
- Anti-inflamatorët, të shoqëruar nga një medikament antireumatizmal (kundër reumatizmës).
- Medikamentet përdoren përgjithësisht në formën e pilulave. Rrallë mund të injektohen direkt në shpatull, pikërisht në rastet kur nevojitet njëkohësisht edhe punksioni (zbrazja) e lëngut të grumbulluar, edhe injeksioni i medikamentit që lufton inflamacionin shoqërues.
Operacionet
Nëse pas 6 muajsh trajtimi me medikamente nuk ka dhënë rezultat, kryhet artroskopia, që po bëhet gjithnjë dhe më e përdorshme në ditët e sotme, sepse eviton operacionet e panevojshme (me hapje të jashtme).Në rastin e dëmtimeve të rënda të muskujve dhe tendineve, ose të ngushtimit të hapësirave kockore, është i paevitueshëm operacioni me hapje të jashtme.
Masat fizike
Në asnjë rast me periartrit skapulo-humeral, shpatulla nuk duhet të mbingarkohet ose të bëjë lëvizje të sforcuara. Në rastin e dhimbjeve të forta, mund të jetë e nevojshme të kryhet anestezia lokale para trajtimit.
Seanca të tjera të nevojshme:
- Trajtimi me proçedura të ngrohta/të ftohta (e ftohta në fazën akute, e ngrohta në vazhdim)
- Elektroterapia
- Radioterapia me dozë minimale
- Akupunktura (jo gjithmonë është efikase në rastin e periartritit skapulo-humeral).