Herpes Zoster (Herpes Zona)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Herpesi karakterizohet nga një skuqje, shpesh shumë e dhimbshme, që shkaktohet nga riaktivizimi i virusit varicella zoster (lija e dhenve). Kontakti i parë me virusin është përgjegjës për shfaqjen e varicelës.
Të dyja sëmundjet - herpesi dhe varicela- janë shumë ngjitëse, sidomos tek individët e moshuar ose ata me imunitet të dobësuar.
Kur trajtimi i duhur fillohet brenda disa orësh nga fillimi i simptomave, sëmundja zakonisht shërohet pa ndonjë pasojë brënda disa javësh.
- Herpesi gjithmonë paraprihet nga një tjetër infeksion, varicela. Virusi i varicella-zoster qëndron për shumë vite në gjendje qetësie, joaktive, në nivelin e ganglioneve nervore.
- Shfaqja e herpesit mund të jetë tregues i dobësimit të mbrojtjes trupore. Për pasojë, ai haset tek pacientët me SIDA, pacientët me kancer ose pacientët e trajtuar me kimioterapi.
- Gjithashtu, edhe faktorë të tjerë si gripi, stresi ose ekspozimi i gjatë në diell të fortë mund të shkaktojnë herpes.

- Shenja e parë e riaktivizimit të virusit të varicelës është shfaqja e një ndjesie djegieje përgjatë rrugëve nervore, e cila është shumë karakteristike për herpesin. Djegia shoqërohet me çrregullime të ndjeshmërisë dhe me dhimbje të forta, që e marrin origjinën nga shtylla kurrizore dhe përhapen drejt kafazit të kraharorit (sternumit).
- Pacienti ndihet i sëmurë, me ethe dhe enjtje të nyjeve limfatike.
- Elemetët e lëkurës, karakteristike për sëmundjen, shfaqen pas 3 ditësh: fshikëza të vogla të skuqura, që ngjanë me ato të varicelës. Këto elemente mund të shfaqen kudo në trup (në kraharor, kokë, të ndenjura), por janë të shtrira në një zonë nervore të veçantë, relativisht të kufizuara mirë dhe shfaqen vetëm në njërën gjysmë të trupit.
- Pika kulmore arrihet pas 5 ditësh: fshikëzat plasin dhe zëvendësohen gradualisht nga koret, të cilat bien pas 2-3 javësh.
- Dhimbja mund të vazhdojë ose të rishfaqet pas disa javësh, madje edhe muajsh. Kjo dhimbje quhet post-herpetike, shfaqet kryesisht tek personat e moshuar, dhe mund të zgjasë me vite.

Trajtimi i duhur duhet të fillohet sa më shpejt që të jetë e mundur, për të shmangur rezultatet negative dhe shfaqjen e ndërlikimeve. Medikamentet virostatike (kundër virusit) e lehtësojnë shpejt dhimbjen dhe skuqjen. Gjithashtu, mund të jetë i dobishëm edhe aplikimi lokal i pudrës dhe solucioneve specifike. Pas trajtimit, rrallë shfaqen ndërlikime të sëmundjes.
Për shkak të shkallës së lartë të ngjitshmërisë, një pacient me herpes zoster nuk duhet të shkojë tek mjeku, por mjeku duhet ta vizitojë atë në shtëpi.
Shumica e rasteve me herpes nuk zhvillojnë ndërlikime. Pas fillimit të trajtimit, herpesi shërohet për rreth një muaj. Tek të moshuarit, dhimbja mund të vazhdojë për muaj apo vite pas shërimit të elementëve të lëkurës. Kjo njihet si neuralgjia post-herpetike.
Pasoja të tjera
- Shenjat (cikatricet) në lëkurë. Ato mund të formohen edhe në korne dhe të zvogëlojnë aftësinë e pamjes.
- Prekja e nervave të kafkës mund të shkaktojë çrregullime të dëgjimit, paraliza të muskujve të fytyrës apo humbjen e shijes.
- Në disa pacientë mund të preket truri, cipat e trurit (meningjet), palca e kurrizit; mund të ndodhë edhe paraliza e diafragmës.
- Tek individët me dobësim të sistemit imunitar ose nën terapi që frenojnë imunitetin, dëmtimet mund të shtrihen në të gjithë sipërfaqen e trupit (herpes zoster i përgjithshëm). Kjo situatë mund ta rrezikojë jetën e pacientit.
- Nevralgjia post-herpetike është shumë e dhimbshme dhe është e ngjashme me "goditjen me thika".
- Lezionet mund të largohen nga zonat me më shumë pigment (ngjyrë kafe), ose me më pak pigment (ngjyrë e bardhë).