Cistografia retrograde (Radiografia e rrugëve urinare, Uretrocistografia retrograde dhe e urinimit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është cistografia retrograde?
Cistografia retrograde është një radiografi me lëndë kontrasti, që shërben për vlerësimin e pjesës së poshtme të aparatit urinar, pra të ureterëve, fshikëzës urinare dhe uretrës. Gjatë ekzaminimit, një lëndë kontrasti futet drejtpërdrejt në traktin urinar të poshtëm me anë të një kateteri që futet në uretër, proçes që pasohet nga kryerja e radiografive. Kjo proçedurë kryesisht ndihmon në identifikimin e problemeve që çrregullojnë rrjedhjen e urinës. Urografia e urinimit (ekskretore) është një proçedurë e ngjashme me cistografinë retrograde.
Cistografia retrograde është një ekzaminim i Urologjisë.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatije të veçantë paraprake?
Cistografia retrograde nuk kërkon që pacienti të jetë esëll, përveç rasteve kur kryhet nën efektin e anestezisë.
Në disa raste pacientit duhet t’i jepet një laksativ (nxitës i jashtëqitjes) ose një medikament për fryrjen e barkut, në mënyrë që sistemi urinar të mos mbulohet nga ansat e zorrëve të fryra. Gjithashtu, një ditë më parë nuk duhet të konsumohen ushqime dhe/ose pije që favorizojnë fryrjen e barkut.
Është e nevojshme kryerja e analizave të gjakut për të kontrolluar funksionin e veshkave dhe funksionin e tiroides (për shkak të përdorimit të lëndëve të kontrastit).
Çfarë duhet të sqarohet para cistografisë retrograde ?
Gjatë ekzaminimit paraprak, kërkohet për kufizime të mundshme që kundërshtojnë përdorimin e lëndëve të kontrastit, si:
- Alergjia ndaj lëndëve të kontrastit
- Sëmundjet e veshkave me dëmtim të funksionit të tyre
- Marrja e medikamenteve specifike të diabetit, sepse kombinimi me lëndën e kontrastit të jodizuar mund të çojë në gjendjen e acidozës (acidifikimin e tepërt të gjakut).
- Hipertireoza (lëndët e kontrastit të jodizuara mund ta përkeqësojnë prodhimin e tepërt të gjendrës tiroide)
- Shtatzënia
Si realizohet cistografia retrograde?
Fillimisht, një kateter futet në uretër, dhe më pas mbërrin në vendin që do të ekzaminohet (ureterët, fshikëza urinare ose uretra) nën kontrollin e vazhdueshëm në monitor. Ky kateter më pas bën të mundur futjen e një lënde të kontrastit me përmbajtje jodi dhe realizimin e radiografive, në të cilat bëhet i dukshëm aparati urinar i mbushur me lëndë kontrasti.
Kur përdoret cistografia retrograde?
Ekzaminimi përdoret kryesisht për të diagnostikuar çrregullimet e rrjedhjes së urinës në rrugët urinare të poshtme (ureterët, fshikëza urinare, uretra).
Arsyet më të shpeshta për kryerjen e cistografisë retrograde janë:
- Çrregullimet e rrjedhjes së urinës: gurët, ngushtimi i ureterëve, tumoret, zmadhimi i prostatës
- Keqformimet e lindura të aparatit urinar
- Para çdo shpërbërjeje të gurëve, nevojitet kryerja e cistografisë retrograde ose urografisë së urinimit (ekskretore)
A paraqet rreziqe ose efekte të padëshiruara cistografia retrograde?
- Në përgjithësi, ky ekzaminim bart pak rreziqe. Në raste të rralla mund të ndodhin reaksione alergjike ndaj lëndës së kontrastit. Aktualisht lëndët e kontrastit që përdoren tolerohen përgjithësisht mirë.
- Ndonjëherë, pacienti mund të ketë gjakderdhje nga uretra ose gjurmë të gjakut në urinë dhe dhimbje gjatë urinimit, si pasojë e acarimit të mukozës për shkak të futjes së kateterit. Në rast se dhimbja ose gjakderdhja shtohet, pacienti duhet të konsultohet menjëherë me një mjek.
- Jashtëzakonisht të rralla janë dëmtimet serioze të uretrës ose fshikëzës urinare, që kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
- Cistiti (inflamacioni i fshikëzës urinare) i rëndë febril është gjithashtu shumë i rrallë, pasi ekzaminimi kryhet në kushte sterile.