logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Përcaktohet si dhimbje gjenitale persistente apo e herëpashershme gjatë ose pas marrëdhënieve seksuale. Mund të ndodhë për shumë arësye, nga problemet strukturore deri në ato funksionale. 

Shkaqet fizike të marrëdhënieve të dhimbshme janë të ndryshme, në varësi të faktit nëse dhimbja ndodh gjatë hyrjes së penisit apo në shtyrjen e thellë. Faktorët emocionalë mund të shoqërojnë dispareunitë e ndryshme.

Dhimbja gjatë hyrjes së penisit

  • Lubrifikimi i pamjaftueshëm: ndodh si rezultat i një loje parapërgatitore jo të mjaftueshme, mund të jetë pasojë e rënies estrogjenike pas menopauzës ose gjatë periudhës së ushqyerjes me gji. Gjithashtu, disa lloj medikamentesh japin rënie të dëshirës seksuale apo eksitimit, duke ulur lubrifikimin. Të tilla janë antidepresantët, medikamentet për presionin e lartë, qetësuesit, antihistaminikët dhe disa nga pilulat kontraceptive.
  • Dëmtimet, traumat apo irrritimet: prej ndërhyrjeve kirurgjikale pelvike, episiotomisë gjatë lindjes, apo anomalive kongenitale (të lindura).
  • Inflamacionet, infeksionet apo çrregullimet e lekurës: infeksione të zonave gjenitale apo të aparatit urinar mund të jenë shkaktarë për marrëdhënie të dhimbshme. Si të tilla përmendim ekzemën apo dermatitin e lëkurës labiale.
  • Vaginizmi: spazmat e pavullnetshme të muskujve të vaginës mund ta bëjnë të dhimbshëm penetrimin.

Dhimbja e thellë

  • Disa gjendje apo sëmundje, si endometrioza, sëmundjet inflamatore pelvike, prolapsi uterin, uterusi në retrovertio, fibromioma uterine, cistiti, sindromi i zorrës së irritueshme, hemorroidet dhe kistet e vezores.
  • Trajtimet kirurgjikale apo mjekësore: aderenca prej ndërhyrjeve kirurgjikale të pjesës pelvike bëhet shkak për marrëdhënie të dhimbshme. Në të njëjtën kohë terapi të tilla si kimioterapia apo radioterapia mund të sjellin ndryshime në organet pelvike, që bëhen burim i dhimbjes.

Faktori emocional

  • Problemet psikologjike, si ankthi, depresioni, shqetësimi për pamjen fizike, frika nga intimiteti apo problemet në lidhje, mund të japin një ulje te dëshirës seksuale, dhe si rrjedhim akte seksuale të dhimbshme,
  • Stresi: Muskulatura e dyshemesë pelvike bëhet rigide në përgjigje të stresit, çka ndikon në dhimbjet gjatë aktit.
  • Historitë e abuzimit seksual

Shpesh është e vështirë të tregohet nëse faktorët psikologjikë janë shoqërues të dispareunisë. Dhimbja fillestare mund të çojë në frikën e kthimit të dhimbjes, duke sjellë akoma më shumë dhimbje.

Dispareunia karakterizohet nga këto simptoma:

  • Dhimbje vetëm gjatë penetrimit sekusal (në hyrje)
  • Dhimbje gjatë çdo penetrimi, madje edhe gjatë vendosjes së tamponit.
  • Dhimbje me një partner të caktuar, apo në rrethana të caktuara
  • Dhimbje e re pas marrëdhënieve të padhimbshme më parë
  • Dhimbje e thellë
  • Dhimbje djegëse apo therëse

Për vendosjen e diagnozës së dispareunisë, është e rëndësishme: 

  • Marrja e kujdesshme e historikut të sëmundjes, lidhur me kohën e fillimit të dhimbjeve, atë çka ndjen pacientja, nëse kjo dhimbje është me çdo partner dhe në çdo pozicion apo në pozicione të caktuara dhe me partnerë të veçantë.
  • Egzaminimi pelvik. gjatë të cilit gruaja vlerësohet për irritime të lëkurës, prani të infeksioneve apo të problemeve anatomike në vendin e dhimbjes.
  • Testet shtesë, si ekografia pelvike për të evidentuar probleme të brendshme, tamponi për florën bakteriale, vaginale dhe cervikale (të qafës së mitrës).

Mjekimi I dispareunisë varet nga shkaktari i dhimbjes.

Nëse shkaktari rezulton një infeksion gjenital, mjekimi i tij do të sjellë përmirësimin e dhimbjes. Në rast të medikamenteve për sëmundje të tjera, ndryshimi i tyre përsëri sjell përmirësim të dispareunisë. Në gratë pas menopauzës, trajtimi me estrogjen dhe lubrifikueslokalisht është primar në trajtimin e dhimbjes.

  • Terapia desensibilizuese: përfshin ushtrime relakusese vaginale (ushtrimet Kegel) apo teknika te tjera, që bëjnë të mundur uljen e dhimbjes gjatë marrëdhenieve.
  • Terapia dhe këshillimi seksual: në rast se marrëdhënia seksuale ka qenë e dhimbshme për një kohë të gjatë, gruaja mund të ketë një përgjigje emocionale negative ndaj stimulimit seksual edhe pas trajtimit. Kjo terapi mund të ndihmojë edhe në përmiresimin e komunikimit apo marrëdhënies me partnerin.
  • Ndryshimi i pozicioneve gjatë seksit: Gjatë penetrimit, penisi mund të shtyjë qafën e mitrës dhe të stresojë muskujt pelvike, duke shkaktruar dhimbje të fortë e të mprehtë ose krampe në fund te barkut. Në të tilla raste, duke ndryshuar pozicionin mund të evitohet kjo dhimbje, dhe më e përshtatshme është vendosja e gruas ne pozicion sipër, duke bërë të mundur që gruaja mund të kontrollojë thellësinë e penetrimit.
  • Komunikimi: duke folur me partnerin për mënyrën e realizimit të marrëdhënies, përgatitjen dhe pozicionet e përshtatshme.
  • Merr kohën e nevojshme: sa më e zgjatur faza përgatitore, aq më shumë stimulohet femra për një lubrifikim natyral, duke lejuar një penetrim të plotë.
  • Përdorimi i lubrifikantëve, masazheve sensuale, masturbimeve të njëkohëshme.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...