logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Kanceri i penisit: një tumor i rrallë por malinj.
Kanceri i penisit: një tumor i rrallë por malinj.
Kanceri i penisit është një tumor malinj i rrallë i penisit, që më shpesh shfaqet në brendësi të lafshës dhe më rrallë në trupin e penisit. Kanceri i penisit rritet shumë ngadalë dhe shkakton ankesa vetëm në stade të vonshme. Edhe pse shpesh ka simptoma në fillim, shumë meshkuj të prekur shkojnë tek mjeku shumë vonë, nga turpi ose frika.

E rëndësishme: simptomat e tij, siç janë ndryshimet e lëkurës ose shfaqja e një kokrre të fortë tek koka ose tek lafsha e penisit, si dhe sekrecionet ose gjakderdhja nga penisi, duhet të merren gjithmonë seriozisht. Sa më parë të diagnostikohet dhe trajtohet, aq më e mirë është perspektiva e tumorit dhe mirëmbajtja e penisit.

Kanceri i penisit është shumë i rrallë dhe prek kryesisht meshkujt e moshuar, zakonisht rreth moshës 60 vjeç. Është jashtëzakonisht i rrallë para moshës 40 vjeç. Meshkujt e bërë synet nuk zhvillojnë pothuajse kurrë kancer të penisit.
Shkaqet e sakta të kancerit të penisit nuk dihen. Sidoqoftë, ekzistojnë disa faktorë rreziku, që nxisin shfaqjen e kancerit të penisit:
  • Higjiena e keqe intime: kanceri i penisit është më i zakonshëm në vendet me higjenë të keqe. Mungesa e higjienës shkakton formimin e një sekrecioni nën lafshë, me inflamacion kronik, që nxit zhvillimin e kancerit të penisit.
  • Fimoza: çon në higjienë të keqe gjenitale, me pasojat e përmendura.
  • Infeksionet nga HPV: disa lloje të virusit papiloma humane, që janë seksualisht të transmetueshme (llojet HPV 16 dhe 18), mund të shkaktojnë kancer të penisit. Këto konsiderohen gjithashtu edhe shkaktarë të kancerit të anusit ose, tek gratë, të kancerit të qafës së mitrës.
  • Lythat në penis
  • Duhanpirja
  • Drita e diellit, rrezatimi ultravjollcë.
Në fillim, kanceri i penisit nuk shkakton simptoma, përfshirë edhe dhimbjen. Ndryshimet tipike të lëkurës shfaqen vetëm më vonë, por shpesh konsiderohen si inflamacion lokal i lafshës së penisit. Këto variojnë nga zona të kuqërremta të lëkurës, kruarje osesekrecione e deri tek rritjet në formë lulelakre. Gjithashtu e mundur është edhe shfaqja e gjakderdhjes nga penisi. Në disa raste, ënjtja e nyjeve limfatike në ijë mund të tregojë kancer të penisit.
Nëse dyshohet për kancer të penisit, së pari bëhet një ekzaminim fizik me një kontroll të penisit dhe zonës së dyshimtë, dhe me palpim të nyjeve limfatike inguinale (në rrëzën e kofshës). Një diagnozë e besueshme është e mundur vetëm duke ekzaminuar një mostër të indeve nga zona e dyshuar nën mikroskop.

Nëse diagnoza e kancerit të penisit është konfirmuar, nevojiten ekzaminime imazherike për të parë nëse kanceri është përhapur në të gjithë trupin. 
Këtu përfshihen: 
Nëse dyshohet përhapje e kancerit në mushkëri (metastaza të mushkërive), kryhen edhe ekzaminime me rreze X të mushkërive.
Nëse dyshohet për metastaza kockore, bëhet shintigrafi e skeletit (skanimi i kockave).
Sa më herët të diagnostikohet një kancer i penisit, aq më e mirë do të jetë përgjigja e tij ndaj trajtimit. Në shumicën e rasteve, tumori hiqet me rrugë kirurgjikale. Në disa raste, rrezatimi mund të përdoret si një alternativë e operacionit, por nivelet e suksesit janë më të ulëta. Terapia me lazer është gjithashtu e mundur për tumore shumë të vogla dhe sipërfaqësore. Në kancerin e avancuar të penisit, kimioterapia dhe/ose rrezatimi kryhen gjithmonë pas operacionit.

Qëllimi kryesor i operacionit është heqja plotësisht e tumorit malinj, gjithmonë duke u përpjekur të ruhet penisi sa më shumë që të jetë e mundur. Në varësi të vendndodhjes, madhësisë dhe thellësisë së tumorit, operacioni varion nga prerja e thjeshtë ose rrethprerja e lafshës deri tek prerja e pjesshme e penisit ose prerja e plotëe tij me formimin e një daljeje të re uretrale. Nëse ka shenja të përfshirjes së nyjeve limfatike ose kancer të përparuar të penisit, duhet të hiqen edhe nyjet limfatike inguinale dhe ndoshta nyjet limfatike të legenit.

Kujdesi i mëtejshëm

Ekzaminimet vijuese kanë një rëndësi të madhe për çdo kancer, në mënyrë që të identifikojnë dhe trajtojnë çdo rikthim ose shfaqje të metastazave në një fazë të hershme. Mjeku rregullon llojin dhe fushën e ekzaminimeve vijuese në situatën individuale.

Pas kancerit të penisit, rajoni i penisit dhe ijëve kontrollohet çdo tre muaj për 2 vjet rresht, dhe më pas çdo 2 vjet, me anë të ekzaminimit fizik (palpacionit lokal) dhe ekzaminimit me ultratinguj. Përveç kësaj, çdo gjashtë muaj kryhet një skaner i legenit dhe barkut. Nga viti i 5-të, një kontroll vijues duhet të bëhet të paktën një herë në vit.
Meqenëse shkaqet e kancerit të penisit nuk dihen, nuk ka asnjë mënyrë të drejtpërdrejtë për t'i parandaluar ato. Prandaj masat janë të rëndësishme për të shmangur faktorët e njohur të rrezikut. 
Këtu përfshihen:
  • Higjiena e mirë intime, veçanërisht pastrimi i penisit nën lafshë
  • Djemtë e rinj duhet të përdorin gjithmonë prezervativë gjatë marrëdhënieve seksuale për t'u mbrojtur kundër HPV dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.
  • Korrigjimi i hershëm i fimosis (ngushtimi i lafshës)
  • Rrethprerja: kanceri i penisit pothuajse kurrë nuk ndodh tek burrat e rrethprerë, kështu që rrethprerja gjatë fëmijërisë është masa më efektive parandaluese.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.