Ekokardiografia transezofageale (Ekografia e zemrës nga ezofagu, EKTE)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është ekokardiografia transezofageale?
Ekokardiografia transezofageale është një ekzaminim me ultratinguj (ekografi) i zemrës nga ezofagu, i cili kalon prapa zemrës. Ajo ofron imazhe më të detajuara se ekokardiografia (ekografia e zemrës) normale nga jashtë, sepse valët e ultratingujve në ezofag janë më afër zemrës. Ky ekzaminim bën të mundur vlerësimin më të mirë të strukturave të caktuara të zemrës, të tilla si valvulat dhe atriumet.
Ekografia transezofageale është një ekzaminim kardiologjik.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë para ekzaminimit?
Për të kryer ekokardiografinë transezofageale pacienti duhet të jetë esëll, që do të thotë se nuk duhet të ketë konsumuar asnjë ushqim 6 orët e fundit. Protezat e lëvizshme të dhëmbëve duhet të hiqen para ekzaminimit.
Çfarë duhet të sqarohet para ekokardiografisë transezofageale?
Përpara kryerjes së ekokardiografisë transezofageale, mjeku e pyet pacientin për praninë e mundshme të alergjive ose intolerancave ndaj medikamenteve të ndryshme. Ky sqarim është i nevojshëm, sepse para ekzaminimit bëhet një injeksion qetësues, për të evituar ndjenjën e parehatisë tek pacienti. Përveç këtij, nuk është i nevojshëm asnjë sqarim tjetër.
Si realizohet ekokardiografia transezofageale?
Ky ekzaminim kryhet me pacientin në pozicionin shtrirë në anën e majtë. Faringu mpihet me një sprai, për të pakësuar refleksin e të përzierit. Përveç kësaj, pacientit i bëhet edhe një injeksion qetësues. Më pas, mjeku fut në ezofag nëpërmjet gojës, një tub të përkulshëm, në fund të të cilit gjendet koka me ultratinguj. Kjo e fundit mund të drejtohet në të gjitha drejtimet. Në këtë mënyrë mjeku mund të vëzhgojë në një ekran të gjitha zonat e zemrës dhe t’i matë ato. Ekzaminimi zgjat rreth 15 minuta. Më pas, pacienti qëndron për rreth 2 orë nën vëzhgim, derisa efekti i qetësuesit të largohet krejtësisht.
Kur përdoret ekokardiografia transezofageale?
Krahasuar me ekokardiografinë klasike, ekokardiografia transezofageale bën të mundur evidentimin më të qartë të strukturave të caktuara të zemrës, të tilla si valvulat ose atriumet.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e ekokardiografisë transezofageale janë:
- Inflamacioni i endokardit, endokarditi
- Sëmundjet e valvulave të zemrës
- Trombi i gjakut në atrium, tromboza atriale
- Tumori i atriumit
- Sëmundjet e aortës, p.sh. aneurizma e aortës
A paraqet ekokardiografia transezofageale rreziqe ose efekte negative?
Përgjithësisht, ky ekzaminim mbart pak rrezik. Dëmtimet në gojë, faring ose ezofag gjatë futjes së tubit janë shumë të rralla. Reaksionet e mbindjeshmërisë ndaj qetësuesit janë të mundura në raste të alergjive që nuk dihen as nga vetë pacienti.