Ekzaminimi i prostatës (Palpacioni i prostatës, Prekja e prostatës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është ekzaminimi i prostatës?
Ekzaminimi i prostatës është një proçedurë mjekësore, gjatë së cilës sipërfaqja e prostatës (gjëndra e prostatës) palpohet (preket) me gishtin tregues që futet nëpërmjet rektumit (pjesës fundore të zorrës së trashë). Ky ekzaminim bën të mundur vlerësimin e madhësisë dhe fortësisë së prostatës, dhe vlerëson nëse ka hipertrofi beninje të prostatës ose shenja të kancerit të prostatës. Ekzaminimi i prostatës nëpërmjet palpacionit plotësohet me testin e PSA.
Ekzaminimi i prostatës i takon fushës së Urologjisë, Mjekësisë së përgjithshme dhe Mjekësisë së brendshme.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Ekzaminimi i prostatës mund të kryhet pa asnjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet para ekzaminimit?
Asgjë e veçantë nuk duhet të sqarohet para ekzaminimit të prostatës.
Si kryhet një ekzaminim i prostatës?
Palpacioni i prostatës përmes rektumit është një ekzaminim i thjeshtë, që zgjat më pak se 1 minutë.
- Pacienti shtrihet në njërën anë në një tavolinë ekzaminimi, me këmbët e mbledhura.
- Duke përdorur doreza me një përdorim, mjeku fut me shumë kujdes në rektum, nëpërmjet anusit, gishtin tregues të lyer paraprakisht me një xhel lubrifikues.
- Palpohet (preket) rektumi me gisht, me lëvizje rrethore për të zbuluar anomali të mundshme të tij (shih: Tushe rektale).
- Pastaj, preket prostata për të evidentuar ndryshime të mundshme patologjike të saj.
- Nëse ekzaminimi i prostatës tregon ndonjë anomali të prostatës, ose PSA del e lartë, nevojiten ekzaminime të tjera për vlerësim të mëtejshëm (ekografia e prostatës, biopsia e prostatës).
Kur nevojitet ekzaminimi i prostatës?
Palpacioni i prostatës konsiderohet treguesi i parë i një ndryshimi të mundshëm në prostatë, dhe shërben për të parandaluar kancerin e prostatës. Nga mosha 45 vjeçare, meshkujt duhet të konsultohen një herë në vit nga mjeku specialist urolog, për ekzaminimin e prostatës.
Arsyet e zakonshme për kryerjen e ekzaminimit të prostatës janë:
- Inflamacioni i prostatës (prostatiti)
- Hipertrofia beninje e prostatës
- Parandalimi i kancerit të prostatës tek meshkujt, zbulimi i kancerit të prostatës
- Pakësimi i urinimit
A paraqet ekzaminimi i prostatës rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është i sigurt. Megjithëse shpesh perceptohet si i dhimbshëm dhe i pakëndshëm, zakonisht nuk është i dhimbshëm. Dhimbjet janë të mundshme vetëm në rast të inflamacionit të prostatës.