Punksioni i kordonit të kërthizës së fetusit (Kordocenteza, Shpimi i kordonit të kërthizës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është punksioni i kordonit të kërthizës?
Në fillim të shtatzënisë, punksioni (shpimi) i kordonit të kërthizës së fetusit përdoret për diagnostikimin e sëmundjeve të caktuara të fetusit (fëmija pas 3-mujorit të parë të shtatzënisë), siç janë anemia, infeksionet prenatale (para lindjes), rubeola, toksoplazmoza ose papajtueshmëria e grupit të gjakut midis nënës dhe fëmijës (kur nëna është Rezus negative dhe fëmija Rezus pozitiv). Përveç kësaj, mund të zbulohen anomali kromozomike të trashëguara, kryesisht sindromi Down, që është relativisht i shpeshtë. Gjithashtu, ky ekzaminim mundëson që fëmijës t'i jepen medikamente ose t’i bëhen transfuzione të gjakut drejtpërdrejt në rastin e anemisë. Punksioni i kordonit të kërthizës mund të kryhet duke filluar nga java e 20-të e shtatzënisë.
Punksioni i kordonit të kërthizës është një ekzaminim i fushës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, që kryhet për qëllime parandaluese tek gratë shtatzëna, për zbulimin e diagnozave prenatale.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara kryerjes së këtij ekzaminimi?
Punksioni i kordonit të kërthizës mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?
- Konsultimi i hollësishëm me mjekun specialist lidhur me proçedurën e ekzaminimit, si dhe me kufizimet dhe rreziqet e ekzaminimit.
- Përpara ekzaminimit kryhet gjithmonë një ekografi e detajuar e fetusit.
- Nga këndvështrimi ligjor, nuk ekziston asnjë detyrim për të kryer ekzaminimin prenatal. Gratë shtatzëna kanë të drejtë «të mos dinë» dhe mund ta refuzojnë ekzaminimin e propozuar. Ndërprerja e shtatzënisë është ligjërisht e mundshme. Gjithashtu, femrat shtatzëna mund të vendosin gjithashtu të sjellin fëmijën në jetë, edhe nëse ai është i sëmurë ose me aftësi të kufizuara. Përveç konsultimit me mjekun gjinekolog, ekziston edhe mundësia e një këshillimi falas të tyre pranë një qendre këshillimit për gratë shtatzëna.
Si realizohet punksioni i kordonit të kërthizës?
- Punksioni i kordonit të kërthizës realizohet në kushte sterile, zgjat vetëm disa minuta dhe është përgjithësisht i padhimbshëm. Pjesa më e madhe e grave e perceptojnë punksionin si një tëheqje të lehtë në zonën e barkut.
- Pas anestezisë lokale të zonës ku do kryhet shpimi, një age e hollë futet përmes murit të barkut deri në nivelin e kordonit të kërthizës së bebit. Kjo proçedurë kryhet nën kontrrollin ekografik, që do të thotë se mjeku e drejton gjilpërën me saktësi deri në vendin e duhur nën monitorim të vazhdueshëm ekografik.
- Një sasi e vogël gjaku merret nga kordoni i kërthizës së fetusit dhe ekzaminohet në laborator.
- Direkt pas punksionit të kordonit të kërthizës bëhet një kontroll i ri ekografik.
Kur kryhet punksioni i kordonit të kërthizës?
Punksioni i kordonit të kërthizës kryhet kur ekografia tregon për sëmundje të caktuara të fëmijës.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e punksionit të kordonit të kërthizës janë:
- Ekografia jonormale në tremujorin e parë të shtatzënisë.
- Diagnostikimi dhe trajtimi i një anemie të fetusit, i infeksioneve prenatale (rubeola, toksoplazmoza) ose në rastin e papajtueshmërisë së grupeve të gjakut ndërmjet nënës dhe fetusit (faktori Rezus).
- Rreziku i anomalive kromozomike, ku ndikon: mosha e nënës, sëmundjet e trashëgueshme në familje si sindromi Down, distrofia muskulare e trashëguar, çrregullimet metabolike të trashëguara.
A paraqet rreziqe apo efekte të padëshiruara punksioni i kordonit të kërthizës?
Ashtu si amniocenteza, edhe kordocenteza shoqërohet me një rrezik të pakët për abort. Në rastin e shfaqjes së dhimbjeve të forta ose të rrjedhjes së likidit pas punksionit, duhet të konsultohet menjëherë mjeku gjinekolog.