Ekografia dopler (Eko Dopler)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Çfarë është eko dopler?
Eko dopler është një teknikë e veçantë e ekzaminimit ekografik, që përdoret për matjen dhe vlerësimin e fluksit të gjakut në enët e gjakut dhe në zemër. Ajo shërben për diagnostikimin e ngushtimit të enëve të gjakut dhe çrregullimet e valvulave të zemrës.
Kjo teknikë bazohet në efektin "Dopler" si sirena e një ambulance që çdokush e dëgjon kur i kalon pranë. Sirena dëgjohet më fort kur ambulanca lëviz aty pranë dhe më dobët kur ajo largohet. Edhe frekuencat e valëve të ekografisë ndryshojnë në varësi të drejtimit të rrjedhjes së fluksit të gjakut. Frekuenca e ultratingullit është më e lartë kur gjaku lëviz drejt sondës së aparatit ekografik. Në momentin që ky gjak largohet nga sonda, kjo frekuencë dobësohet. Frekuenca regjistrohet nga sonda dhe nëpërmjet aparatit imazhi shfaqet në formën e kurbave, ose perceptohet në formën e tingujve. Drejtimi i fluksit të gjakut dhe shpejtësia e rrjedhjes së tij japin informacion rreth ndryshimeve në enët e gjakut, të tilla si ngushtime apo bllokime të tyre.
Përveç matjes së qarkullimit të gjakut, mund të përftohen gjithashtu imazhe dy-dimensionale të enëve të gjakut dhe zemrës (sonografia duplex), ku drejtimi i fluksit të gjakut shfaqet me ngjyrë të kuqe dhe blu, i ashtuquajturi Dopler me ngjyra. Ky ekzaminim vlerëson gjithashtu ecurinë, gjendjen e mureve të enëve të gjakut, si edhe diametrin e trashësinë e tyre. Kjo siguron të dhëna të mëtejshme rreth sëmundjes.
Eko-dopler është një ekzaminim i shërbimit të Mjekësisë së brendshme.
A është e nevojshme ndonjë përgatitje e veçantë e pacientit para ekzaminimit?
Eko dopleri kryhet pa parapërgatitje të pacientit.
Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?
Nuk është i nevojshëm asnjë sqarim i veçantë para ekzaminimit.
Si kryhet eko dopler?
Nga ana praktike, ky ekzaminim është i njëjtë me ekzaminimin e thjeshtë me ultratinguj. Fillimisht vendoset xheli në lëkurë dhe më pas vendoset sonda e aparatit. Ekzaminuesi e lëviz sondën para - prapa në mënyrë që të shohë imazhin e dëshiruar në monitor, të vlerësojë dhe të masë strukturat përkatëse. Përveç kësaj, imazhet dixhitale të përftuara dhe sekuencat filmike të fluksit së gjakut mund të ruhen për përcatimin e diagnozës.
Kur këshillohet të kryhet eko dopleri?
Ky ekzaminim shërben për të vlerësuar enët e gjakut dhe qarkullimin e gjakut, si dhe rrjedhjen e gjakut në zemër dhe valvulat e saj.
Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e eko doplerit janë:
- Çrregullimi i qarkullimit të gjakut tek këmbët
- Çrregullimet e qarkullimit të gjakut në tru për shkak të ngushtimit të arteries karotide (në qafë)
- Tromboza e venave të këmbëve
- Aneurizmi (zgjerimi) i aortës
- Kontrolli i ecurisë së sëmundjeve pas ndërhyrjes kirurgjikale
- Sëmundjet e valvulave të zemrës.
A paraqet eko dopleri rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është pa dhimbje, pa ekspozim ndaj rrezatimit ose rreziqe të tjera.