Ekografia transvaginale (Ekografia vaginale)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është ekografia transvaginale?
Ekografia transvaginale është një ekzaminim ekografik i pjesës së poshtme të barkut tek femra, gjatë të cilit sonda e ultratingujve futet në vaginë. Kjo mundëson pamje të qartë veçanërisht të mitrës, tubave dhe vezoreve. Ekografia transvaginale siguron informacion më të hollësishëm se ekografia normale që kryhet nga jashtë (nga barku), sepse sonda e ultratingujve e futur në vaginë është më afër organeve të ekzaminuara.
Ekografia transvaginale është një ekzaminim i fushës së Gjinekologjisë.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara ekografisë transvaginale?
Një ekografi transvaginale mund të realizohet pa përgatitje të vecanta. Fshikëza e urinës duhet të jetë e zbrazur përpara ekzaminimit.
Çfarë duhet të sqarohet para ekografisë transvaginale?
Asnjë sqarim specifik nuk është i nevojshëm para këtij ekzaminimi.
Si realizohet ekografia transvaginale?
Ekzaminimi kryhet me pacienten në poltronin gjinekologjik. Sonda e hollë e ultratingujve në formën e një shufre lyhet me xhel lubrifikues dhe futet me kujdes në vaginë. Duke e kthyer dhe zhvendosur kokën e sondës në drejtime të ndryshme, mjeku mund të vëzhgojë organet dhe strukturat e ndryshme në monitor dhe t’i masë ato me saktësi.
Kur përdoret ekografia transvaginale?
Para së gjithash, ky ekzaminim shërben për zbulimin e sëmundjeve të vezoreve, të tubave dhe të mitrës, si dhe për zbulimin e hershëm të kancerit. Përveç këtyre, ekografia transvaginale kryhet në fillim të shtatzënisë, si pjesë e ekzaminimve prenatale.
Arsyet e shpeshta të kryerjes së ekografisë transvaginale janë:
- Çrregullimet e menstruacioneve
- Kistet e vezoreve
- Kanceri i vezoreve
- Shtatzënia tubare
- Prolapsi i mitrës
- Mioma e mitrës
- Polipet e mukozës së mitrës
- Kanceri i mitrës
A paraqet ekografia transvaginale rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim nuk shoqërohet me ndonjë rrezik të veçantë. Për më tepër, meqenëse imazhet përftohen me anë të valëve akustike, ajo nuk e ekspozon pacienten ndaj rrezatimit.