Dëmtimi i meniskut (Çarja e meniskut, Degjenerimi i meniskut)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Në varësi të formës së tyre, dallohen tipe të ndryshme të dëmtimeve të meniskut, si:
- Çarja vertikale
- Çarja horizontale
- Çarja radiale
- Menisku në formë gjuhe
- Dëmtimi në formën e dorezës së kovës
- Çarja komplekse
Dëmtimi i meniskut që shfaqet pas një traume, shkaktohet nga mikrotraumatizime të përsëritura ose për shkak të plakjes. Tek personat e rinj, traumat janë shkaktarët kryesorë (dëmtimet e lidhura me sportin), ndërkohë që tek personat e moshuar është më tepër problemi i degjenerimit të meniskut të lidhur me moshën.

Diagnoza e dëmtimit të meniskut përcaktohet nga mjeku ortoped, duke u bazuar në:
- Historinë e sëmundjes, veçanërisht tek aksidente të mundshme, të lidhura me shqetësimet aktuale të pacientit
- Informimin e saktë të mjekut mbi tipin e dhimbjes, lokalizimin dhe intensitetin e saj
- Informimin e mjekut lidhur me lëndime të mëparshme të gjurit ose grumbullimin e likidit në të, situata këto që favorizojnë çarjen e meniskut
- Vlerësimi i funksionit të gjurit, nëpërmjet testeve specifike
- Radiografinë e gjurit përkatës
- Ekografinë ose rezonancën magnetike të gjurit përkatës
- Punksionin artikular (tërheqjen me shiringë) të lëngut të grumbulluar në brendësi të kyçit dhe analizën mikroskopike të tij.
Qëllimi i trajtimit të dëmtimit të meniskut është:
- Qetësimi i dhimbjes dhe rikthimi i funksionit të kyçit
- Pakësimi i rrezikut për dëmtime kronike, si pasojë e sforcimeve të papërshtatshme të gjurit (shih rubrikën Ndërlikimet)
Dëmtimet e vogla të meniskut shkaktojnë simptoma të lehta, që mund të qetësohen me trajtim medikamentoz, pa operacion. Carjet e dhimbshme dhe të mëdha kanë nevojë për operacion.
Medikamentet
- Analgjezikët (qetësojnë dhimbjen)
- Vendosja e ngjitëseve me medikament analgjezik mbi lëkurë
- Injektimi lokal, brenda në kyç, i analgjezikut.
Trajtimi fizik përfshin:
- Fizioterapinë (lëvizjet, forcimin muskular, teknikat e tërheqjës muskulare)
- Krioterapinë (aplikimin e kompresave të ftohta)
- Elektroterapinë
Ndërhyrja kirurgjikale
Ndërhyrja kryhet përgjithësisht me anën e një artroskopi, që nuk lë shenjë të rëndësishme pas operacionit. Instrumentat kirurgjikalë futen në kyç nëpërmjet kanaleve të ngushta, pasi bëhen prerje të vogla në lëkurë.
Në parim, pas një dëmtimi të meniskut, kirurgu ka dy mundësi për riparimin e tij, që janë:
- Qepja e meniskut, që konsiston në korrigjimin e çarjes
- Heqja e pjesshme e meniskut, që konsiston në pastrimin e pjesës së dëmtuar të meniskut, me ndihmën e instrumentave specifike
Pas ndërhyrjes, nevojitet një punë e madhe individuale për rehabilitimin e kyçit, me ndihmën e fizioterapisë. Periudha e rehabilitimit është më e gjatë pas një qepjeje të meniskut, sesa pas heqjes së pjesshme të tij. Qëndrimi pa lëvizur pas operacionit kërkon trajtim parandalues të trombozës (hollimin e gjakut).
