logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Çarja e buzës, nofullës së sipërme dhe qiellzës: është e lindur.
Çarja e buzës, nofullës së sipërme dhe qiellzës: është e lindur.

Çarja e buzës, nofullës së sipërme dhe/ose qiellzës përfaqëson një nga keqformimet më të shpeshta tek fëmijët. Ajo rezulton nga një mbyllje jo e plotë e disa pjesëve të fytyrës gjatë zhvillimit embrional. Çarjet mund të shfaqen të izoluara ose të shoqëruara me njëra-tjetrën.

Përveç pasojave fizike, të tilla si vështirësia në ngrënie, në frymëmarrje, në të dëgjuar dhe në të folur, keqformimet e fytyrës janë tepër të rënda në aspektin psikologjik, si për fëmijën ashtu edhe për prindërit e tij.

Shkaqet e sakta të këtyre keqformimeve nuk njihen plotësisht. Por është e sigurt që shfaqja e tyre është e lidhur me predispozicionin gjenetik (trashëgiminë) dhe me faktorë të tjerë, që ndikojnë në zhvillimin e embrionit.

Djemtë e vegjël preken më shpesh se vajzat e vogla. Në gjuhën e përditshme, këto keformime njihen si " buza e shtrembër " ose " goja e ujkut ", kur ato janë të dyanshme.

Rreth 15% e keqformimeve të fytyrës janë të shpeshta në disa familje, duke e përforcuar dyshimin që ato janë të trashëgueshme.

Gjithashtu, në zhvillimin e tyre ndikojnë edhe disa faktorë të jerë, të pranishëm gjatë shtatzanisë, të cilët janë:

  • Duhanpirja nga ana e nënës, që konsiderohet faktori më i rëndësishëm i rrezikut.
  • Konsumi i alkoolit nga nëna
  • Mungesa e oksigjenit
  • Mungesa e vitaminave
  • Niveli tepër i lartë i vitaminës A dhe vitaminës E
  • Ushqyerja e çekuilibruar e nënës

Fytyra zhvillohet gjatë javëve të para të jetës embrionale. Nëse gjatë kësaj periudhe ndikojnë faktorët e përmendur më sipër, mund të formohen keqformime.

Çarja e buzës, nofullës së sipërme dhe qiellzës: dëmtime fizike dhe mendore
Çarja e buzës, nofullës së sipërme dhe qiellzës: dëmtime fizike dhe mendore

Simptomat e çarjes së buzës, nofullës së sipërme dhe/ose të qiellzës mund të jenë të natyrës psiqike dhe fizike.

Simptomat psiqike

  • Fëmijët me deformime (keqformime) në fytyrë janë shpesh të ekspozuar ndaj ngacmimeve dhe shprehjeve të përçmimit. Adoleshenca përbën një fazë të ndërlikuar për ta, pasi aspekti estetik luan një rol të pashmangshëm tek adoleshentët.
  • Përveç kësaj, qëndrimet dhe trajtimet e shpeshta në spital ndikojnë negativisht në jetën e përditshme dhe atë shoqërore të këtyre pacientëve.

Simptomat fizike

  • Të lidhura me ushqyerjen: çarja (hapja) ndërmjet gojës dhe hundës vështirëson gëlltitjen e ushqimeve dhe të lëngjeve, si dhe frymëmarrjen. E çara e buzëve lejon futjen e ajrit, që e bezdis fëmijën gjatë pirjes. Në rastin e mbylljes jo të plotë të nazofaringut (pika e bashkimit të hundës me faringun), lëngjet mund të hyjnë në hundë kur fëmija pi.
  • Sëmundjet e veshit, hundës dhe laringut (ORL): Mbyllja jo e plotë shkakton shpesh infeksione të veshëve ose grumbullim të likidit në to. Nëse këto situata nuk trajtohen, mund të ulet aftësia e dëgjimit, që shkakton edhe probleme me proçesin e të folurit. Gjithashtu, çrregullohet edhe frymëmarrja me hundë.
  • Zhvillimi i të folurit: është veçanërisht i vështirë në rastin e çarjes së qiellzës. Kjo për faktin se, ashtu si edhe gjuha, për formimin e tingujve të saktë është e nevojshme edhe një qiellzë normale.
  • Zhvillimi i dhëmbëve: shpesh higjiena e dhëmbëve bëhet tepër e vështirë për shkak të pozicionit të keq të tyre.
Çarja e buzës, nofullës së sipërme dhe qiellzës: ekzaminimi me ultratinguj.
Çarja e buzës, nofullës së sipërme dhe qiellzës: ekzaminimi me ultratinguj.

Çarja e buzës, nofullës së sipërme dhe/ose qiellzës mund të evidentohet me anën e ekografisë, duke filluar nga java 18-20 e shtatzanisë, gjatë ndjekjes së rregullt të shtatzanisë. Megjithatë, shtrirja e saktë e keqformimit të fytyrës mund të vlerësohet vetëm pas lindjes së fëmijës.

Pediatri e egzaminon me kujdes të porsalindurin, me qëllim që të mund të zbulojë sëmundje të tjera të mundshme, veçanërisht të zemrës, veshkave dhe mushkërive.

Çarja e buzës, nofullës së sipërme dhe qiellzës: trajtimi nga specialistë të ndryshëm.
Çarja e buzës, nofullës së sipërme dhe qiellzës: trajtimi nga specialistë të ndryshëm.

Trajtimi i çarjeve të buzës, nofullës së sipërme dhe/ose qiellzës është i gjatë dhe ka nevojë për shumë durim dhe kurajo nga ana e fëmijës dhe e prindërve të tij. Qëllimi i trajtimit intensiv është të sigurojë aspektin më të mirë të mundshëm estetik, si dhe funksionet e frymëmarrjes, të të folurit, gëlltitjes dhe përtypjes normale.

Ky trajtim ka nevojë për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet prindërve të fëmijës dhe mjekëve të specialiteteve të ndryshme, si pediatri, kirurgu maksilo-facial (i nofullës së sipërme dhe fytyrës), dentisti, mjeku ORL si dhe ortofonisti (specialist për çrregullimet e të folurit), psikologu dhe psikoterapisti.

Fytyra ndryshon gjatë periudhës së rritjes, dhe këta persona vazhdojnë t’i nënshtrohen trajtimeve edhe pas moshës së rritur.

Trajtimet:

  • Janë të nevojshme disa operacione. Me qëllim që foshnja të marrë frymë dhe të pijë normalisht, operacionet e para kryhen disa ditë pas lindjes.
  • Trajtimi i sëmundjeve të tjera shoqëruese
  • Operacione pasuese korrigjuese
  • Kryerja e kontrolleve të rregullta të dëgjimit
  • Mësimi i tingujve dhe fjalëve me një ortofonist
  • Ruajtja e higjienës së dhëmbëve dhe korrigjimet e nofullës së sipërme me ndihmën e dentistit ose ortodontistit.
  • Mbështetja psikologjike për fëmijën dhe prindërit e tij, me seanca të vazhdueshme të psikoterapisë.

Proçedurat kirurgjikale dhe terapeutike aktuale japin rezultate shumë të mira funksionale dhe estetike. Mbështetja e fortë e këtyre personave bën të mundur që në pjesën më të madhe të rasteve, ata të bëjnë një jetë "normale".

Në varësi të shkallës së deformimit, çarjet e buzës, nofullës së sipërme dhe/ose qiellzës konsiderohen si një mangësi e rëndë, që duhet kompensuar financiarisht si e tillë nga institucionet përkatëse.

Meqenëse shkaqet e shfaqjes së çarjeve të buzës, nofullës së sipërme dhe/ose qiellzës mbeten të pashpjeguara, edhe rekomandimet e lidhura me parandalimin e tyre janë të kufizuara.

Kështu, gjatë shtatzanisë, rekomandohet që nëna të ushqehet në mënyrë të ekuilibruar, me shumë fruta dhe perime, dhe të evitojë faktorët e rrezikut, që janë nikotina dhe alkooli.

Për këtë arsye, çdo grua shtatzanë duhet të këshillohet me mjekun lidhur me suplementet vitaminike që duhet të marrë gjatë shtatzanisë. Studime të kohëve të fundit kanë treguar se përdorimi i acidit folik gjatë shtatzanisë e pakëson rrezikun e shfaqjes së keqformimeve në fytyrën e fëmijës.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.