Kardiotokografia (Monitorimi i fetusit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është kardiotokografia?
Kardiotokografia është një ekzaminim që bën të mundur vlerësimin e vazhdueshëm të ritmit të zemrës së fetusit, si dhe të kontraksioneve (tkurrjeve) të mitrës së nënës. Të dhënat e përftuara prej saj regjistrohen në formën e një grafiku në aparatin përkatës, që quhet kardiotokograf. Gjatë këtij ekzaminimi është e mundur që të dëgjohen edhe rrahjet e zemrës së bebit. Ritmi normal i zemrës së bebit, pra me shpeshtësi normale të rrahjeve, tregon që bebi është mirë. Kardiotokografia është krejtësisht e padhimbshme dhe e parrezikshme, si për nënën ashtu edhe për bebin. Ajo është veçanërisht e domosdoshme për shtatzënitë me rrezik të lartë ose kur ndodhin probleme gjatë shtatzënisë. Kjo i lejon mjekut ose mamisë të identifikojë herët situatat e rrezikshme për fëmijën dhe të ndërhyjë menjëherë.
Kardiotokografia është një ekzaminim i fushës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara kryerjes së kardiotokografisë?
Kardiotokografia mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë paraprake.
Çfarë duhet të sqarohet para Kardiotokografisë?
Nuk nevojitet asnjë sqarim i veçantë përpara kryerjes së kardiotokografisë.
Si realizohet kardiotokografia?
Rreth barkut të gruas shtatzënë vendoset një rrip i pajisur me dy sensorë matës, që janë të lidhur me kardiotokografin. Njëri prej sensorëve regjistron ritmin e zemrës së bebit, ndërsa tjetri regjistron intensitetin e zgjatjes së kontraksioneve të nënës. Gjatë regjistrimit, gruaja shtatzënë qëndron në pozicionin shtrirë, e kthyer në anën e majtë. Sensorët matës veprojnë nëpërmjet valëve të ultratingujve, që janë të padëmshme dhe të parrezikshme si për nënën ashtu edhe për fëmijën.
Kur përdoret kardiotokografia?
Kardiotokografia nevojitet kur lindin probleme ose kur mund të shfaqen probleme gjatë shtatzënisë ose gjatë lindjes.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e kardiotokografisë janë:
- Sëmundjet e nënës, si diabeti i sheqerit ose diabeti i shtatzënisë, hipertensioni arterial
- Kur evidentohen anomali në ekografinë e shtatzënisë
- Gjakderdhjet në fund të shtatzënisë
- Infeksionet
- Nëse fëmija në barkun e nënës nuk lëviz shumë
- Kontraksionet e parakohshme tek nëna, rreziku për lindje të parakohshme
- Shtatzënitë e shumëfishta
A paraqet kardiotokografia rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim nuk paraqet asnjë rrezik, si për nënën ashtu edhe për fëmijën.