logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Hemangioma: tumor vaskular me rritje të shpejtë.
Hemangioma: tumor vaskular me rritje të shpejtë.
Hemangiomat janë tumore të enëve të gjakut, me natyrë beninje (të parrezikshme), që rriten shpejt në madhësi. Ato e marrin origjinën nga qelizat që mbulojnë faqen e brendshme të enëve të gjakut, që quhen qeliza endoteliale.
 
Hemangioma duhet të dallohet nga anomalitë e vetë  enëve të gjakut, veçanërisht nga keqformimet e tyre, që nuk paraqesin shumëfishim të qelizave endoteliale. Hemangiomat mund të shfaqen praktikisht në të gjitha organet. Më shpesh ato takohen në mëlçi ose në nivelin e mukozave (shtresës së brendshme të organeve). Kur shfaqen në lëkurë, ato përbëjnë një problem të madh estetik për pacientin dhe familjarët e tij.
 
Në formën e saj tipike, hemangioma paraqitet rrallë në lindje. Në fakt, qelizat endoteliale fillojnë të shumëfishohen vetëm gjatë muajve të parë të jetës, për të shfaqur një tumor. Në fund të vitit të parë të jetës, faza e rritjes së tumorit  përfundon. Pikërisht atëherë ndodh shërimi spontan i hemangiomës. Ky fenomen konstatohet në dy të tretën e rasteve me hemangioma. Në pjesën tjetër të rasteve, ato lënë mbeturina indore.
Hemangiomat mund të lokalizohen në nivelin e lëkurës, të nënlëkurës ose në të dy nivelet njëkohësisht (forma e përzier).
 
Hemangioma e ka origjinën në fazën embrionale të zhvillimit të fëmijës brenda mitrës së nënës. Normalisht, organizimi i sistemit të enëve të gjakut përfundon në javët e fundit të shtatzanisë. Nëse ky proçes nuk ka përfunduar deri në momentin e lindjes, disa enë gjaku mbeten ende nën ndikimin e faktorëve që favorizojnë formimin e tyre. Ky mekanizëm shkakton formimin e formave tipike të hemangiomave.
Simptomat që shkakton hemangioma (tumori i enëve të gjakut) janë të ndryshme, në varësi të lokalizimit të saj në organizëm, si më poshtë:
  • Hemangiomat në nivelin e organeve të brendshme: përgjithësisht nuk shkaktojnë simptoma dhe shpesh zbulohen rastësisht. 
  • Hemangiomat në nivelin e fytyrës: përbëjnë një problem të madh estetik. Fëmijët dhe prindërit e tyre përballen me vështirësi të mëdha të karakterit psikologjik. 
  • Gjakrrjedhjet nga hemangioma shkaktohen lehtë, edhe nga gjeste tepër të vogla.
  • Hemangiomat e mëdha në fytyrë mund të pengojnë shikimin ose ushqyerjen. 
Hemangioma: është e dukshme me sy.
Hemangioma: është e dukshme me sy.

Vendosja e diagnozës së hemangiomës varet nga forma dhe lokalizimi i saj. Kështu:

  • Në lindje, ndryshimet specifike të enëve të gjakut janë të dukshme. 
  • Pas fillimit të rritjes së tumorit, shpesh diagnoza e tij mund të përcaktohet pa qenë nevoja e egzaminimeve shtesë. 
  • Nëse është e nevojshme, kryhet egzaminimi ekografik i enëve të gjakut
  • Në rast se dyshohet për natyrën beninje të tumorit, rekomandohet kryerja e biopsisë së kampionit indor të marrë prej tij. 
Hemangioma: disa zhduken vetë, të tjerat mund të trajtohen.
Hemangioma: disa zhduken vetë, të tjerat mund të trajtohen.
Dy të tretat e rasteve me hemangioma shërohen në mënyrë spontane. Gjithsesi, proçesi i shërimit të tyre kërkon durim nga ana e pacientit. Të gjitha hemangiomat e vendosura në zona të ndjeshme si sytë, buzët, hunda dhe zonat gjenitale dhe anale (vrima e jashtëqitjes), duhet të trajtohen. Qëllimi i trajtimit në këto raste është të ndalojë rritjen e mëtejshme dhe të përshpejtojë shërimin e tumorit. Për këtë, janë të mundshme disa mënyra të trajtimit:
  • Krioterapia (trajtimi me të ftohtë): aplikohet kryesisht në hemangiomat e vogla dhe sipërfaqësore.  
  • Trajtimi me lazer: është i përshtatshëm si për hemangiomat sipërfaqësore, ashtu edhe për ato të vendosura më në thellësi.  
  • Trajtimi me lazer me dritë pulsuese: është i ngjashëm me trajtimin me lazer, por është më i përshtatshëm për tumoret e mëdha. 
  • Trajtimi medikamentoz: realizohet me preparate që përmbajnë kortizon.
  • Kirurgjia: nevojitet në raste tepër të rralla, ndonjëherë për të hequr mbetjet e tumorit pas një mënyre tjetër trajtimi. 
Përveç problemeve fizike, hemangiomat (tumoret beninje të enëve të gjakut) shkaktojnë edhe probleme të rëndësishme psikologjike si tek fëmija që i shfaq, ashtu edhe tek prindërit e tij. Për këtë arsye, shpesh pacienti duhet të këshillohet nga një psikolog. 

  • Kruajrjet në hemangiomat e zonës së të ndenjurave, të provokuara nga prania e pelenave, mund të shkaktojnë gjakderdhje, infeksione dhe formimin e cikatriceve (shenjave). 
  • Përhapja e tumorit shkatërron edhe indet fqinje, si kërcin e hundës, buzët, etj. 
  • Bllokimi (zënia) e syrit, hundës, veshit ose gojës nga një hemangiomë e madhe shoqërohet me humbje të parikthyeshme të funksionit të tyre. 
  • Hemangiomat e mëdha tek foshnjat shkaktojnë mbingarkesë në qarkullimin e gjakut.
  • Në rastin e hemangiomave të shumta, egziston mundësia e gjetjes së hemangiomave edhe në organe të tjera. Në rastet e dyshimta, kryhet egzaminimi ekografik për të konfirmuar ose përjashtuar praninë e tyre.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.