Ekografia e gjirit
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është ekografia e gjirit?
Ekografia e gjirit është një ekzaminim imazherik i gjirit, që konsiderohet tepër i rëndësishëm, krahas vetëkontrollit të gjirit dhe mamografisë. Duhet theksuar se ekografia nuk mund ta zëvendësojë mamografinë.
Me anë të ekografisë mund të ekzaminohet mirë struktura e indit të gjirit, sidomos tek gratë në moshë të re, të cilat kanë strukturë të dendur të gjirit. Me anë të mamografisë është e vështirë që të identifikohen ndryshimet në një strukturë të tillë. Me anë të ekografisë mund të identifikohen veçanërisht kistet (qese të mbushura me likid) dhe të bëhet dallimi i tyre nga tumoret. Krahasuar me ekon e gjirit, mamografia mund të identifikojë më mirë formacionet e mikrokalcifikuara të cilat janë të dyshimta për tumor. Me anë të ekografisë mund të ekzaminohen edhe nyjet e dyshimta nën sqetull. Përveç diagnostikimit, një funksion tjetër i ekografisë është edhe punksioni i nyjeve limfatike të dyshimta, gjithmonë nën drejtimin e ekografisë për saktësi maksimale.
Ekografia e gjirit është plotësisht e padhimbshme dhe pa rrezatim, për pasojë me të mund të ekzaminohen edhe gratë shtatzëna, madje të përsëriten ekzaminimet sa herë të jetë e nevojshme.
Ekografia e gjirit është një ekzaminim i shërbimit të Gjinekologjisë.
A është e nevojshme përgatitja e pacientes para ekzaminimit?
Ekografia e gjirit këshillohet të bëhet në javën e dytë të ciklit menstrual, pra rreth një javë pas ardhjes së menstruacioneve. Në këtë fazë të ciklit, gjendrat e gjirit janë më të relaksuara dhe për pasojë përftohet një imazh më i qartë dhe cilësisht më i mirë. Nuk ka nevojë për ndonjë parapërgatitje tjetër.
Çfarë sqarimi është i nevojshëm para ekzaminimit?
Nuk është i nevojshëm ndonjë sqarim përpara këtij ekzaminimi.
Si bëhet ekografia e gjirit?
Ekzaminimi kryhet me pacienten në pozicion të relaksuar, shtrirë në shpinë. Fillimisht aplikohet xheli në lëkurë dhe më pas vendoset sonda e aparatit. Ekzaminuesi e lëviz sondën para - prapa në mënyrë që të shohë imazhin e dëshiruar në monitor, të vlerësojë dhe të masë strukturat përkatëse. Përveç kësaj, imazhet dixhitale të përftuara mund të ruhen për përcaktimin e diagnozës. Të dy gjinjtë vëzhgohen në mënyrë sistematike, njëri pas tjetrit. Ekografia e gjirit është tërësisht e padhimbshme dhe zgjat rreth 10 minuta.
Kur këshillohet të bëhet ekografia e gjirit?
Ekografia e gjirit shërben për sqarimin e ankesave apo dyshimeve në lidhje me sëmundjet e gjirit, por mbi të gjitha për depistimin e hershëm të kancerit të gjirit. Ky ekzaminim është plotësues, krahas mamografisë.
Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e mamografisë janë:
- Zbulimi i ndonjë nodusi të dyshimtë ose të fortë gjatë vetëkontrollit që ka bërë pacientja, apo që ka zbuluar mjeku gjatë palpimit (prekjes) të gjirit.
- Mamografi e gjirit pa një konkluzion të qartë, mbi të gjitha tek gratë e reja me strukturë dense të gjirit
- Dhimbje të pashpjegueshme ose ndryshime të lëkurës (gropëzime, tërheqje të lëkurës, cikatrizime të gjirit)
- Rrjedhje të sekrecioneve nga thithi i gjirit
- Kiste të gjirit
- Zmadhim i nyjeve limfatike nën sqetull
- Rrezik i lartë për zhvillim të kancerit të gjirit (psh. nëse ka familjarë të prekur nga kanceri, apo nëse ka kryer ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e një tumori beninj në gji)
- Dhimbje të gjirit (Mastodini) në femrat nën 30 vjeç
- Punksion i gjirit nën drejtimin e ekografisë në rast të noduseve (kokrrave) të dyshimta.
A paraqet rreziqe apo efekte të padëshiruara ky ekzaminim?
Ky ekzaminim është tërësisht i padhimbshëm, pa rreziqe dhe pa ekspozim ndaj rrezatimit.