logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Paralizë e fytyrës: zakonisht paralizë e njëanshme e fytyrës.
Paralizë e fytyrës: zakonisht paralizë e njëanshme e fytyrës.
Paraliza e fytyrës shkaktohet nga paraliza e nervit të fytyrës (nervit facial). Zakonisht prek vetëm gjysmën e fytyrës.

Nervi i fytyrës bën pjesë tek nervat e kafkës, dhe është përgjegjës për lëvizjen e muskujve të fytyrës (shprehjet e fytyrës), për sekretimin e lotëve dhe pështymës dhe për ndjesinë e shijes së dy të tretave të përparme të gjuhës.

Në varësi të vendndodhjes së dëmit, bëhet një dallim midis dy formave:
  • Paraliza qendrore e fytyrës, e cila shkaktohet nga dëmtimi i trurit.
  • Paraliza periferike e fytyrës, me dëmtim të drejtpërdrejtë të nervit të fytyrës.
Në shumicën e rasteve, nuk mund të identifikohet asnjë shkak specifik i paralizës së fytyrës, dhe për këtë arsye kjo quhet paralizë idiopatike e fytyrës. Sëmundjet ose simptomat quhen ''idiopatike', në të gjitha rastet kur shkaku i tyre nuk mund të identifikohet ose nuk mund të provohet.

Paraliza e fytyrës mund të rezultojë edhe nga sëmundje të tjera, si:
Në varësi të vendndodhjes së dëmtimit nervor (qendror ose periferik), mund të paralizohen muskujt të ndryshëm të fytyrës dhe mund të ndodhin probleme të tjera neurologjike (të lidhura me nervin). Zakonisht preket vetëm gjysma e fytyrës.

Shenjat tipike të paralizës së fytyrës janë:
  • Rënie e cepit të gojës
  • Shqiptim i paqartë për shkak të muskujve të paralizuar në zonën e gojës
  • Rënie e qepallave (pjesërisht ose plotësisht): syri në anën e prekur nuk mund të mbyllet plotësisht, duke rrezikuar për tharje të syrit. Shpesh, kokërdhoku i syrit gjithashtu kthehet lart (''Fenomeni i Bellit'').
Mangësitë e mëtejshme neurologjike të mundshme:
  • Paksim i prodhimit të lotit dhe sekretimit të pështymës
  • Çrregullim i shijeve në dy të tretat e përparme të gjuhës
  • Ndjeshmëri ndaj zhurmës në anën e paralizuar, pasi nervi i fytyrës është i përfshirë në funksionin e dëgjimit.
Mjeku tashmë e njeh paralizën e fytyrës nga pamja tipike. Gjatë konsultimit të pacientit, mjeku pyet për ankesa shtesë, infeksione të mëparshme ose aksidente. Sëmundjet si diabeti i sheqerit ose presioni i lartë i gjakut janë gjithashtu të rëndësishme në lidhje me paralizën e fytyrës.

Ekzaminimi fizik
  • Përcaktimi i shtrirjes së saktë të paralizës së fytyrës: mjeku i kërkon personit të interesuar të vrenjtet, të mbledhi buzët, të fryjë faqet, të tregojë dhëmbët dhe të fishkëllejë. Për të përcaktuar nëse ekziston një paralizë qendrore ose periferike e fytyrës: në formën periferike, muskujt e fytyrës janë paralizuar, por fryrja është ende e mundur.
Ekzaminime të mëtejshme të mundshme
  • Testi i gjakut: për sëmundjen e Lyme 
  • Testi i shijes: mbi gjuhë vendosen produkte të ndryshme (të ëmbla, të kripura, të tharta, të hidhura).
  • Matja e prodhimit të lotëve, p.sh. kryerja e testit Schirmer: një shirit letre filtri varet në qepallën e poshtme për disa minuta. Sekretimi i lotit mund të vlerësohet nga shkalla e lagështimit të letrës.
  • Ekzaminimi nga mjeku i veshit, hundës dhe fytit: infeksioni nga herpes zoster në vesh mund të zbulohet me anë të një pasqyre të veshit.
  • Ekzaminimet me rreze X në rast të dyshimit për dëmtime të trurit (goditje në tru, tumori i trurit etj): rezonanca magnetike (MRI) e kokës. 
Trajtimi varet nga ashpërsia e paralizës së fytyrës, nga simptomat individuale dhe nga shkaku, nëse ka. Në parim, trajtimi duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi kjo zvogëlon rrezikun e simptomave të përhershme të paralizës.
Ekziston edhe një formë idiopatike e paralizës së fytyrës (nuk mund të përcaktohet asnjë shkak), e cila zakonisht zgjidhet vetë. Shërimi mund të zgjasë disa muaj.

Në raste të tjera, janë të mundshme trajtimet e mëposhtme:
  • Administrimi i kortizonit, i cili ka efekte anti-inflamatore.
  • Trajtimi i ndonjë sëmundjeje themelore: p.sh. stabilizimi i sheqerit në gjak, trajtimi i presionit të lartë të gjakut ose i çrregullimeve të qarkullimit të gjakut, mundësisht trajtimi i një infeksioni viral ose bakterial me medikamente të përshtatshme.
  • Përdorimi i lotëve artificialë (gjatë ditës) dhe vajit të syrit (gjatë natës) për të parandaluar tharjen e syrit të prekur
  • Ushtrime të rregullta të muskujve të fytyrës
Mundësitë e shërimit janë zakonisht mjaft të mira në formën idiopatike dhe me sëmundjen Lyme si shkak. Në shumë raste, simptomat e paralizës zhduken plotësisht brenda disa javësh. Nëse paraliza mbetet, simptomat e saj rrallë shkaktojnë probleme të rëndësishme në jetën e përditshme.
Për shkaqe të tjera, të tilla si një infeksion nga herpes zoster ose dëmtim i trurit (çrregullim i qarkullimit të gjakut, goditje në tru), prognoza varet nga shkalla e dëmtimit të trurit. Sidoqoftë, në të tilla raste është e pritshme që paraliza e fytyrës të mos zhduket plotësisht.
Paraliza idiopatike e fytyrës nuk mund të parandalohet, sepse shkaku i saj është i panjohur. Kjo vlen edhe për rastet kur shkaktar është virusi i herpesit, pasi ai transmetohet në fëmijëri dhe mbetet në trup për gjithë jetën, duke u riaktivizuar përsëri në rrethana të përshtatshme.

Masat mbrojtëse kundër sëmundjes Lyme ose TBE (të dyja mund të transmetohen me rriqna) janë të mundshme: shmangni zonat e rrezikuara të rriqnave, vishni rroba të gjata në pyll dhe livadh, përdorni sprai kundër rriqnave, vaksinohuni (vaksinimi TBE).

Përveç këtyre, edhe trajtimi i kujdesshëm për diabetin, presionin e lartë të gjakut ose çrregullimet e qarkullimit të gjakut zvogëlon rrezikun e paralizës së fytyrës.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.