Elektroretinografia (ERG, Testi i funksionit të retinës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është një elektroretinografi?
Elektroretinografia është një ekzaminim i syrit që shërben për të vlerësuar funksionin e retinës. Sapo drita arrin retinën, gjenerohen impulse nervore elektrike të vogla dhe këto mund të maten me anë të një elektrode specifike në formën e një lenteje kontakti. Elektroretinografia mundëson zbulimin e hershëm të dëmtimeve të retinës nga shkaqe të ndryshme.
Elektroretinografia është një ekzaminim oftalmologjik.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?
Elektroretinografia mund të realizohet pa ndonjë përgatitje specifike.
Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?
Përpara kryerjes së këtij ekzaminimi nuk është i nevojshëm asnjë sqarim.
Si realizohet Elektroretinografia?
Për të kryer ekzaminimin, brenda në sy hidhen pika oftalmike, me qëllim që të zgjerojnë pupilën, dhe ta bëjnë sipërfaqen e syrit të pandjeshme ndaj prekjes. Pastaj, mbi sy vendoset një lente kontakti e posaçme me një elektrodë të integruar. Syri më pas ekspozohet ndaj stimujve të dritës me sfond, intensitet dhe frekuencë të ndryshme. Impulset nervore elektrike të retinës që ndodhin në përgjigje të stimujve të dritës regjistrohen nga elektroda dhe paraqiten në formën e një grafiku kompjuterik të quajtur "retinogramë".
Kur kryhet Elektroretinografia?
Elektroretinografia (ERG) shërben për zbulimin e hershëm dhe kontrollin e trajtimit të sëmundjeve të retinës.
Arsyet më të shpeshta për kryerjen e një elektroretinografie janë:
- Sëmundjet e trashëguara të retinës: retiniti pigmentoz
- Inflamacioni i retinës (retinitis)
- Degjenerimi makular
- Retinopatia diabetike (dëmtimi i retinës nga diabeti)
- Dëmtimi i retinës i shkaktuar nga presioni i lartë i gjakut
- Shkëputja e retinës
- Tumoret e retinës
- Humbja e fushës pamore
- Përkeqësimi i shikimit
- Planifikimi për një operacion të kataraktit
A paraqet elektroretinografia ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është pa dhimbje dhe i sigurt. Sytë janë të ndjeshëm ndaj dritës për disa orë për shkak të pikave të hedhura në sy. Për këtë arsye, pas ekzaminimit pacienti nuk duhet të drejtojë automjetin derisa ky efekt të largohet.