logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Degjenerimi makular: dëmtim i rëndë i pamjes.
Degjenerimi makular: dëmtim i rëndë i pamjes.

Makula (e emërtuar edhe si njolla e verdhë), është një zonë e retinës që ndikon drejtpërdrejt në nivelin e aftësisë për të shikuar.

Degjenerimi Makular karakterizohet nga shkatërrimi i makulës dhe përfaqëson shkakun më të shpeshtë të rënies së shikimit tek personat e moshuar.

Simptomat kryesore të degjenerimit Makular të lidhur me moshën (DMM) janë: ulja ose humbja e aftësisë për të parë (drejtimi i automjetit bëhet i pamundur, leximi bëhet gjithnjë e më i vështirë, pacientët kanë vështirësi në njohjen e personave, por ndjenja e hapësirës ruhet).

Shpeshtësia e shfaqjes së kësaj sëmundjeje rritet me kalimin e moshës. Më shpesh, në fillim preket vetëm njëri nga sytë. Tek rreth gjysma e pacientëve, syri tjetër preket pas disa vitesh. Shkaku i DMM-s ende nuk dihet, por egzistojnë disa faktorë që konsiderohen si favorizues të saj. Sëmundja nuk shërohet dhe rrallë çon në verbim të plotë të pacientit. 

Njihen dy forma të kësaj sëmundjeje: forma atrofike e DMM dhe forma eksudative e DMM (më e rëndë).

Forma atrofike

Përfaqëson formën më të shpeshtë të DMM-s. Normalisht, ajo përparon në mënyrë progresive dhe, për pasojë, çon në përkeqësim të ngadalshëm të shikimit.

Forma eksudative

Përfaqëson një formë më të rëndë të DMM-s që manifestohet nga një ulje e shpejtë e aftësisë për të parë. Kjo formë karakterizohet nga një shtim jonormal i enëve të gjakut nën retinë (formimi i enëve të reja-neovazat). Për pasojë, likidi dhe gjaku mund të rrjedhin nga këto enë, duke shkaktuar dëmtime hemorragjike në nivelin e makulës.

Nuk dihet saktësisht arsyeja përse makula degjeneron (shkatërrohet) me kalimin e moshës. Studiuesit dyshojnë se përgjegjëse për këtë janë depozitimet e disa substancave (produkte përfundimtare të metabolizmit), që prodhohen gjatë proçesit të shikimit.  

Faktorët e rrezikut:
Degjenerimi makular: prova me grilën Amsler.
Degjenerimi makular: prova me grilën Amsler.

Në stadin fillestar të degjenerimit makular të lidhur me moshën (DMM), pacienti nuk shfaq asnjë simptomë, pra asnjë çrregullim të lidhur me shikimin. Gjatë egzaminimit okulistik tek mjeku specialist okulist, në egzaminimin e fundit të syrit konstatohen eksudate (depo) të formuara nga grumbullimi i produkteve të metabolizmit.  
Sa më shumë përparon sëmundja, aq më shumë ulet aftësia e pacientit për të parë me shfaqjen e këtyre simptomave:

  • Prania e një njolle të turbullt ose një hije gri, veçanërisht gjatë leximit.
  • Vijat ose shkronjat e drejta duken të deformuara.
  • Ngjyrat nuk perceptohen më si më parë.
  • Pacienti nuk mund të dallojë dot detajet.

Për të evidentuar çrregullimet e aftësisë së të parit si pasojë e DMM-s rekomandohet kryerja e testit të grilës Amsler, si më poshtë:

Testi i grilës Amsler

Pacienti e vendos grilën Amsler  në një largësi normale të leximit (rreth 35-40 cm).
Nëse pacienti përdor syze, mund t’i mbajë  ato.
Pacienti duhet të mbulojë syrin e djathtë.
Me syrin e majtë, duhet të fiksojë  pikën e vendosur në mes të grilës. Më pas, ai duhet të t’u përgjigjet pyetjeve:

  • A janë vijat e drejta?
  • A kanë të njëjtën madhësi të gjithë katrorët ?
  • A shikohen katër kënde ?
  • A shikohen hapësira boshe, vija të deformuara, të paqarta (të turbullta) ?

Ky test përsëritet me syrin tjetër.
Nëse pacienti e kryen vetë këtë egzaminim dhe  konstaton çrregullime, duhet të paraqitet për kontroll tek mjeku okulist, pasi ky test nuk mund të zëvendësojë në asnjë rast egzaminimin praktik të kryer nga mjeku.

Duke nisur nga mosha 50 vjeç, është e nevojshme të kryhen kontrolle të rregullta të syve tek mjeku specialist okulist.

Degjenerimi makular: ndryshime në provën Amsler.
Degjenerimi makular: ndryshime në provën Amsler.

Për të vendosur diagnozën e degjenerimit makular të lidhur me moshën (DMM), janë të nevojshme të kryhen:

  • Konsulta me mjekun specialist okulist.
  • Informimi i mjekut lidhur me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit dhe përparimit të tyre.
  • Egzaminimi i fundit të syrit, që mundëson vendosjen e diagnozës dhe përcaktimin e formës së DMM.
  • Egzaminimi i enëve të gjakut të syrit nëpërmjet injektimit të një lënde kontrasti në venën e krahut (angiofluorografia okulare).
Degjenerimi makular: mjete pamore ndihmëse ose terapi me lazer.
Degjenerimi makular: mjete pamore ndihmëse ose terapi me lazer.

Mënyrat e trajtimit për degjenerimin makular të lidhur me moshën (DMM) janë ende të kufizuara. Në këtë drejtim janë duke u zhvillur kërkime të shumta shkencore. Shërimi i plotë i sëmundjes është i pamundur dhe përsëritjet e saj janë të shpeshta. 

Mënyra e trajtimit të DMM-s varet nga forma e saj

Trajtimi i formës eksudative të DMM përfshin:
Terapia fotodinamike,  që praktikisht e ka zëvendësuar krejtësisht Trajtimin me lazer. Që në fillim të sëmundjes, enët e dëmtuara të gjakut evidentohen nëpërmjet një lënde kontrasti. Kështu, ato mund të sklerotizohen me lazer në vazhdim pa shkatërruar indin e shëndoshë të retinës në afërsi. Kjo formë e trajtimit përdoret tek rreth 15% e pacientëve me DMM eksudative. Sipas specialistëve,  ajo do të ishte më efikase nëse shoqërohej me trajtimin medikamentoz.

Gjithsesi, tek pjesa më e madhe e pacientëve të diagnostikuar me DMM, pavarësisht formës së tij, përdorimi i elementeve ndihmëse që realizojnë zmadhimin e shkronjave apo objekteve (si lupat, syzet, video-projektorët, etj.) janë tepër të dobishme për leximin, të paktën përkohësisht. Megjithatë, kujdes: këto elemente nuk janë të mjaftueshme aq sa për të drejtuar automjetin.   

Trajtimin me lazer, nga i cili mund të përfitojnë pak pacientë.  Ai konsiston në sklerotizimin (djegien) e enëve të gjakut të prekura të retinës.  Ana negative e kësaj metode është formimi i cikatriceve edhe mbi indin e shëndoshë, që mund të ulin aftësinë e të parit, si dhe përsëritjet e shpeshta të DMM. Për këto arsye, praktikisht kjo metodë nuk përdoret më.

Medikamentet

Trajtimet e DMM-s atrofike

Reoforeza: ky trajtim është i ngjashëm me dializën. Disa proteina të gjakut filtrohen, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe furnizimin me gjak të syrit. 

Operacionet

Ndërhyrja kirurgjikale konsiston në fiksimin e makulës së dëmtuar mbi një zonë të shëndetshme të retinës. Kjo ndërhyrje nuk praktikohet në rutinën e përditshme, por ka rezultuar mjaft efikase në studimet klinike. 

Degjenerimi makular i lidhur me moshën (DMM) nuk shkakton verbim të plotë të pacientit. Megjithatë, shpejtësia e përparimit të sëmundjes është e ndryshme në pacientë të ndryshëm, duke vështirësuar gjithnjë e më shumë leximin dhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Madje, në rastet e rënda, edhe nëse pacienti nuk është verbuar plotësisht, ai konsiderohet dhe duhet të trajtohet si i verbër, duke u mbështetur nga insitucionet që sigurojnë invalidët.

Parandalimi

Parandalimi i DMM konsiston në mospirjen e duhanit, dhe mbrojtjen e syve me ndihmën e syzeve me filtër mbrojtës ndaj rrezeve ultravjollcë.  
 

Degjenerimi makular: pirja e duhanit konsiderohet një faktor rreziku.
Degjenerimi makular: pirja e duhanit konsiderohet një faktor rreziku.

Duhanpirja përbën një faktor të rëndësishëm të rrezikut për degjenerimin makular. Pikërisht për këtë arsye, për të parandaluar shfaqjen e kësaj sëmundjeje, rekomandohet ndërprerja e duhanit dhe evitimi i ekspozimit ndaj tymit të tij. 

Mbi moshën 50 vjeç, rekomandohen kontrolle të rregullta çdo vit tek mjeku okulist.

Personat që kanë të afërm të diagnostikuar me degjenerim makular të lidhur me moshën (DMM), duhet të kryejnë kontrolle të rregullta tek mjeku okulist, pavarësisht moshës së tyre.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.