logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Limfedema: grumbullimi i dukshëm i lëngjeve në gjymtyrë.
Limfedema: grumbullimi i dukshëm i lëngjeve në gjymtyrë.
Me termin limfedemë nënkuptojmë ënjtjen e indeve për shkak të mbajtjes së lëngjeve nga sistemi vaskular. Pra, kemi të bëjmë me një grumbullim të lëngshëm, të dukshëm dhe të palpueshëm në hapësirën ndërqelizore. Limfedema më shpesh shfaqet në gjymtyrë, por gjithashtu mund të shfaqet edhe në fytyrë, qafë, trung dhe organet gjenitale të jashtme femërore dhe mashkullore.

Lëngu limfatik është i pasur me proteina, kështu që në rastin e limfedemës, në kontrast me edemat e tjera, ndodh një grumbullim në inde i lëngjeve të pasura me proteina. Ky fenomen shkakton një reagim inflamator, i cili çon në një shtim të indit lidhor. Me kalimin e kohës, kjo çon në ngurtësim në rritje të indeve, me dëmtim funksional të tyre, ndjeshmëri ndaj infeksioneve, dhimbje dhe një tendencë për plagë kronike.
Enët limfatike, të cilat kalojnë nëpër trupin e njeriut si një rrjet i dendur, normalisht sigurojnë që lëngu i tepërt i indeve, si dhe disa substanca dhe patogjenë, të largohen nga indet. Ky kullim limfatik ndërpritet në rastin e sëmundjeve ose dëmtimit të enëve limfatike nga inflamacione, infeksione, ngushtime/bllokime, operacione ose rrezatime. Në të gjitha këto raste zhvillohet limfedema.

Në varësi të shkaqeve, bëhet një dallim midis limfedemës parësore dhe asaj dytësore.

Limfedema parësore

Limfedema parësore bazohet në një çrregullim gjenetik të zhvillimit të sistemit limfatik. Mund të shfaqet në një familje, dhe në këtë rast flitet për një limfedemë të trashëguar. Më shpesh janë ndryshime gjenetike spontane, që do të thotë se anëtarët e tjerë të familjes nuk preken. Limfedema parësore shfaqet kryesisht tek gratë dhe adoleshentët (mosha kulmore 17 vjeç). Ndonjëherë, megjithatë, ato janë të zbulueshme edhe gjatë lindjes ose në foshnjëri, ose shfaqen vetëm në fazat e mëvonshme të jetës.

Limfedema dytësore

Shkaqet e mundshme të saj janë:
  • Trajtimi i tumoreve malinje, shpesh me rrezatim (p.sh. kanceri i gjirit, kanceri i lëkurës, kanceri i prostatës, etj.)
  • Lëndimet e ndryshme
  • Operacionet (p.sh. heqja e venave me variçe, heqja e venave për të krijuar një anashkalim - baipas- në zemër, operacionet e enëve të gjakut të këmbëve)
  • Erizipela, një infeksion i lëkurës i shkaktuar nga bakteret: në çdo rast me skuqje të lëkurës që nuk shpjegohet, duhet të dyshohet për dëmtim të enëve limfatike dhe duhet të sqarohet.
  • Infeksioni nga krimbat fijëzorë  (filariasis): shkaku më i zakonshëm i limfedemës në të gjithë botën
  • Vetë-lëndiimi nga ana e pacientit, zakonisht nëpërmjet gërvishtjes së gjymtyrëve. 
Limfedema shfaqet si një ënjtje e njëanshme e gjymtyrëve, që nëse nuk trajtohet përparon në formën kronike. Shpesh në zonën e enjtur, pacienti ka një ndjenjë rëndese dhe tensioni, rrallë ankon për dhimbje.

Ndërsa limfedema parësore fillon zakonisht në këmbë ose në dorë, limfedema dytësore fillon në kofshë ose në pjesën e sipërme të krahëve. Limfedema e trungut ose gjoksit është kryesisht pa simptoma.

Ekzistojnë 4 faza të limfedemës:

  • Faza 0, faza latente: enët limfatike janë të dëmtuara, por ende nuk shfaqen simptoma.
  • Faza 1, faza e kthyeshme: ënjtja është e butë, shtypja me gishtin e madh lë shenjë. Edema largohet pas ngritjes së gjymtyrëve ose gjatë natës, kështu që është e kthyeshme (gjendja fillestare mund të rikthehet).
  • Faza 2, faza spontanisht e pakthyeshme: edema bëhet gjithnjë e më e theksuar për shkak të shtimit të indit lidhor, shtypja me gishtin e madh nuk lë shenjë ose lë një shenjë të lehtë, nuk pakësohet pas ngritjes lart të gjymtyrëve (gjendje e pakthyeshme, gjendja fillestare nuk mund të rikthehet).
  • Faza 3, elefantiaza: ndryshime të gjera të indit lidhor, shtim i indit dhjamor, ënjtje të mëdha të gjymtyrëve, lëvizshmëri e kufizuar, ndërlikime shoqëruese.
Diagnoza është zakonisht e lehtë për specialistin. Njohja e tij në mënyrë të hollësishme me historinë e edemës dhe ekzaminimi klinik janë pothuajse gjithmonë të mjaftueshme.

Gjithmonë është e rëndësishme të vërtetohet se ekziston një shtim i indit lidhor në lëkurë, e cila mund të konfirmohet nga një trashësi e lëkurës mbi 2 mm. Kjo është dëshmi e pranisë së limfedemës. Nëse kjo shfaqet në gishtin e dytë të këmbës ose të dorës, konstatohet një palosje e lëkurës (Stemmer), që është e vështirë ose e pamundur për t'u larguar. Ekzaminimi kryhet me gishtërinj (dorezë, piskatore) ose me ndihmën e një pajisjeje matëse. Mungesa e kësaj shenje nuk e përjashton limfedemën. Një ekzaminim me ultratinguj i enëve të gjakut dhe indeve është pothuajse gjithmonë i nevojshëm, në mënyrë që të njihen sëmundjet bashkëshoqëruese dhe të matet trashësia e lëkurës, si dhe të përcaktohet vëllimi. Shumë rrallë mund të kërkohen proçedura të tjera teknike.

Trajtimi konservativ

Baza e çdo trajtimi konservativ të limfedemës është e ashtuquajtura terapi komplekse dekongjestive fizike (TKDF), pra për uljen e edemës, që përbëhet nga 
  • drenimi (kullimi) limfatik manual (me duar)
  • teknika masazhesh për të stimuluar enët limfatike
  • terapi kompresimi (me fashë dhe/ose elemente të tjera shtrënguese, të qepura ose të thurrura)
  • ushtrime gjimnastikore 
  • trajtim intensiv i lëkurës.
Fillimisht, kërkohet një fazë dekongjestive (zakonisht 1 deri në 2 javë, ndonjëherë edhe më gjatë) me TKDF të përditshme dhe veshje për kompresim, të cilat mund të kryhen në kushte ambulatore, ose, në raste të rënda, gjatë qëndrimit në spital. Qëllimi është ulja e edemës dhe lirimi i indit lidhor.

Në fazën e optimizimit dhe mirëmbajtjes, TKDF përdoret një ose dy herë në javë, nëse është e nevojshme edhe me mbajtjen e një fashe kompresimi. Në ditët e mbetura, mbahet fasha e kompresimit. Si rregull, këto masa duhet të aplikohen për gjithë jetën. Kjo mund të relizohet me bashkëpunimin e një rrjeti limfologjik të mjekëve, terapistëve limfatikë dhe specialistëve me përvojë ortopedike.

Medikamentet

Marrja e rregullt e shkarkuesve (diuretikëve) duhet të refuzohet nëse ato nuk përdoren për të trajtuar një sëmundje tjetër (p.sh. dështimi i zemrës, presioni i lartë i gjakut), pasi ato rrisin përqendrimin e proteinave në inde dhe kështu nxisin shtimin e indit lidhor.

Trajtimi kirurgjikal
Proçedurat kirurgjikale (transplantimi i enëve limfatike ose nyjeve limfatike, lidhjet midis enëve limfatike ose midis enëve limfatike dhe venave) janë veçanërisht të dobishme në kushte të caktuara për limfedemën dytësore. Këto gjithmonë duhet të paraprihen nga një terapi konservative 6-mujore. Meqenëse shumë limfedema shndërrohen në inde dhjamore gjatë rrjedhës së tyre, heqja e dhjamit rekomandohet gjithnjë e më shumë në të tilla raste. Aktualisht, rëndësia e tyre nuk mund të vlerësohet, dhe vendimi mbi mënyrën e trajtimit mbetet sipas rastit, në duart e specialistëve me përvojë.
Ndërlikimet janë veçanërisht të zakonshme në fazat 2 dhe 3. 
Këto janë:
  • Kistet limfatike: zgjerimi i kufizuar i enëve limfatike në lëkurë
  • Fistula limfatike: hapje e murit të enëve limfatike me shkarkim brenda ose jashtë
  • Variçet limfatike
  • Erizipela: infeksion i lëkurës i shkaktuar nga bakteret
  • Kanceri vaskular i limfës (limfangiosarkoma): tumor malinj jashtëzakonisht i rrezikshëm, shumë i rrallë, veçanërisht në limfedemën e patrajtuar pas terapisë me rrezatim
  • Plagë që nuk shërohen 
  • Kufizimet në lëvizje për shkak të forcimit të indit lidhor në rritje, me dëmtimin e tendineve, ligamenteve dhe  kyçeve.
Parandalimi i limfedemës parësore aktualisht nuk është i mundur. Ashtu si edhe në limfedemën dytësore, diagnoza dhe terapia e hershme është e rëndësishme për të shmangur fazat e avancuara të sëmundjes.

Të konsiderohen kritike, dhe në çdo rast të kërkohet shpjegim nga mjeku, përpara një ndërhyrjeje për:  
  • Baipas për sëmundje të zemrës: të kryhet vetëm në raste individuale të përcaktuara nga mjeku, duke mbrojtur enët limfatike.
  • Operacionet e venave me variçe: vetëm kur është me të vërtetë e nevojshme
  • Heqja e nyjeve limfatike për qëllime diagnostike: vetëm kur është absolutisht e nevojshme
  • Gjithashtu, është e rëndësishme që të merrni këshilla të kualifikuara mjekësore përpara se të udhëtoni në vendet ku infeksionet e krimbave fijëzorë (filari) janë të zakonshëm.
Për të parandaluar erizipelën, pacientët me limfedemë të njohur duhet të marrin në konsideratë këto këshilla:
  • Shmangni këpucët e ngushta, pasi mund të shkaktojnë irritime dhe fshikëza në lëkurë nga presioni.
  • Shmangni shëtitjet zbathur jashtë apartamentit.
  • Vishni këpucë banje kur bëni banjë në pishina dhe në det.
  • Përdorni pantallona të gjata dhe doreza gjatë kopshtarisë.
  • Përdorni pantallona të gjata dhe veshje me mëngë të gjata kur merreni me kafshët shtëpiake.
  • Nëse ekziston rreziku i kafshimit të insekteve, përdorni pantallona të gjata, çorape, këpucë të mbyllura dhe veshje me mëngë të gjata.
  • Përdorni doreza kur punoni me objekte me majë.
  • Përdorni doreza gome kur shpëlani.
  • Shmangni dëmtimet e lëkurës gjatë kujdesit të thonjve.
  • Tregoni kujdes të vazhdueshëm për lëkurën e thatë.
  • Shmangni zonat e mushkonjave dhe djegien nga dielli gjatë pushimeve.
  • Merrni gjithmonë me vete një antibiotik të përshtatshëm gjatë pushimeve.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.