logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Gjakderdhja nga hunda: ka shkaqe të ndryshme.
Gjakderdhja nga hunda: ka shkaqe të ndryshme.
Gjakrrjedhja nga hunda shkaktohet zakonisht nga çarja e një arterieje në nivelin e mukozës (pjesës së brendshme) të hundës, që në numrin më të madh të rasteve (rreth 80%)  ndodh në pjesën e përparme të ndarëses së hundës (septumi nazal). Këto gjakrrjedhje rrallë shoqërohen me humbje të sasive të mëdha të gjakut, dhe vetëm 6% e rasteve kanë nevojë për ndjekje nga personeli mjekësor.

Shkaku më i rëndësishëm i gjakrrjedhjeve nga hunda janë shfryrjet me forcë të saj. Gjithashtu, shpesh mund të shërbejnë si shkak edhe dëmtimet e mukozës  gjatë kruarjes së hundës, veçanërisht tek fëmijët, ose rëniet dhe goditjet e pësuara në atë zonë. Në përgjithësi, identifikimi i shkakut përgjegjës për gjakrrjedhjen është mjaft i lehtë.

Gjakrrjedhja nga hunda mund të favorizohet edhe nga situata të ndryshme mjekësore, veçanërisht kur mukoza e hundës është mjaft e pasur me enë gjaku, kur ka tharje të theksuar, ose  kur është e traumatizuar (e goditur). Ndër këto situata mund të përmendim:

  • Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes (gripi, ftohja)
  • Hipertensionin arterial
  • Frakturat e kokës (thyerja e kockave të kokës)
  • Hemofilia (sëmundja e mpiksjes së pamjaftueshme të gjakut)
  • Leuçemia (kancer i gjakut)
  • Tumoret e hundës
  • Tharja e theksuar e ajrit në rastet e ngrohjes së egzagjeruar të ambientit (gjatë dimrit)
  • Anomalitë e enëve të gjakut, që irritojnë mukozën e hundës.

Ky fenomen mund të jetë pasojë edhe e përdorimit të medikamenteve që hollojnë gjakun (aspirina, sintromi), si dhe antialgjikët (që përdoren kundër dhimbjes), ose substancat kimike që irritojnë mukozën e hundës.

Gjakderdhja e hundës: zakonisht  kalon shpejt.
Gjakderdhja e hundës: zakonisht kalon shpejt.
Çdo person i rritur e kalon të paktën një episod me gjakrrjedhje nga hunda gjatë jetës së tij.
Gjakderdhja nga hunda: tamponat e hundës duhet të ndalojnë gjakderdhjen.
Gjakderdhja nga hunda: tamponat e hundës duhet të ndalojnë gjakderdhjen.

Mjaft i rëndësishëm për trajtimin e gjakrrjedhjes nga hunda është evidentimi i shkakut, nëpërmjet të dhënave të hollësishme që referon pacienti në momentin që ai paraqitet tek mjeku.

Në rast se kjo situatë është shkaktuar nga hemofilia, nga një sëmundje tjetër, ose nga marrja e medikamenteve të caktuara, duhet domosdoshmërisht të trajtohet shkaku. Kur sasia e gjakut të humbur nga hunda është e madhe, mjeku duhet ta ndalojë rrjedhjen e gjakut nëpërmjet shtypjes së enës së gjakut me anën e një tamponi.

Në raste shumë të rralla mund të jetë i nevojshëm sklerotizimi i enës që ka hemorragji (djegia e enës së gjakut në vendin e çarë).

Çfarë mund të bëjmë vetë?

  • Të qëndroni në pozicionin ulur qetësisht. Kujdes: nuk duhet të shtriheni!
  • Të shtypet hunda me gishtin e madh dhe atë tregues, për të paktën 10 minuta.
  • Të vendosni kompresa të ftohta, me akull, mbi hundë dhe në qafë, në mënyrë që të ngushtohen enët e gjakut dhe të ndërpritet hemorragjia.
  • Të mos preket zona e dëmtuar e hundës, për të paktën 2 orë.
  • Tamponët e përdorur si më sipër, mund të lagen paraprakisht me substanca që ndalojnë hemorragjinë.


Pas 10 minutash, hemorragjia duhet të jetë dominuar, të paktën në atë masë sa ta lejojë personin përkatës të lëvizë përsëri.

Mukoza e hundës është mjaft e pasur me enë gjaku, duke shërbyer në këtë mënyrë për ngrohjen e ajrit që kalon në të gjatë proçesit të frymëmarrjes. Megjithatë, edhe nëse hemorragjia nga hunda është e rëndësishme, kjo nuk do të thotë që është prekur domosdoshmërisht një enë e madhe e gjakut.

Në kushte normale, në një organizëm të shëndetshëm, zona e dëmtuar shërohet plotësisht dhe formon cikatrice pas 2 javëve nga episodi i gjakrrjedhjes. Megjithatë, nëse personi që kaloi episodin, shfryn hundët me presion ose e ngacmon mukozën me gishta, atëherë cikatricja e sapoformuar mund të acarohet dhe të fillojë përsëri hemorragja. Gjakrrjedhjet nga hunda, që zgjasin ose përsëriten shpesh, kanë nevojë për konsultë dhe ndjekje nga mjeku specialist otorino-laringolog (ORL).

Gjakderdhja nga hunda:  evitim i acarimit të panevojshëm të mukozës së hundës.
Gjakderdhja nga hunda: evitim i acarimit të panevojshëm të mukozës së hundës.

Parandalimi i gjakrrjedhjeve nga hunda bazohet mbi trajtimin ose eleminimin e situatave mjekësore (sëmundje dhe/ose medikamente), që mund të jenë shkaku i hemorragjisë.

Mënyra më e mirë praktike për të evituar këtë fenomen është evitimi i ngacmimit të mukozës së hundës nga kruajtjet e pakujdeshme të saj, me thonj të gjatë dhe të papastër.

Gjithashtu, duhet bërë kujdes gjatë shfryrjes së hundëve, të mos ushtrohet shumë presion. Në dimër, për të evituar tharjen e tepërt të ajrit, mund të përdoren lagështuesa të ajrit, në mënyrë që të mos thahet mukoza e hundës, dhe më pas të mos jetë e prirur të bëjë hemorragji.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.