logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Epilepsia tek të moshuarit: krizat epileptike pas moshës 65 vjeç.
Epilepsia tek të moshuarit: krizat epileptike pas moshës 65 vjeç.
  • Termi «epilepsi tek personat e moshuar» përfaqëson shfaqjen e të paktën dy krizave të paprovokuara të epilepsisë brenda 24 orëve, tek personat me moshë mbi 65 vjeç. Format e epilepsisë që shfaqen në fëmijëri ose adoleshencë nuk trajtohen në këtë rubrikë. Shih rubrikën: Epilepsia, krizat konvulsive.  
  • Për nga shpeshtësia, epilepsia e personave të moshuar renditet e treta ndër sëmundjet e sistemit nervor, pas sëmundjes Alzheimer dhe aksidenteve të enëve të gjakut të trurit. Në përgjithësi, numri i rasteve të diagnostikuara me këtë sëmundje është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë së njerëzve, por edhe i përparimit të mjekësisë. 
  • Duke patur parasysh veçoritë e moshës së tretë (personave të moshuar), trajtimi i kësaj sëmundjeje në këtë moshë duhet të jetë sa më efektiv. Kjo për faktin, se gjatë krizave epileptike pacientët e moshuar mund të lëndohen. Ky rrezik është edhe më i lartë tek ata pacientë që jetojnë vetëm, pasi nuk janë në gjendje të marrin medikamentet apo të njoftojnë ndihmën e parë.

Në dy të tretën e rasteve të epilepsisë tek të moshuarit, si shkak i sëmundjes konsiderohen çrregullimet e qarkullimit të gjakut në nivelin e trurit. Pjesa tjetër e rasteve mbetet me origjinë nga: 

Epilepsia tek të moshuarit: krizat konvulsive.
Epilepsia tek të moshuarit: krizat konvulsive.

Forma e krizës epileptike varet nga shkaku i epilepsisë.

Krizat konvulsive (me dridhje) janë të ndryshme, në varësi të formës, lokale apo të përgjithshme (në të gjithë trupin). Për pasojë, edhe ecuria e tyre mund të jetë me kriza të thjeshta (me ose pa çrregullim të vetëdijes) deri në krizat e quajtura «grand mal», që karakterizohen nga prania e dridhjeve të forta dhe ngërçeve muskulare, humbja e vetëdijes, që mund të arrijë deri në gjendjen e statusit epileptik, që përbën një urgjencë mjekësore.

Një e treta e krizave akute (të menjëhershme) me simptoma tipike, që shfaqen tek personat e moshuar, janë të formës së statusit epileptik. Në këtë formë, krizat konvulsive shfaqen në mënyrë të njëpasnjëshme, shumë afër njëra-tjetrës, duke mos e lejuar pacientin të rimarrë veten në intervalin kohor ndërmjet dy krizave.

Në epilepsinë e të moshuarit, menjëherë pas kalimit të krizës epileptike, shpesh shfaqen çrregullime të ndërgjegjes të tipit: çrregullime të të folurit (të artikulimit të fjalëve) dhe të funksioneve të tjera, si dhe gjendje konfuzioni (pështjellimi). Këto simptoma mund të zgjasin për disa ditë.

Diagnoza e epilepsisë në personat e moshuar vendoset nga mjeku specialist neurolog, duke u bazuar në:

  • Historinë e detajuar të sëmundjes, të përftuar nga pacienti vetë dhe/ose familjarët  ose kujdestarët e tij.
  • Natyrën e simptomave të pacientit, faktorët që i shpërthejnë ato, etj.
  • Informimin e mjekut lidhur me praninë e sëmundjeve të tjera shoqëruese.
  • Kryerjen e rezonancës magnetike të kokës, veçanërisht pas një krize të shfaqur për herë të parë. 
Epilepsia tek të moshuarit: trajtimi me medikamente.
Epilepsia tek të moshuarit: trajtimi me medikamente.

Objektivi i trajtimit të epilepsisë tek personat e moshuar është: 

  • Evitimi i aksidenteve dhe lëndimeve të pacientit gjatë krizave epileptike
  • Ruajtja e organizimit të përditshëm dhe pavarësisë së pacientit
  • Eleminimi i pasigurive dhe paragjykimeve të pacientëve dhe/ose familjarëve dhe miqve të tyre. 

Parandalimi i krizës epileptike

Trajtimi me medikamentet specifike antiepileptike ka për qëllim parandalimin e shfaqjes së krizave epileptike. Tipi i medikamentit antiepileptik përzgjidhet nga mjeku specialist neurolog, në varësi të tipit të epilepsisë. Ky trajtim konsiderohet efikas nëse nuk shfaqen krizat.

Meqenëse pacienti i moshuar, përveç medikamenteve për epilepsinë, shpesh përdor edhe medikamente të tjera, për sëmundje të tjera kronike (si hipertensioni, sëmundjet e arterieve koronare, yndyrnat e larta në gjak, diabeti i sheqerit, etj), mjeku neurolog duhet të informohet lidhur me çdo medikament që përdor i sëmuri, pasi shumë medikamente mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin.

Masa të tjera ndihmëse

Epilepsia tek të moshuarit perceptohet shpesh si një kërcënim për pacientët dhe familjarët e tyre. Për pacientin është e rëndësishme një jetë aktive dhe e pavarur, pavarësisht pranisë së epilepsisë. Shpesh, familjarët e këtyre pacientëve tregohen më të kujdesshëm, sesa duhet ndaj tyre, me tendencën që t’i kufizojnë nga aktiviteti i tyre i përditshëm.

Marrja e medikamenteve në mënyrë të rregullt përbën një problem madhor, veçanërisht tek personat që jetojnë vetëm. Në këto raste, mund të gjendet një zgjidhje, me ndihmën e mjekut trajtues. 

Medikamentet

Aktualisht, për trajtimin e epilepsisë disponohen medikamente të reja antiepileptike, që tolerohen mirë nga ana e pacientëve. Shpesh, tek personat e moshuar, për stabilizimin e gjendjes mjaftojnë doza më të vogla të këtyre medikamenteve se ato që përdoren tek të rinjtë. 

Masat Psikologjike

Terapia e sjelljes, që përfshin njohuritë kryesore mbi shenjat që tregojnë fillimin e krizës, dhe masat e menjëhershme që duhet të merren në këto raste.

Procedurat emergjente (ndihma e parë)

Në  përgjithësi, mjafton që të sigurohet pacienti, duke e tërhequr nga ndonjë zonë që paraqet rrezik, siç është p.sh. rruga, dhe duke e vendosur atë mundësisht në pozicionin anësor të sigurisë. Pacienti nuk duhet të mbahet shtrënguar, se rrezikon të lëndohet. 

Ndihma e parë në rastin e krizës epileptike:

  • Në rastet me epilepsi të njohur, duhet të aplikohen menjëherë medikamentet e urgjencës (psh. suposte të valiumit).
  • Të njoftohet sa më shpejt shërbimi i ndihmës së shpejtë.
  • Pacienti nuk duhet të lihet për asnjë çast vetëm.

Trajtimi medikamentoz i epilepsisë së të moshuarve duhet të kryhet në mënyrë të rregullt. Krahas kësaj, duhet të evitohen faktorët shpërthyes të krizave, të tillë si rënia e nivelit të sheqerit në gjak (hipoglicemia), ngacmimet e forta pamore dhe dëgjimore, situatat e stresit fizik dhe psiqik, abuzimi me alkoolin , abuzimi me drogat, përdorimi i disa medikamenteve, mungesa e gjumit, etj.

Drejtimi i automjetit dhe epilepsia

Në parim, personi epileptik mund të drejtojë përsëri automjetin në rast se nuk ka patur asnjë krizë epileptike gjatë një viti nën trajtim me medikamente specifike antiepileptike. Pas shfaqjes së krizës së parë (epilepsi e sapodiagnostikuar) ndalohet drejtimi i automjetit gjatë të paktën tre muajve.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.