Infeksioni nga Klamidia
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Klamidiet përfaqësojnë bakterie që mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme. Më e rëndësishmja në këtë drejtim është Klamidia Trakomatis, përgjegjëse për sëmundjet e mëposhtme:
- Infeksioni klasik nga Klamidia: sëmundja veneriane më e shpeshtë, që shkakton uretrit (inflamacion të kanalit që nxjerr urinën nga fshikëza e urinës) jospecifik.
- Limfogranuloma veneriane: sëmundje seksualisht e transmetueshme. Tabloja klinike e saj është trajtuar e ndarë.
- Trakoma: sëmundje infektive e syve, që mund të shkaktojë verbim.
Tipe të tjera të Klamidias:
- Klamidia pneumonie: që shkakton pneumoni, pra inflamacion të mushkërive.
- Klamidia psitaki: është një bakter që shkakton sëmundjen e papagallit (psitakoza), që transmetohet nga zogjtë (papagajtë, pëllumbat), dhe që shkakton gjithashtu pneumoni. Transmetimi kryhet nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, kur nuhaten feçet e thara të zogjve të infektuar.

Klamidia trakomatis është një parazit karakteristik i mukozave. Infeksioni klasik prej saj transmetohet në pjesën më të madhe të rasteve nëpërmjet marrëdhënieve seksuale të pambrojtura.

Në përgjithësi, simptomat janë të lehta, të pakta, madje edhe mund të mungojnë. Ato janë të ndryshme tek meshkujt dhe tek femrat.
Tek meshkujt:
- Inflamacioni i uretrës dhe inflamacioni i prostatës, që manifestohet me dhimbje gjatë urinimit, sekrecione, djegie dhe të kruajtura.
- Inflamacioni i rektumit (pjesës fundore të zorrës së trashë), me sekrecione, dhimbje dhe diarre.
Tek femrat:
- Inflamacioni i uretrës dhe/ose inflamacioni i qafës së mitrës, me sekrecione vaginale, djegie gjatë urininimit dhe të kruajtura.

Për diagnostikimin e infeksionit nga Klamidia, janë të nevojshme:
- Tek meshkujt: strisho (marrja e kampionit) e sekrecioneve të uretrës (kanalit që nxjerr urinën nga fshikëza e urinës)
- Tek femrat: strisho e qafës së mitrës.
- Marrje e kampionit nga sekrecionet e konjuktivës së syrit.

Kjo sëmundje bakteriale duhet të trajtohet me antibiotikë, në një fazë sa më të hershme. Vetëm në këtë mënyrë mjekimi rezulton efikas dhe parandalohen ndërlikimet e mundshme. Është thelbësore që të trajtohet në të njëjtën kohë edhe partneri seksual, që të mos ndodhë riinfektimi pas shërimit.
Në rast se trakoma diagnostikohet në një stad të avancuar, mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.
Këshilla: Rreziku i infeksionit është i lartë tek personat me partnerë të shumtë seksualë. Përdorimi i prezervativëve përbën mënyrën më të sigurt për mbrojtjen ndaj këtyre infeksioneve.
Trajtimi i hershëm i këtyre infeksioneve parandalon shfaqjen e komplikacioneve të tyre.
Tek femrat: infeksionet e patrajtuara mund të shkaktojnë sterilitet ose pengesa në tubat e Fallopit, që mund të jenë shkaku i një shtatzënie jashtë mitrës.

Personat që kanë partnerë seksualë të shumtë janë më të rrezikuar për t’u infektuar nga Klamidia. E vetmja mënyrë efikase e mbrojtjes në këtë drejtim është përdorimi i prezervativit gjatë marrëdhënieve seksuale.