Dobësimi i imunitetit (Imunodepresioni, Ulja e imunitetit)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Organizmi ynë gjendet në mënyrë të vazhdueshme dhe të përhershme përballë agjentëve patogjenë apo, thënë ndryshe, mikrobeve që shkaktojnë sëmundje. Sistemi imunitar përfaqëson barrierën mbrojtëse të tij, që pengon hyrjen dhe shumëzimin e këtyre mikrobeve.
Ulja e imunitetit nuk përfaqëson një sëmundje të mirëfilltë, por thjesht një faktor ekspozues për persona të caktuar, gjë që e bën më të lehtë dhe më të shpeshtë prekjen e tyre nga sëmundjet. Përveç sëmundjeve kronike ose akute, edhe stresi i përditshëm është shpesh përgjegjës për harxhimin e rezervave të organizmit dhe, për pasojë, edhe për dobësimin e sistemit imunitar. Njihen dy tipe të imunitetit të dobësuar: tipi kongenital (i lindur) që është më i rrallë, dhe ai i fituar.
Si faktorë shkaktarë të uljes së imunitetit përmendim:
- Ftohjet e shpeshta
- Sëmundjet kronike
- Mosha
- Infesioni nga HIV
- Ushqyerja jo e shëndetshme (e varfër në fruta dhe perime)
- Pak ose shumë pak aktivitet sportiv
- Mbingarkesa psiqike (lodhja mendore)
- Mungesa e gjumit
- Gjendje stresante të zgjatura, me faza të pamjaftueshme të relaksimit
- Ulja e lindur e imunitetit
- Tumoret malinje, leuçemia
- Pas heqjes së shpretkës, organizmi është më i ndjeshëm ndaj infeksioneve bakteriale
- Konsumi i sasive të mëdha të alkoolit, pirja për kohë të gjatë e duhanit dhe përdorimi i drogave.

- Ndjesia e të qënit sëmurë, me dobësi trupore dhe lodhje të vazhdueshme.
- Ndjeshmëria e lartë ndaj infeksioneve nga bakteriet, viruset, mykrat dhe mikrobet e tjera.
Ulja e imunitetit nuk është sëmundje. Nëse ndiheni të lodhur dhe të dobët për një periudhë të gjatë kohore, nëse prekeni shpesh nga virozat dhe nëse simptomat shoqëruese të tyre janë të rëndësishme, rekomandohet konsulta me një mjek. Gjithashtu, kjo vlen edhe për personat që kalojnë shpesh gjendje depresive.
- Bima e ekinaces mendohet se forcon imunitetin dhe rekomandohet të përdoret edhe për efekt parandalues, në rastet e ftohjeve, gripit ose të infeksioneve të shpeshta të rrugëve të frymëmarrjes. Gjithsesi, studimet e kohëve të fundit nuk e kanë konfirmuar këtë efekt pozitiv të saj kundrejt infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes dhe ftohjeve.
- Mungesa e vitaminës C dobëson mbrojtjen e organizmit dhe provokon ndjesinë e lodhjes dhe të dobësisë trupore, duke favorizuar infektimin e lehtë dhe të shpeshtë të tij nga bakteriet. Vitamina C gjendet në fruta dhe perime (veçanërisht tek limoni, rrushi, specat, lulelakra dhe brokoli). Këto produkte janë të rekomandueshme pas një sforcimi fizik ose psiqik të zgjatur ose në stinën e ftohtë të vitit.
- Zinku, që është një oligo-element, forcon gjithashtu sistemin imunitar. Ai gjendet në mënyrë natyrale tek tërshëra, mishi (të gjtha llojet e tij, edhe tek të brendshmet e shpendëve), trofta ose peshku i freskët. Ai mund të përdoret gjithashtu edhe në formën e tabletave, si suplement ushqimor.
Çfarë mund të bëjmë vetë?
Individët me imunitet të dobësuar duhet të respektojnë këto masa të përgjithshme:
- Shëtitje të rregullta në ajër të pastër, edhe nëse është mot i ftohtë (nuk ekziston moti i keq, por thjesht veshjet e këqia).
- Aktivitet fizik i rregullt, mundësisht në ambiente të hapura.
- Ushqyerje e shëndetshme dhe e ekuilibruar, e pasur me fruta dhe perime të freskëta.
- Temperaturë jo shumë e lartë e ambientit (në dhomën e gjumit jo mbi 20°C)
- Të konsumohen të paktën 2-3 litra lëngje në ditë, të tipit ujë, çaj ose lëngje frutash të holluara.
- Të evitohet i ftohti dhe lagështira tek këmbët (jo këmbë të lagura dhe të ftohta)
- Dushi me ujë të nxehtë/të ftohtë (me alternime) nxit qarkullimin e gjakut dhe ndihmon sistemin imunitar. Edhe seancat e rregullta të saunas konsiderohen të dobishme në këtë drejtim.
- Larja e shpeshtë e duarve mbron nga infeksionet.
- Ndërprerja e duhanit, alkoolit dhe drogave.
- Evitim i kontaktit me persona të sëmurë me të ftohtë.