Hipoparatireoza
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Gjendrat paratiroide janë 4, në formën e thjerrëzave, të vendosura në pjesën e përparme të qafës, në katër polet e gjendrës tiroide. Ato prodhojnë hormonin e paratiroides (PTH), i cili rregullon nivelin e kalciumit në organizëm, duke mos lejuar rënien e tij.
Hipoparatireoza përfaqëson uljen e funksionit të gjendrave paratiroide, që reflektohet me uljen e nivelit të PTH dhe, për pasojë, edhe të nivelit të kalciumit në gjak.
Në pjesën më të madhe të rasteve, hipoparatireoza shkaktohet nga heqja pa dashje e gjendrave paratiroide gjatë ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e tiroides (tiroidektomia), pra nga një gabim mjekësor. Për këtë arsye, sa herë që mjeku kirurg kryen këtë tip operacioni, duhet të jetë mjaft i kujdesshëm në ruajtjen e gjendrave paratiroide të paprekura. Por gjithsesi, meqenëse ato gjenden shumë pranë gjendrës tiroide, kjo nuk është gjithmonë e mundur.
Shkaqe të tjera:- Rrezatimi i qafës
- Sëmundjet autoimune, me antitrupa që luftojnë qelizat e paratiroides dhe i shkatërrojnë ato.
- Mungesa e theksuar e magneziumit, për periudha të gjata kohore.

- Shqetësimi kryesor i pacientit në këtë rast janë ngërçet muskulare në fytyrë, në krahë ose në këmbë, të shkaktuara nga mungesa e kalciumit në gjak. Ato mund të zgjasin nga disa minuta deri në disa orë.
- Tendosja e muskujve të organeve të tjera si mushkëria, zorra, fshikëza e urinës, mund të shkaktojë përkatësisht vështirësi në frymëmarrje, diarre ose një dëshirë të shpeshtë për të urinuar.
- Mpirja në parakrahë, në duar ose në fytyrë, e shoqëruar me një ndjenjë frike, irritimi ose axhitimi. Ndryshe nga krizat e epilepsisë, gjatë tetanisë nuk ndodh humbje e ndërgjegjes.
- Personat që vuajnë nga tetania muskulare kanë një pamje të jashtme tipike, që karakterizohet nga duar dhe këmbë të harkuara dhe "goja e peshkut".
- Tregues të tjerë të mungesës së kalciumit janë: rënia e flokëve, katarakti dhe lëkura e thatë.

Diagnoza e hipoparatireozës bazohet tek:
- Informimi i mjekut mbi historinë e fillimit të sëmundjes, simptomat e pacientit, historinë personale lidhur me ndërhyrje kirurgjikale në të kaluarën, sëmundje të tjera autoimune, etj.
- Matja e nivelit të kalciumit në gjak
Egzaminimi trupor
Tendenca për tetani mund të konstatohet me anën e disa egzaminimeve të thjeshta mjekësore:
- Shenja e Cvostek-ut: në rastin e tendencës për tetani, një goditje e lehtë e nervit facial (të fytyrës) në zonën përpara veshit, shkakton një tërheqje të muskujve (ngërdheshje) në atë anë të fytyrës.
- Shenja e Truso-s: në rastin e tendencës për tetani, shtypja e krahut si psh. në rastin e shtrëngimit të tij me manshetën e aparatit që mat tensionin, provokon një deformim të dorës përkatëse, që njihet si “dora e obstetrit“.
Egzaminime të tjera
- Egzaminimi i syve nga specialisti okulist për të përjashtuar praninë e kataraktit.
- Skaneri ose rezonanca magnetike e kokës për të përjashtuar sëmundje të tjera që mund të shkaktojnë ngërçet muskulare.

Trajtimi synon realizimin e qëllimit final, që është normalizimi i nivelit të kalciumit në gjak. Ai konsiston në përdorimin e këtyre medikamenteve:
- Pilulat e vitaminës D dhe kalciumit nga goja.
- Injeksioni me rrugë venoze i kalciumit, në rastet e ngërçeve muskulare.
- Pacientëve me hipoparatireozë u rekomandohen kontrolle të rregullta tek mjeku, me matje të nivelit të kalciumit në gjak.
Ndërlikimet shfaqen vetëm në rast se niveli i kalciumit nuk rregullohet në mënyrë korrekte. Në këto raste mund të konstatohen krizat e tetanisë ose katarakti në sy.