Biopsia e palcës së kockës
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është biopsia e palcës së kockës?
Biopsia e palcës së kockës është një ekzaminim i qelizave hematopoetike (qeliza pararendëse të qelizave të gjakut) të palcës së kockës. Ajo realizohet duke nxjerrë fillimisht një sasi të vogël të palcës së kockës nga kreshta iliake nëpërmjet punksionit (shpimit) në këtë zonë. Palca e kockave është vendi i prodhimit të pothuajse të gjitha qelizave të gjakut. Për këtë arsye, ky ekzaminim është kryesori për diagnostikimin e çrregullimeve të hematopoezës (proçesi i formimit të qelizave të gjakut), sidomos të kancerit të gjakut. Në nivelin e kreshtës iliake palca e kockës ndahet nga lëkura vetëm me një shtresë kockore relativisht të hollë, kështu që punksioni në këtë zonë mund të kryhet lehtë dhe pa ndonjë rrezik të veçantë.
Biopsia e palcës së kockës është një ekzaminim hematologjik dhe onkologjik.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Në përgjithësi, asnjë përgatitje e veçantë nuk është e nevojshme përpara një biopsie të palcës së kockës. Meqenëse zakonisht ky ekzaminim realizohet nën efektin e anestezisë (mpirjes) lokale, nuk është e nevojshme që pacienti të jetë esëll.
Çfarë duhet të sqarohet para këtij ekzaminimi?
Për të kryer një punksion të palcës së kockës, proçesi i mpiksjes së gjakut duhet të jetë normal. Disa ditë para ekzaminimit, mund të jetë e nevojshme të ndërpriten medikamentet antikoaguluese (që hollojnë gjakun) ose të zëvendësohen me injeksione të heparinës në bark. Mjeku do t'ju japë udhëzimet përkatëse në çdo rast.
Si kryhet biopsia e palcës së kockës?
Biopsia e palcës së kockës mund të kryhet në kushte ambulatore dhe zakonisht nuk zgjat më tepër se 15 minuta. Pacienti qëndron i shtrirë në anë dhe i tërheq këmbët drejt trupit. Më pas, dezinfektohet lëkura në vendin e shpimit dhe kryhet anestezia në nivel lokal. Kreshta iliake shpohet me një gjilpërë të veçantë, e cila tërheq një sasi të vogël të palcës së kockës (punksioni i palcës së kockës). Mostra i dërgohet laboratorit për ekzaminim të mëtejshëm. Gjithashtu, gjaku i palcës kockore merret me një shiringë, ngjyroset dhe ekzaminohet menjëherë në mikroskop për diagnozën paraprake. Pas heqjes së gjilpërës së shpimit, vendoset një ngjitëse sterile në vendin e shpimit dhe ushtrohet një presion i caktuar (me kompresë sterile ose qese të vogël me rërë, për rreth gjysmë ore) për të parandaluar gjakderdhjen. Pacienti pastaj mund të ngrihet dhe të shkojë në shtëpi.
Kur përdoret punksioni i palcës së kockës?
Punksioni i palcës së kockës është ekzaminimi më thelbësor për diagnozën, kontrollin e trajtimit dhe ndjekjen e sëmundjeve malinje të gjakut (kanceri i gjakut).
Arsyet më të shpeshta për kryerjen e një punksioni të palcës së kockës janë:
- Ndryshimet jonormale të numrit dhe formulës së gjakut
- Kanceri i gjakut: leuçemia, plasmocitoma, limfoma
A paraqet punksioni i palcës së kockës ndonjë rrezik apo efekt të padëshiruar?
Përgjithësisht, ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe paraqet një shkallë të ulët rreziku. Anestezia e lëkurës mund të djegë pak, proçesi i tërheqjes së gjakut nga palca e kockës mund të shkaktojë dhimbje të lehtë në legen.