logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Adenomioza zhvillohet kur indi endometrial (i cili normalisht vesh mitrën nga brenda) rritet në shtresën muskulare të mitrës. Kjo ndodh më shpesh gjatë moshës riprodhuese, ndoshta disa vite pas lindjes së fëmijës. Shkaku i kësaj sëmundjeje mbetet akoma i panjohur, por e sigurt është që zhduket pas menopauzës. Gratë që vuajnë nga adenomioza mund të kenë në të njëjtën kohë edhe endometriozë.

Shkaktari i adenomiozes mbetet i panjohur, por ka disa teori që përpiqen ta shpjegojnë:

  • Rritja indore invaduese, sipas së cilës adenomioza rezulton nga rritje direkte e qelizave endometriale nga sipërfaqja e brendshme e mitrës në shtresën muskulare të saj. Prerja kirurgjikale e bere për lindjen e femijës me operacion mund të shërbejë si nxitës për këtë invadim.
  • Me origjine që nga zhvillimi: pra indi endometrial ndodhet që në momentin kur mitra formohet në fetusin femër.
  • Inflamacioni i lidhur me lindjet: ndoshta një inflamacion i shtresës veshëse të brendshme të mitrës gjatë periudhës së lehonisë mund të shkaktojë një prishje të saj dhe favorizon këtë invadim.
  • Me origjinë nga qelizat burimore: është mundësi që mendohet kohët e fundit.

Pavarësisht sesi dhe pse adenomioza ndodh, zhvillimi i mëpasshëm i saj varet nga estrogjenet qarkulluese.


Faktorët favorizues

  • Ndërhyrje kirurgjikale të mëparshme, si lindja me S/C, apo heqja e fibromiomave
  • Lindjet e fëmijëve
  • Mosha e mesme (kjo ndoshta si rezultat i nje ekspozimi më të gjatë ndaj estrogjenit)

Adenomioza mund të jetë e heshtur dhe të mos japi asnjë shenjë, por më shpesh ajo mund të shkaktojë:

  • Hemorragji menstruale në sasi të shtuar dhe të zgjatur
  • Dhimbje në formë krampesh apo të mprehta si thikë gjatë menstruacioneve
  • Krampe menstruale, që zgjatin gjatë gjithë ciklit dhe që përkeqësohen me kalimin e viteve
  • Hemorragji gjatë menstruacioneve
  • Dalje të koagulave të gjakut gjatë ciklit menstrual
  • Zmadhim të përmasave të mitrës në dyfishim të saj, çka mund të japi fryrje të pjesës së fundit të barkut dhe të shkaktojë dhimbje në fund të barkut.

Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

Nëse keni ndonjë ose më shumë nga shenjat e mësipërme, hemorragji të zgjatur në sasi të shtuar, me dhimbje të forta, të cilat ju pengojnë aktivitetin e ditës.

  • Shenjat dhe simptomat (anamneza)
  • Egzaminimi pelvik: shihet mitra e zmadhuar dhe e dhimshme
  • Egzaminimi ekografik
  • Rezonanca magnetike (MRI)
  • Në disa raste mund të merret biopsi në shtresën veshëse të mitrës, thjesht për të përjashtuar ndonje shkak tjetër të hemorragjisë.
  • E vetmja mënyrë për të vërtetuar diagnozën e adenomiozës është egzaminimi mikroskopik (biopsi) i indeve pas heqjes së mitrës (biopsi a post- histerektomisë).

Adenomioza zhduket pas menopauzës, ndaj dhe trajtimi do të varet nga sesa afër kesaj faze ndodhet gruaja. Gjithsesi, trajtimi përfshin:

  • Preparatet antiinflamatore perdoren për të kontrolluar dhimbjet menstruale dhe për të kufizuar sasinë e hemorragjisë: ibuprofeni (Advil, Eudorline), naproxeni etj, duke nisur dy tre ditë para ardhjes së ciklit dhe në vazhdim të tij.
  • Terapia hormonale: përdorimi i kontraceptivëve te kombinuar estro-progestativ, patche hormonal, unazat vaginale ulin sasinë e hemoragjisë dhe dhimbjet shoqëruese. Përdorimi i përbërësve vetëm progestativ apo i DIU me progestativ si Mirena, është një tjetër metodë trajtimi.
  • Histerektomia: nëse dhimbjet dhe hemorragjia është e pakontrollueshme me medikamente, rekomandohet heqja e mitrës, ndërsa heqja e vezoreve nuk është e domosdoshme.

 

Dhimbjet dhe hemorragjia që shoqërojnë adenomiozën, mund të pengojnë aktivitetin normal ditor, vajtjen në shkollë apo punë, dhe veshtirësojnë marrëdheniet në çift, çka mund të çojë në gjendje të irrituara, depresive, ankthi apo zemërimi. Ndaj është shumë i rëndësishëm konsultimi me mjekun. Përveç kësaj, hemoragjitë e zgjatura mund të çojnë në anemi dhe probleme shoqëruese të saj.

Përpara se të konsultoheni me mjekun duhet të shkruani të gjitha shqetësimet që keni dhe çdo lloj mjekimi që merrni, sasinë dhe kohëzgjatjen e tyre.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...